Erion Veliaj pritet të paraqitet të premten në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Drejtoria e Burgjeve i është përgjigjur interesit të Report Tv, duke bërë me dije se nga ana e institucionit janë marrë të gjitha masat e nevojshme të parashikuara në protokollet e sigurisë, për të shoqëruar Veliajn nga paraburgimi i Durrësit drejt Gjykatës Kushtetutese. Theksohet se mbetet në vullnetin e Erion Veliajt nëse do të pranojë të marrë pjesë apo të pranojë të shoqërohet për në Gjykatën Kushtetuese ditën e premte, pra më datë 31 tetor.

Kushtetuesja më datë 9 tetor i ka dërguar shkresë Erion Veliaj në qeli, si palë në proces, duke e pyetur nëse do që të jetë i pranishëm në seancë. Ndërkohë, më datë 13 tetor kanë informuar Drejtorinë e Burgjeve "duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim".

Pasi është marrë konfirmimi nga Veliaj, Kushtetuesja thotë se kanë njoftuar edhe SPAK.

Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin e tij më 25 shtator nga qeveria, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak. Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por ky dekret u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga gjykata Kushtetuese deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.