Pas muajsh të tërë ndërprerje, më në fund Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të rinisë punën të hënën, më 9 nëntor, në orën 13:00, me një mbledhje ku do të diskutohen detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, projektligji për financimin e partive politike dhe çështjet e mbetura të reformës. 

Ndërkohë bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, ka akuzuar Partinë Socialiste se po bllokon punën në komision duke shmangur rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërkohë që PD I ka gati propozimet e saj.

"Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR, por edhe në raportet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe, së fundmi, Komisionit Europian: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor. Kjo kërkon ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e abuzimit me pushtetin, burimet shtetërore dhe administratën publike në favor të Partisë Socialiste apk cilësdo parti në pushtet në të ardhmen, si dhe garantimin e ndëshkimit të ashpër dhe efektiv të shkelësve, patronazhistëve dhe kujtdo që kryen krime zgjedhore" tha Bylykbashi. 

"Në frymë krejtësisht të kundërt, Partia Socialiste deri më sot ka trajtuar çështje që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk përbëjnë përparësi për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 9 majit 2027. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR me konsensus dje garantimi i zgjedhjeve me standarte është detyrim i mazhorancës, jo vetëm i opozitës. Kjo qasje e mazhorancës ndjek të njëjtën linjë veprimi që çoi në dështimin e qëllimshëm të Komisionit për Reformën Territoriale, për t’i hapur rrugë ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor, siç ndodhi me zhdukjen e 15 bashkive" shtoi ai. 

Bashkëkryetari demokrat kërkoi gjithashtu ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke propozuar proporcional kombëtar, lista të hapura dhe më pak barriera për partitë që duan të marrin pjesë në zgjedhje.

"Prioritet është edhe reforma rrënjësore e sistemit zgjedhor, të cilën e kërkon prej vitesh opozita por tashmë e kërkojnë prej muajsh edhe studentët dhe protestuesit. Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë dhe me sa më pak barriera për partitë që duan të marrin pjesë në garë.Edhe këshillat bashkiakë duhet të zgjidhen me lista të hapura, në vend të listave të mbyllura që zbatohen që nga Kodi Zgjedhor i vitit 2000, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste" tha Bylykbashi

Nga ana tjetër PS ka deklaruar se nuk do ta shtyjë më shumë se nëntori punën e komisionit dhe se nëse PD nuk dakordësohet, do ti vijojë e vetme punën për ndryshimet në Kod.

Që nga një vit më parë kur u ngrit me dakortësinë e dy partive të mëdha, i vetmi produkt i komisionit të reformës zgjedhore, është një draft i ligjit për financimin e partive politike.