Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi sot ekipin e ri drejtues që do të ndjekë zhvillimet dhe reformat në pushtetin vendor. Oltjon Muzaka do të mbajë detyrën e zëvendësministrit me përgjegjësi për çështjet e pushtetit vendor, ndërsa Anxhela Paparizo është emëruar drejtoreshë e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Gjatë prezantimit, Demo vlerësoi sfidat me të cilat përballet pushteti vendor dhe theksoi se kërkohet një ritëm dhe standard i ri pune.

“Na duhet koordinim më i fortë, lidership dhe angazhim maksimal nga i gjithë ekipi”, u shpreh ministri.

Sipas tij, prioritet do të jenë reformat në proces, përmbushja e detyrimeve të Kapitullit 22 të negociatave me Bashkimin Europian, digjitalizimi, forcimi i kapaciteteve të bashkive dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët.

Demo theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit në terren të programeve si Paketa e Maleve dhe Rilindja Urbane 2.0, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për komunitetet dhe për të nxitur zhvillimin e qyteteve dhe zonave rurale.

Ministri vendosi si objektiv një pushtet vendor më të aftë, më modern dhe më pranë qytetarëve.