Të mençurit nuk mësojnë nga gabimet e tyre. Ata mësojnë nga gabimet e budallenjve

Të mençurit nuk mësojnë nga gabimet e tyre. Ata mësojnë nga gabimet e budallenjve

Lulzim Basha në foltoren e Kuvendit

Kryeradikali i të shkuarës Lulzim Basha zëvendësoi radikalin hibrid të së sotmes Sali Berisha. Mbasi i pushuan nga puna Alibeajn në komisionin për reformën zgjedhore, Basha nuk ka asnjë shans tjetër veçse të zërë vendin bosh të radikalit në politikë. Në këtë kohë kur krahasimet me fruta janë në modë, ai di që është shndërruar në limonin e politikës: i panevojshëm për shampanjën që pret të hapë Rama dhe i papranueshëm për ëmbëlsirën me fund të hidhur të kuzhinierit Bardhi, me recetën e Berishës. Basha shërben vetëm si gabimi nga i cili duhet të mësojnë të tjerët. Nëse kanë qoftë dhe minimumin e inteligjencës politike.

Kohët kanë ndryshuar, por janë serish të njëjtët aktorë që kanë qenë prej dy dekadash, pa lulzim në mes dhe me gjasë, edhe me lirinë për të mos përfshirë Ilir Metën. Janë vetëm dy. Edi Rama në një anë dhe Sali Berisha përballë. Tani diskutohet për rregullat e lojës, rezultati i së cilës, pa ndonjë suprizë të hidhur për njërën palë, nuk ka asnjë suprizë për palën tjetër. Rezultati ngjan i paracaktuar. Humbësi do të thotë të nesërmen e zgjedhjeve: na i vodhi zgjedhjet sërish! Pjesa tjetër është vetëm histori e të ardhmes që do t’i ngjajë si dy pika uji historisë së të shkuarës.

Ne thelb dhe në formë. Shumë pak detaje ndryshojnë rrugës. Deri atëherë, Rama ka paralajmëruar se në mungesë të votave, vendi hyn në zgjedhje me kodin aktual, kurse Berisha kërkon qeveri teknike, atë që praktikisht nuk ja japin, por mund t’ia përdorin si karrotë për t’ia shkëmbyer me shkopin e koalicioneve. Në fakt, Rama është i gatshëm të lëshojë gjithçka në këtë pikë, ai mund të pranojë deri edhe të daljen përkohësisht nga zyra e tij si kryeministër, por duke vënë kusht të vetëm hyrjen në zgjedhje pa koalicione. Një trik e truk që i parafirmos fitoren e tij të katërt elektorale në zgjedhje. Por për të mbërritur deri aty, së paku në formë, parlamenti rimori pamje në dukje normale. Marrëveshja për rikthimin në normalitet të parlamentit ka fituar menjëherë statusin e thikës. Të thikës që ndan në dy pjesë qëndrimin: u bë mirë apo keq, kush fitoi dhe kush humbi prej saj? E njëjta ngjarje, të njëjtat argumente me të njëjtit aktorë, shihen bardh e zi, edhe kur të dy palët brohorasin se kanë fituar. Në fakt është diçka krejt tjetër.

Pësimi nuk bëhet mësim për mësim për të mençurit. Të mençurit nuk kanë nevojë të gabojnë. Ata mësojnë zakonisht nga gabimet e budallenjve. Politika është një nga ato zeje që e vërteton si aksiomë një aksiomë të tillë. Marrëzia dhe idiotësia kriminale e 2019-ës, ai shpërthim kamikaz në themelet e sistemit, që vërtet vrau atentatorin, por dëmtoi dhe vetë sistemin, është rasti klasik i një vetëvrasjeje politike. Radikalizimi ekstrem i Lulzim Bashës, njeriut që bëri akt atë që të tjerët përpara tij e përmendnin vetëm si kërcënim, që bëri fakt të kryer atë që të tjerët pas tij as nuk do ta çojnë më nëpër mend, është një faturë që duhet të paguhet nga fajtorët. Një pjesë e saj, jo e tëra, u pagua në zgjedhjet pasardhëse të 2021-it. Të gjithë bien tashmë dakord që rezultati i zgjedhjeve do të ishte ndryshe nëse opozita nuk do të digjte mandatet dhe nuk do të bojkotonte zgjedhjet lokale të 2019-ës.

