Shkupi i ka thënë po propozimit francez, duke i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ulen në tryezën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.  Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë moment si fund pengmarrjes absurde të Shqipërisë.

“U deshën plot 3 vite të stërmundueshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t'i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.

Rama paralajmëron se delegacioni shqiptar do të niset të hënën drejt Brukselit për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

"Shqipëria do t'ia dali në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s'bën Shqipërinë.

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur miratimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se kjo i hap rrugë çeljes së negociatave. Nga krahu tjetër, përgëzon faktorin politik shqiptar për besnikërinë e orientimit europian. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka thotë se duhet të shohim përpara për integrimin drejt BE-së, ndërsa thotë se duhet kompensuar koha e humbur.

Reagime për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare kanë ardhur edhe nga opozita. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka bllokuar 5 herë hapjen e negociatave, pasi nuk ka plotësuar kushtet e duhura. Sipas tij, ky vendim lidhet vetëm me dëshirën e BE për të bërë pjesë të unionit Ballkanin Perëndimor. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE, por thekson se shkaku i bllokimit të negociatave ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të kushteve.

Të martën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot me 68 vota pro propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

1657972583_RAMA.jpg

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Konferenca ndërqeveritare, Kryemadhi: Një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e konsideron miratimin e propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut si një kapitull të ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Kryemadhi duke iu referuar qeverisë, thotë se tashmë nuk do të ketë më fjalë boshe dhe propagandë, por vetëm llogaridhënie dhe kritere për të përmbushur.

“Një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë është shkruar sot, me votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në favor të formulës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes RMV-BE. Falë këtij vendimi, por edhe shumë sakrificave që RMV si vend i lidhur me ne në procesin e integrimit, ka kryer për të arritur deri këtu, javës tjetër, Shqipëria më në fund mund të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Moment i shumëpritur, prej nga ku nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por kritere dhe llogaridhënie. Kërkesa me ngulm e LSI ndaj BE ndër vite ka qenë që, edhe me kritikat e institucioneve europiane për mospërmbushjen e kushteve, çelja e negociatave të kryej sa më parë. Duke e konsideruar procesin në vetvete dhe mbikëqyrjen e institucioneve të BE, faktor pozitiv në realizimin e shpejtë dhe cilësor të reformave. Si forcë politike europiane dhe konsensusi, kemi propozuar që prej vitit 2020 realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që reformat kryesore të realizohen sa më parë dhe me bashkëpunim ndërpartiak, duke e bërë procesin e integrimit imun ndaj politikës së ditës dhe kritikave për njëri tjetrin. Java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane! Mënyra si i qasemi këtij shansi të ri për vendin, mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë. Ndaj është koha që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyrës që ky mision kombëtar kërkon.”, shkruan Kryemadhi në Facebook.

 

Ora 17:35
Konferenca e parë ndërqeveritare, Charles Michel: Një hap i madh drejt BE-së

1653510569_Capture.JPG

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michele ka reaguar pas miratimit të  propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duke e konsideruar si një hap të madh drejt BE-së.

“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkruan Michel në Twitter.

Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin si për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Ora 16:52
Konferenca ndërqeveritare, Alibeaj: Mbështesim integrimin, por ka ende punë! Shkak i vonesës, keq-qeverisja e Ramës

1656926371_ef8ff8318f494077abeea5b4ee3bd5bb.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Nëpërmjet një postimi në  “Facebook”, Alibeaj ka përshëndetur vendimin, duke shtuar se ka ende shumë rrugë për të bërë dhe kushte për të plotësuar. Njëkohësisht është shprehur se PD mbështet integrimin e vendit për në BE. Për deputetin demokrat, qeverisja e Edi Ramë ka qenë ka qenë një dështim për rrugëtimin europian.

"Miratimi nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut i propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i hap rrugë procesit të negociatave të Shqipërisë me BE. Partia Demokratike përshëndet këtë vendim të parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe vlerëson rolin e faktorit shqiptar në këtë vendimarrje. Shqipëria nga ana e saj ka ende rrugë për të bërë, ende shumë kushte për të plotësuar. E gjithë ecuria e qeverisë shqiptare këto 9 vitet e fundit ka qenë një dështim për procesin e integrimit. Edhe pse problemi i Maqedonisë së Veriut dhe vetojq e Bullgarisë ishin çështje që ngadalësuan ndjeshëm procesin e integrimit, shqiptarët e kanë të qartë se ngecja në vendnumëro është pasojë e keqqeverisjes Rama. Pasuar së fundmi me nota arrogance ndaj përfaqësuesve të vendeve mike të BE. Si mënyra e vetme për të larguar vëmendjen nga ngecja e reformave, krimi de korrupsioni galopant, zgjedhjet e vjedhura të 25 prillit, liria e medias dhe problematikat shqetësuese e zhvillimeve në vend. PD e mbështet pa asnjë rezervë integrimin e vendit në BE dhe do të bëjë gjithçka për t'ia mundësuar këtë vendit. Për këtë duhet nisur puna një orë e më parë për rikthimin e pushtetit të votës së lirë. Te votës që nuk blihet me paratë e krimit dhe oligarkisë, që nuk shitet nga frika dhe terrori e regjimit që vë gjithçka në funksion të pushtetit absolut. Shqipëria ka vetëm një destinacion, atë të integrimit në BE. Ne do të punojmë çdo ditë për t’a arritur këtë duke ndërtuar të ardhmen e shqiptarëve mbi vlera dhe parime të ndryshme nga ato që po e mbajnë Shqipërinë peng dhe që po sjell braktisjen masive të vendit.", shkruan Alibeaj.

 

Ora 16:42
Konferenca ndërqeveritare, Nikolla: Hap i madh përpara drejt familjes evropiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

1656924479_linditanikolla11068x12301.jpg

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i cili i hap rrugë çeljes së negociatave.

Kryeparlamentarja Nikolla e konsideron si një hap të madh përpara drejt familjes evropiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Një hap i madh përpara drejt familjes evropiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përgëzime kolegut Talat Xhaferi, Parlamentit dhe parlamentarëve të Maqedonisë së Veriut. Sfidat e përbashkëta përballohen bashkërisht! Tani Këshilli Evropian e ka rrugën të hapur për mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla në Facebook.

Ora 15:30
Të martën konferenca e parë ndërqeveritare, Berisha: ‘Dhuratë’ e BE-së, Rama nuk i ka plotësuar kushtet

Të martën do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, por ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një zhvillim që lidhet me dëshirën e BE-së për të integruar në union Ballkanin Perëndimor.

Berisha shkruan se negociatat janë bllokuar prej 6 vitesh për shkak se Edi Rama nuk i ka plotësuar kushtet, si edhe vitin e fundit për shkak të vetos bullgare.

“Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut! Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona. Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE. Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Berisha.

 

Ora 15:21
Maqedonia e Veriut pranon propozimin francez, ministrja e Jashtme: Duhet të kompesojmë e humbur

1657972123_2934463771394392647735627606579064445969018n.jpg

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka komentuar miratimin në parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez.

"Më në fund rruga është e qartë! Urime për miratimin e propozimit duke zhbllokuar kështu perspektivën tonë. Të shikojmë përpara për fillimin e negociatave dhe konferencën e parë me të njëjtin përkushtim ndaj integrimit që ka treguar gjithmonë. Kanë humbur 3 vite! Koha për të kompensuar kohën e humbur", shkruan ministrja e Jashtme.

Ora 15:11
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, Meta: I hap rrugë çeljes së negociatave për vendin tonë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Meta thotë se ky vendim i hap rrugë çeljës së negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Përshëndes votimin pro-formulës Macron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona. Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike. Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”, shkruan Meta.

Ora 15:05
Të martën konferenca e parë ndërqeveritare, Balla: Moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në një konferencë për mediat tre ditë më parë me deputetin e Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviç deklaroi se Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimi Europian do të mbahet të mbahet me datë 18 Korrik.

“Në Këshillin Europian përgatitjet janë gati për të hënën apo të martën, që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Ajo që  unë thashë me shpresë është që brenda kësaj jave  edhe z. Ahmetoviç e tha,  një prej detyrave të shtëpisë  të vendosura në kuadër  të planit Francez për Maqedoninë e Veriut  të përmbushet, dhe thirrja ime për të gjithë kolegët deputetë të parlamentit të Maqedonisë së Veriut është që ky parakusht do ta quaja unë, të plotësohet gjatë kësaj jave, në mënyrë që në ato dy ditë, 18,19 apo 20 të ketë mundësi që edhe Maqedonia e Veriut të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, deklaroi Balla të mërkurën.

Balla teksa ka shpërndarë videon e deklaratës së tij në rrjetin social “facebook” deklaron se ky është një moment historik për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

“U kry! Gëzuar Shqipëria jonë dashur këtë moment historik! Mirënjohje çdo shqiptari dhe shqiptatreje që mbështet Shqipërinë Europiane”, shkruan Balla.

Ora 14:22
Të martën konferenca e parë ndërqeveritare, ministri i Jashtëm maqedonas: Vazhdojmë rrugën drejt integrimit në BE

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka përshëndetur votimin pro propozimit francez në Kuvend.

“Përshëndes konkluzionet e sotme të Kuvendit, i cili pas një debati të gjerë treditor, propozoi që Qeveria ta miratojë Propozim-kornizën negociouese për të nisur negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Vendi ynë do të vazhdojë në rrugën e integrimit europian, me vizionin për të qenë një vend i reformave reale europiane dhe një vend i denjë për të jetuar dhe punuar. Qytetarët ndajnë këtë vizion dhe duan të bëhen pjesë e familjes evropiane dhe të kontribuojnë në vendosjen e parimeve evropiane, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit ekonomik”, shkruan ai.

Ora 13:53
Të martën mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, Rama poston foto me Merkel: Më në fund, pengmarrja e Shqipërisë mori fund

1657972583_RAMA.jpg

Të martën mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, reagon Rama

“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s'kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund.

U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t'i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare - pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.

Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t'ia dilnim, do t'ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t'ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin.

Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t'ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes.

Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s'ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam.

Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t'ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s'bën Shqipërinë.

Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me votën e tyre, na e kanë besuar neve, socialistëve e progresistëve, këtë mision historik për Shqipërinë dhe po ashtu, faleminderit, atyre që duke mos na e dhënë votën, na kanë bërë më luftarakë e kokëfortë për misionin e Atdheut tonë të përbashkët.

Faleminderit miqve e partnerëve tanë, që të gjithëve, për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë.

Faleminderit në fund, por jo për nga rëndësia, edhe Lindës e fëmijëve, që mbajnë në këtë rrugë barrën e një sakrifice të mundimshme, të cilën veç ata e askush tjetër mund ta kuptojnë dot se çfarë halli është.

Për hajër”, tha Rama.