Sot ata janë jashtë burgjeve politikë, por deri 23 vite më parë mbanin mbi supe lëngimin e një shoqërie të tërë. Persekutim, përndjekje, internim, burgim. Emrat e tyre përbëjnë mijëra dosje që presin një vulë finale. Paratë e burgut.
82-vjeçari Islam Spahiu, është një nga përfaqësuesit më dinjitoz të ish-të përndjekurve politik. Piktorin, poetin dhe përkthyesin e njohur Islam Spahiu e gjejmë pranë lagjes së tij në qendër të Tiranës, shumë pranë bllokut të ambasadave. Banesa e tij është një dykatëshe tipike e Tiranës së vjetër. E vetmja qenie e gjallë që shoqëron ditët e vetmuara të Islam Spahiut është qeni Badi.
Në paradhomën e vogël ka një divan, një televizor, shumë libra dhe një tavolinë pune. Ndërsa në dhomën e gjumit, biblioteka e vendosur në njërën faqe të murit është pasuria më e vyer nga të cilat Islam Spahiu nuk hoqi dorë kurrë edhe kur i vëllai u bë prokuror, edhe kur nëna e tij e braktisi në burg pasi zgjodhi të mbronte djalin tjetër me pozicion të rëndësishëm në kastën komuniste të Tiranës së viteve 60-70’
Në 1946, Islam Spahiu ishte vetëm 14-vjeç, nxënës i talentuar i pikturës në Liceun Artistik por inspirimet e tij rinore, pasioni për autorët e mëdhenj si Kamy, Dostojevski, Balzak e shumë shkrimtarë e poetë të tjerë europianë do të ktheheshin në dramën e jetës së tij.
“Humba bursën, edhe pse isha më i talentuari i Liceut. Që në adoleshencë më etiketuan me ideologji antikomuniste” – tregon 82 vjecari. Përndjekja dhe internimet u bënë pjesë e jetës. Fillimisht internim në Kukës ku u bë mësues në një fshat të thellë, më pas në thellësitë e fshatrave të Elbasanit e kështu me radhë. Nën efektin e tyre Islami zgjodhi të ishte një beqar i përjetshëm. Arrestimi i mikut të ngushtë vite më pas internimit, afroi edhe më shumë burgun dhe vuajtjet pranë Islamit. Pas arrestimit, piktori Edision Gjerko, mik i Islam Spahiut nuk i raportoi asnjëherë bisedat me Islamin, kundër diktatorit Enver Hoxha edhe nën efektin e torturave por vetëm një fjali e tij mjaftoi që edhe Islam Spahiu të arrestohej. “Artistët duhet të jenë të pasur që të kenë prodhimtari….”- kaq tha Gjerko për Islam Spahiun që mjaftoi për arrestimin e këtij të fundit. Burgu i Spaçit, u bë banesa disavjeçare e njeriut i cili i kujton ato kohë si vitet më të tmerrshme të jetës.
Ky personazh i cili doli nga burgu në vitin 1984 në moshën 52-vjeçare, është vetëm një nga mijëra shqiptarët e tjerë që përjetuan horrore të ngjashme me kampet e Aushvicit. E pyesim për cështjen e kompensimit financiar dhe Islam Spahiu thotë se ka mundur të marrë dy këste, prej 4 milionë lekësh të vjetra. Përballë ndryshimit të ri ligjor, Islami pavarësisht se pak javë më parë u thirr në takim nga ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ende nuk e beson se do t’i vijë radha të marrë 6 këstet e tjera. Por kompensimi për vitet e burgut është kërkesa e vetme që 82-vjeçari e shumë të tjerë si ai kanë.
‘Përse, duhet të varemi nga njëri-tjetri. Unë i kam plotësuar të gjitha dokumentet e mia, nuk kam përse të pres ende për të marrë kompensimin. Të mi japin ato që duhet të marrë sepse sot jam 82 vjeç dhe nuk besoj se jeta ime do vazhdojë gjatë për të pritur pafundësisht…” – deklaron i moshuari ndërsa sipas tij “…fajet qëndrojnë tek qeveria e kaluar, Berisha, i ktheu në një lëmsh të madh edhe çështjen e kompensimit të këtyre njerëzve e sot flet me gjuhë rrugësh në parlament” – e mbyll irritimin e tij Islami.
Në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Silvana Banushi drejtoresha e përgjithshme na sqaron radhën e përfituesve në bazë të projektligjit që pret miratimin në kuvend në fillim të korrikut. Një draft ligjor i cili ndryshon mënyrën se si duhen paguar ish të përndjekurit politik. Në fillim të moshuarit e më pas me radhë trashëgimtarët e atyre që tashmë kanë vdekur pa u shpaguar.
Përsa i përket kompensimit të 82-vjeçarit Islam Spahiu dhe shumë pak të moshuarve të tjerë që janë ende gjallë, Banushi shpjegon se ky kompensim do të ndodhë pas përfundimit të zinxhirit të përfituesve të këstit të parë
Ndërkohë, të hënën e datës 16 qershor, një grup i ish të përndjekurve politik i udhëhequr nga Fatmir Hoxha, mbylli grevën e urisë disa ditore në Tiranë. Pas grevës, ata gjenden pranë zyrave në Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë. Nëse kompensimi për vitet e burgut ishin kauza e grevës së urisë së bashkëvuajtësve të tyre të udhëhequr nga Skënder Tufa në nëntor të vitit 2012 ku dhe humbi jetën pas vetëflijimit me zjarr Lirak Bejko, për këtë grup gjërat qëndrojnë ndryshe. “Jemi të dënuar politik, dhe kauza jonë është politike”- sqaron prerazi Fatmir Hoxha. “Edhe kompensimin e duam, por kryesore për ne është dënimi me ligj i figurës së Enver Hoxhës” – deklaron Yllson Dido , një nga trashëgimtarët e ish të përndjekurve politik. Ndërsa më i riu Gjergji hani thotë: “Po kërkojnë të fshijnë kujtesën e një kombi, ndaj duhet që dosjet e vjetra të hapen urgjentisht për të treguar fytyrat e vërteta të atyre që janë në parlamentin e sotëm”
Nga ana tjetër kompensimi vijon, thotë drejtoresha e përgjithshme e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Silvana Banushi. Në kompjuter shfaqen listat e përfituesve të radhës, shumica mbi 75 vjeç. Në çdo javë më shumë se 100 emra nga dosjet me mbi 23 mijë emra po tërheqin këstin e parë të dëmshpërblimit për vitet e burgut. Java e fundit e qershorit pritet të ketë edhe fluksin më të lartë. Rreth 450 përfitues pritet të kompensohen me këstin e parë në këtë periudhë.
Ndërsa 82-vjeçari, Islam Spahiu ende nuk shfaqet në listat e këtyre ditëve. 6 këstet prej 24 mln lekë të vjetra që Spahiu duhet ende të marrë, janë në listën e pritjes. “Sapo të kalojë kompensimi financiar i atyre që nuk kanë tërhequr ende këstin e parë, të parët në listat e radhës pritet të jenë të moshuarit si Islam Spahiu” – thotë Banushi.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)