TIRANË- Ditën e mërkurë konstituohet këshilli bashkiak i Kamzës, por kryebashkiaku në ikje Xhelal Mziu shprehet i vendosur se nuk do ta lirojë zyrën. Mziu thotë se do vijojë të drejtojë këtë bashki deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mziu del me një deklaratë ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha duke njohur 13 tetorin, teksa Basha thotë se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do ketë.

Ndonëse Gjykata e Tiranës vërtetoi manditin e Rakip Sulit si kryebashkiakun e ri të Kamzës, Mziu vijon të firmosë vendime e projekte deri ditën kur thotë se në respekt të dekretit të Presidentit do të mbahen zgjedhje legjitime.

"Ne presim datën 13 Tetor dhe s’e shoh ligjore. Do drejtoj qytetin deri në zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo dosje do shkojë në Gjykatën e Apelit, do e çoj edhe në Gjykatën Kushtetuese, do bej kallëzim ndaj kancelares e gjykatëses se shkelën ligjin, do ta kallëzoj edhe në KLGJ se zgjodhën sistemin elektronik. Nuk më intereson një mbajtje e karriges edhe pse është ligjore. Ju kam sugjeruar mbështetësve që mos e kthejmë në një betejë. Nuk do lejoj gjakderdhje, por s’do lë instrument ligjor pa përdorur ndaj këtij sistemi të kalbur që ka një emër, Ramën e Rilindjen", shprehet Mziu në Tv Klan.