Të mërkurën në orën 18.30, në stadiumin më të ri të Shqipërisë, ekipi kombëtar i futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër ekipit U-19 të Futboll Klub Elbasanit, beri te ditur e marten ne mbremje Federata Shqiptare e Futbollit.

Kjo ndeshje e improvizuar, në kuadrin e përgatitjeve të skuadres kombëtare për ballafaqimin kunder Danimarkës me 11 tetor per eleminatoret e Euro 2016, do te jete edhe inaugurimi zyrtar i "Elbasan Arena", një ngjarje e shënuar për qytetin. Në ceremoninë që do të organizohet me këtë rast, pritet që të jenë të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Presidenti i FSHF-se, Armand Duka, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe shumë personalitete të tjera si dhe figura të njohura të sportit, theksohet ne njoftimin e FSHF-se.Qytetarët e Elbasanit do të kenë mundësinë që të shijojnë ndeshjen dhe stadiumin e ri të qytetit të tyre me një hyrje të lirë.Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit që të jenë të pranishëm në një event të tillë të rrallë, i cili do të mbetet në memorien e qytetit të tyre si një ngjarje e paharrueshme. 

ATSH