Por nuk mbaroi këtu. Në vend të reflektimit, opozita kundër opozitës, në momentin që u dëshmua shumicë nën flamurin e Sali Berishës, zgjodhi të njëjtën rrugë. Por në vend të radikalizmit ekstrem, për pesë muaj me rradhë, ajo zgjodhi radikalimin hibrid. Fyej e flakadanë, ndeshje me britma dhe britmat si argument, u shndërruan në gozhdët që mbërthenin arkivolin e parlamentarizmit në vend duke përsëritur në miniaturë të njëjtën pamje me atë të pesë viteve më parë. Me diferencën e vetme që deputetët e opozitës vazhdonin të paguheshin në borderotë e kuvendit dhe të trajtoheshin e të trajtonin veten si deputetë. Është e vërtetë që në atë pikë ata u shtynë pa mëshirë nga mazhoranca, e cila me arrogancë kufizoi liritë e saj, defaktorizoi mendimin opozitar dhe e përdori atë si fasadë të pluralizmit. Por po aq e vërtetë është se gotën e mbushi në derdhje veprimi i drejtësisë mbi Sali Berishën. Po ashtu, leshelia kaçurrele e rrymave dhe frymëve të ndryshme në opozitë ishin pjesë e frymëzimit për bojkot e prishje të seancave. Problemi është që ilaçi që u zgjodh për të shëruar këtë sëmundje, me të gjitha gjasat, më së pari vrau edhe njëherë vetë të sëmurin.

Edi Rama nuk humbi asgjë nga konfrontimi në Kuvend. Ai kaloi buxhetin në harkun e pak minutave, shmangu debatin për ligje të diskutueshme – që megjithatë edhe në kohë normale do t’i kalonte njëlloj – dhe pati rast për ta treguar me gisht opozitën si recidiviste. Një pjesë e madhe e publikut, që sondazhet e vlerësojnë deri në 40 për qind të tij, shqiptarë që nuk duan as njërën dhe as tjetrën palë, nuk gjenin asnjë arsye për t’u bashkuar me opozitën që të bënin atë shumicë kritike që rrezikon shumicën. Distanca e tyre me politikën, kryesisht atë që pretendon se është e djathtë, u thellua dhe më shumë. Pushtetet në Shqipëri mund të ndryshojnë vetëm duke inkurajuar sa më shumë shqiptarë të shkojnë të votojnë, kurse marrëzia e opozitës bëri të kundërtën: i largoi ata. Ndoshta arsyeja kryesore se pse edhe për katër vjet ajo nuk do t’i shkelë dot syrin Qabesë së bekuar të pushtetit.

Në Tiranë asnjëherë nuk është ashtu siç duket. Opozita e mbledhur në “rrugicën e shpresës” thjesht kuptoi se me radikalizimin e saj kishte hyrë në rrugë qorre që nuk e nxirrte askund. Ajo pranoi karrotën e komisioneve hetimore, e bindur se ato nuk do t’i sjellin asnjë dobi politike sepse thjesht nuk ka kohë. Viti që ka mbetur deri në zgjedhjet e përgjithshme apo ndoshta edhe më pak nëse ato bëhen në mes të vjeshtës të këtij viti dhe burimet e kufizuara njerëzore në dispozicion, është i pamjaftueshëm për të bërë ndonjë punë të hajrit. E gjitha i ngjan atij marifetit të vjetër të pulave që gjetkë kakarisin dhe diku gjetkë bëjnë vezën. Njëlloj si Gaz Bardhi që po e demonstron marrëveshjen si vezën e artë të opozitës dhe përkundër tij Lulzim Basha, që i tregon po Bardhit përdorimin e ndryshëm të karriges. Të bindur megjithatë të dy se do të vazhdojnë të paguajnë faturën fatale të 2019-ës, përballë një kundërshtari cinik që nuk heziton të përdorë çdo mjet në emër të pushtetit. Në këto kushte, opozita shkon në zgjedhjet e 2025 vetëm me shpresën “e pesta e vërteta”, kur humbja do të largojë Berishën, por jo hijen e tij në PD dhe do të zhdukë hijen e Bashës nga PD. Domethënë, do të presë vitin 2029 pa dy njerëzit që i bashkoi interesi dhe i ndau urrejtja me interesa të kundërta.

Të gjithë, përfshi këtu edhe Berishën, Bashën, Metën, Bardhin, e dinë që shanset për të fituar zgjedhjet janë me shumë se modeste. Vetë Bardhi po luan për ditën e zezë të humbjes së katërt për të qenë pasardhës i Doktorit. Duke dështuar tre herë më Bashën, birin e tij, së paku për momentin, Berisha duket se po vë bast për nipin, gjeneratën e tretë në PD-në e plakur.

Ndaj, mbas pesë muajsh tensioni të kotë në Kuvend që dihej se nuk do të prodhonte asgjë, opozita mund të kujtojë pyetje – përgjigjet e ngulitura të dilemës së hershme dembele: Ku ishte? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse përballë tyre, mazhoranca nuk pati nevojë të gabonte. Ajo thjesht priti të mësojë nga gabimet e budallenjve përballë. Në fund të fundit, Bashën e përzunë edhe nga Kuvendi. Dhe Linditën që e bëri këtë akt, e duartrokitën të gjithë, pavarësisht se shefi i saj, Rama, ka mësuar më shumë nga gjithkush nga gabimet e tij!

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin