Meteorologia Rezarta Xhakollari ka parashikuar sesi do të vijojnë të jenë kushtet e motit në ditët në vijim në vendin tonë.

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Xhakollari tha se tre ditët e para të javës që vjen do të sjellin një pranverë të parakohshme në vendin tonë, me temperatura nga 16 deri në 20 gradë celcius.

Po ashtu Xhakollari tha se në fillimin e muajit mars pritet të shoqërohet nga një masë e nxehtë që vjen nga Mesdheu.

Ndërkohë për ditët në vijim, Xhakollari tha se ditën e premte do të ketë mot të paqëndrueshëm dhe me reshje shiu. Ajo shtoi se e shtuna dhe e diela do të jenë me diell, por me mot të ftohtë.

“Sot patëm këtë pauzën, të ftohtin dhe temperaturat e ulëta kryesisht në veri. Minus 2 ka qenë sot mëngjesi. Edhe nesër kemi në pjesën e parë të ditës një mot të qëndrueshëm dhe reshjet do të fillojnë gjatë mesnatës. Të premten vjen një tjetër front, do të kemi reshje intensive shiu, rikthehet kjo masa e ngrohtë. Reshje shiu dhe stuhi në bregdetin e Durrësit, Vlorës, Shkodrës, por edhe të kryeqytetit.

Dhe fundjava, e shtuna dhe e diela, kryesisht e diela do të jetë me diell dhe e ftohtë. Pra të premten kemi shi dhe stuhi në pjesën perëndimore. Reshjet e dëborës do të mbeten sërish në zonat verilindore dhe juglindore. Por më ngrohtë, do të jetë në fundjavë. Duket se do të jetë fundjava e parë e shkurtit me mot të qëndrueshëm dhe e diela do të jetë me diell.

Pak freskët do të jetë, sepse mbetet ky ajri i ftohtë. Dhe ditët e fundit pasta, e hëna, e marta dhe e mërkura do të jetë një pranverë e parakohshme. Temperaturat do të kapin vlerat 16-20 gradë. Dita e fundit e shkurtit do të jetë e paqëndrueshme. Fillimi i marsit pastaj, vjen një masë e nxehtë nga Mesdheu”, tha mes të tjerash Xhakollari.