'Të rinjtë do lënë llotot dhe do merren me sport', përurohet kompleksi sportiv 'Football Republic', Veliaj: Një histori suksesi (Foto)

Të apasionuarit pas futbollit dhe sporteve të tjera, profesionistë apo amatorë, do të gjejnë në Barbas të Petrelës një hapësirë moderne sportive, për të luajtur apo stërvitje. Dje pasdite u përurua çelja e kompleksit sportiv “Football Republic”, me tre fusha të mëdha futbolli dhe kapacitet për 1000 persona. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi ata që mundësuan këtë investim të madh sportiv, i cili i jep Tiranës një tjetër hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Ai theksoi se marrja me sport apo pjesëmarrja në një garë sportive, mund të mos të të bëjë sportist, por së pari të jep mundësi të krijosh karakterin e një njeriu që di të pranojë humbjen dhe të administrojë fitoren. “Duam të forcojmë jo vetëm aftësinë për të luajtur, por edhe për të ndërtuar karakter tek fëmijët tanë, për t’u thënë se gjërat bëhen më mirë në skuadër. Asnjë nuk bën dot gol i vetëm, nëse dikush tjetër nuk ia pason topin; asnjë nuk ngrihet dot i vetëm, nëse dikush nuk i jep dorën. Jam shpresëplotë se në këtë fushë nuk do të trajnojmë vetëm futbollistë, por qytetarët e ardhshëm dinjitozë të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se krahas hapjes së 62 palestrave nëpër shkolla, hapja e komplekseve të tilla sportive mundësojnë që të rinjtë të lenë bastet dhe lokalet dhe të merren me aktivitete fizike. “E filluam pak nga pak me 62 palestrat e hapura në shkolla, për futboll, basketboll, volejboll, handboll etj. A do dalin të dalin të gjithë futbollistë dhe sportistë elitarë? Ndoshta jo, ndoshta po, ndoshta një në njëqind, ndoshta një në një mijë, por kjo nuk ka rëndësi. Një qytet ku të rinjtë merren me sport, që largohen nga pikat e basteve, nga lotot, kazinotë, është një qytet më i mirë. Kjo është hera e parë në 28 vitet e fundit, kur janë mbyllur më shumë pika bastesh dhe janë hapur më shumë terrene sportive”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se ngritja e kësaj akademie do të sjellë zhvillim për zonën, jo vetëm në infrastrukturë, punësim, shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe zhvillimit të bizneseve, por edhe duke e bërë atë një pikë tjetër atraktive për qytetarët e Tiranës dhe për turistët që duan ta vizitojnë atë. “Jam shumë i lumtur që Redi Jupi dhe “Futboll Republic” sjellin një pol të ri në Petrelë, pasi kemi punuar me kalanë e Petrelës, me muret ilire dhe me një qendër argëtimi. Pasja e 4-5 stacioneve në Petrelë e kthen atë në një destinacion turistik”, u shpreh ai. Veliaj siguroi banorët e zonës se shumë shpejt do të nisë edhe rruga që do të lidhë autostradën Tiranë-Elbasan, pikërisht me fshatrat dhe zonën ku është ngritur akademia.

Ish-futbollisti, Redi Jupi renditi të mirat që sjell një angazhim i tillë sportiv dhe falenderoi edhe Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e dhënë. “Është një projekt që është në ëndrrën dhe pasionin tim, por shpresoj të jetë një shërbim i madh edhe për qytetin, për komunitetin. Kemi shumë nevojë për këtë, për të bërë sport në ambiente pa ndotje, ku ka ajër të pastër, ku nuk ka zhurma dhe mendoj se kemi gjetur vendin e duhur këtu. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë sepse ai ka qenë këtu edhe para dy vitesh dhe në fakt, ndihma që ka dhënë ka qenë shumë e madhe. Kjo nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e tij”, tha Jupi.

Më pas në impiantin e këtij kompleksi sportiv u zhvillua edhe një ndeshje futbolli midis ekipit të Bashkisë Tiranë dhe ekipit të Akademisë së Futbollit.

Kompleksi “Football Republic” vetëm për fazën e parë të punimeve përfshin 3 fusha të mëdha futbolli të cilat kanë kapacitet për 1000 persona, të cilët mund të ushtrojnë aktivitet fizik përgjatë 6 orëve të pasdites. Të treja fushat janë të mbuluara me ndriçim të nivelit të lartë. Gjithashtu, kompleksi ka 12 dhoma zhveshjeje për stafet e trajnerëve, lojtarë dhe persona që do marrin shërbimet e kompleksit, të pajisura me dushe, tualete dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e seancave stërvitore, por edhe ndeshjeve midis amatorëve.

Investimi do të zgjerohet në vazhdim me një palestër, qendër fizioterapie, summer camp, shkollë, 3 fusha minifutbolli, një fushë tenisi dhe një pishinë gjysmë olimpike.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj