Të martën pasdite në orën 16:30 pritet të mblidhet këshilli bashkiak i Tiranës, e në të njëjtën kohë, Rithemelimi ka paralajmëruar të zhvillojë protestën e pestë përpara bashkisë ku kërkon dorëheqjen e Erion Veliajt.
Nënkryetari opozitar i këshillit bashkiak, Dorian Teliti dorëzoi sot në bashki kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës. Duke pretenduar se ka abuzime me buxhetin, ata kërkojnë kryebashkiakun Veliaj të raportojë para këshillit bashkiak. Po ashtu, ngritjen e një komisioni të përhershëm financiar për të ardhurat, shpenzimet dhe procedurat e tenderimit, si dhe auditim të huaj se ku shkojnë paratë e taksapaguesve të kryeqytetit.
Protesta që në dukje nisi nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për transparencë mbi projektin e Teatrit të ri Kombëtar, zbuloi qëllimin e vërtetë me thirrjet për lirimin e Sali Berishës nga arresti në shtëpi për aferën Partizani. Në të kanë marrë pjesë përfaqësues të Rithemelimit, të Partisë së Lirisë përfshi dhe vetë Ilir Metën, ndërsa deputetët janë përfshirë në përplasje me policinë teksa protestuesit kanë sulmuar godinën me bomba molotov.
Në një intervistë ekskluzive për Report Tv të shtunën, kryebashkaku Erion Veliaj tha se ditët në vijim do të shkojë vetë në SPAK për të dorëzuar dosje me informacione, përfshirë dhe inceneratorin e Tiranës, duke ndryshuar edhe më tej qasje, në bashkëpunimin e ngushtë që ai tha se ka me prokurorinë e Posaçme.