Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha ironizoi në serinë e radhës me video virtuale në rrjetin social Facebook dyshen Rama-Berisha për marrëveshje dhe lidhje mes tyre, duke marrë si referencë edhe kandidimin e kushëririt të parë të ish-kryebashkiakut socialist Elvis Roshi në Kavajë për listat e PD-së më 11 maj.

Basha gjithashtu i drejtohet kryeministrit me pyetjen se “shoku e kishte kërkuar në debat”, duke u kujtuar gjithashtu “bufin e artë dhe bufin e bardhë” si personifikime të tyre.

“Dilni tregojini njerëzve i kujt është Elvis Roshi. Sepse shokun e tretë e keni tek 7x7 = 313”, u shpreh Basha mes të tjerash në video-postim.

Basha i bën thirrje kryeministrit mos ta refuzojë kërkesën e doktorit, e të dalin t’u tregojnë qytetarëve i kujt është Elvis Roshi, i bufit të artë, i bufit të bardhë apo i të dyve. Ai më tej thotë të dalin në debat t’u tregojnë se çfarë i lidh bashkë, apo shoku i tretë i tyre tek vendi, me frazën që tashmë është bërë jehonë.

“O Rame, të paska kërku shoku jot më debat. Dil në debat mo Rame, ti me bufin e artë, ai me bufin e bardhë, të shohin njerëzit çfarë përgjigje do i kthesh pyetjes: i kujt është Elvis Roshi, i joti apo i atij, apo i të dyve bashkë Rame? Dil në debat mo Rame t’u tregosh njerëzve çfarë ju lidh bashkë? Apo fati i shokut të tretë tek vendi. 7x7 = 313, Rame”, shprehet Basha.