Armand Duka ka shpërfillur për të disatën herë vendimin e Gjykatës e cila e ka pezulluar atë dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe është paraqitur si President i FSHF-së në Kongresin e FIFA-s që po zhvillohet në Doha, kryeqyteti i Katarit. Kjo përbën shkelje të hapur të vendimit të gjykatës për pezullim dhe një tjetër karshillëk që Duka i bën institucioneve në Shqipëri.

Kujtojmë se përmes një procesi farsë u rizgjodh Armand Duka në krye të Federatës, por funksionet e tij dhe të sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku janë të pezulluara nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Më 18 mars, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullimin e Armando Dukës dhe Ilir Shulkut pasi janë në hetim nga prokuroria sepse dyshohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare për të zgjedhur fitues në krye të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana, Krenar Alihmemeti.

Armand Duka u rikonfirmua President i Federatës në zgjedhjet e mbajtura nga Asambleja e Përgjithshme. Në një proces të manipuluar që në gjenezë të saj, Armand Duka u rizgjodh më 15 mars sërish në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pa asnjë surprizë, ai arriti që të siguronte 37 vota nga 43 votues të vlefshëm që morën pjesë në Asamble duke vijuar drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të Futbollit në vend edhe për 4 vitet e ardhshme.

Report Tv raportoi skandalin në zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së, por e vërteta ka një kosto. Kujtojmë se Armand Duka nuk e ka vonuar hakmarrjen duke refuzuar akreditimin e Report Tv për ndeshjet e Kombëtares, duke bërë një akt censure kundër një media të pavarur. Hyrja në tribunën e shtypit realizuar në stadiumin e ri “Air Albania” sipas standarteve të fiksuara nga UEFA, është një parim i respektuar në të gjithë stadiumet e botës. Gazetarët nuk kërkojnë akteditim në tribunën e shtypit si tifozë, por si operatorë të informacionit që duhet të informojnë tifozët dhe opinionin publik mbi ndeshjet që luhen. Kjo e drejtë iu është mohuar gazetarëve të Report Tv

Zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së ishin vendosur që të mbaheshin në datën 2 mars, por Gjykata e Tiranës, pezulloi garën deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Armand Duka mblodhi sërish Asamblenë dhe vendosi edhe kësaj here në kundërshtim me ligjin që procesi të mbahet më 15 mars. 

Gjykata e Tiranës paralajmëroi se nëse drejtuesit e FSHF-së do të vijonin me procesin zgjedhor në kundërshtim me masën e sigurisë që ajo ka dhënë, shkelësit do të dënohen me burg që sipas kodit penal shkon gjer në 3 vite burg.