Të kushtojë sa të dojë! Vaksina e anti-COVID duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë

Të kushtojë sa të dojë! Vaksina e anti-COVID duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë

Foto ilustruese e vaksinës anti-COVID

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që fillimisht të vaksinojnë punonjësit e shëndetësisë dhe më pas personat e rrezikuar. Pastaj vaksina duhet të kalojë në dispozicion të vendeve të tjera, në mënyrë që këta të bëjnë të njëjtën gjë.

Por bota e pasur ende nuk e kupton se sa serioze është pandemia COVID-19 dhe se sa i madh është ndikimi që do të ketë ajo në aspektin shëndetësor, ekonomik, social dhe gjeopolitik. Vaksina është kthyer në simbol për "kthimin në jetën e mëparshme“. Kjo është arsyeja përse politikbërësit në demokracitë perëndimore po shtyhen drejt një nacionalizmi vaksinash. Ata kanë premtuar vaksinimin e plotë të popullsisë së tyre, ndërsa deri më sot, në 130 shtete, nuk ka mbërritur as edhe një dozë e vetme.

Pak vaksina, tepër vonë?

Njerëzit në vendet e pasura po nguten për t'u vaksinuar dhe duan "certifikata vaksinimi" që do t'u lehtësojë kthimin në një jetë të pasur shoqërore dhe kulturore. Madje, qytetarët janë edhe përzgjedhës për vaksinën që duan të marrin. Ndërsa vendet afrikane në jug të Saharës filluan vetëm këtë muaj me vaksinën e parë. Stafi i tyre mjekësor po vdes në grupe, teksa detyrohet të trajtojë të sëmurët në kushte të vështira dhe pa mbrojtje. 

Paralajmërimi i bërë muajin e kaluar nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, se "bota është në prag të një dështimi moral katastrofik" mund të ketë patur pak efekt. Më në fund, një vit pasi OBSH shpalli „Gjendjen emergjente shëndetësore në shkallë ndërkombëtare“, anëtarët e G7-ës premtuan mbështetjen e tyre financiare për "Akses në COVID-19 Tools Accelerator" (ACT Accelerator).  ACT është një mekanizëm global solidariteti, në të cilin bën pjesë edhe COVAX - aleanca që u formua për të sjellë drejtësi në shpërndarjen e vaksinave. Por edhe kjo mund të mos mjaftojë, ose të mbërrijë tepër me vonesë në destinacion. 

Të premten e kaluar SHBA, Gjermania, Komisioni i BE, Japonia dhe Kanadaja premtuan fonde të reja prej 4.3 miliardë dollarësh (3.5 Miliardë euro). Kjo rrit shumën për përshpejtuesin ACT në 10.3 miliardë dollarë, por ende mbetet një hendek financimi prej 22,9 miliardë dollarësh për 2021. Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë ka llogaritur se ekonomia globale mund të humbasë deri në 9.2 trilionë dollarë nëse qeveritë nuk u japin vendeve të varfra akses në vaksinat kundër COVID-19. Përse nuk mund të mbledhë bota e pasur një shumë të tillë relativisht të vogël përballë një krize globale siç është pandemia aktuale?

Nuk ka më fajtorë

Edhe ata që nuk mendojnë se solidariteti është i rëndësishëm, duhet të marrin në konsideratë implikimet gjeopolitike: Kina, Rusia dhe India tashmë po i bëjnë vaksinat të disponueshme dhe me çmime të ulëta. Madje po i japin falas për vendet, me të cilat duan të forcojnë marrëdhëniet e tyre. Megjithëse edhe ato kanë nevojë vetë për to. Kjo diplomaci vaksinimi ka mbërritur në Europë dhe përtej: Tituj në gazetat serbe deklarojnë se "Vuçiçi, Putini dhe Xi do të shpëtojnë Serbinë". India dërgon doza vaksinimi falas në Nepal, Bangladesh, Myanmar, Maldivet, Sri Lanka, Sejshellet dhe Afganistan. Ministri i Jashtëm i Indisë e quan këtë "Acting East. Acting fast ". Kina është aktive në politikën shëndetësore edhe përgjatë Rrugës së saj të Mëndafshit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar dhe kërkon që Evropa dhe SH.B.A. urgjentisht të japin deri në pesë përqind  të prodhimit të tyre aktual të vaksinave për të mbushur boshllëkun ekzistues në vendet në zhvillim, ku ofron Kina dhe Rusia. Gjatë vitit të kaluar, përgjigja globale ndaj COVID-19 u pengua tejmase nga mosbashkëpunimi i administratës amerikane. Po tani nuk ka se kush të shpallet fajtor, nëse demokracitë perëndimore nuk e zgjidhin përfundimisht me vendosmëri padrejtësinë në shpërndarjen e vaksinave. Do të ndryshonte masivisht të ardhmen e pandemisë, demokracisë dhe gjeopolitikës nëse G7 thjesht do të jetësonte sërish parimin e dikurshëm të përdorur në krizën financiare "Whatever it takes!” – Të kushtojë sa të dojë!

Ilona Kickbusch është drejtuese e programit shëndetësor global në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë. Më pare ajo ka punuar për dy dekada me radhë në OBSH dhe ka dhënë mësim në universitetin amerikan, Yale. / DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave