“Të keqen nëna fëmija ikën u larguan lanë pleqërinë vetëm”…

Nëna Fana pret në pragun e derës të shohë fëmijët. 85-vjeçarja nga fshati Shën Pjetër i Fierit, nga 8 fëmijë 6 i ka në emigrim.

“U larguan për një jetë të mirë, por nëna i do këtu, se nëna as ngrihet dot, po ca të bëjë nëna e shkretë i do fëmijët këtu me nipër e mbesa”, u shpreh Fana Llupi.

Fshati është përgjysmuar gjatë 5 viteve të fundit, tregon kryeplaku.

“Para 5-6 viteve kemi qenë 1800 banorë, ndërsa sot kanë mbetur 800. Janë larguar për arsye ekonomike. Tokat nuk i punojnë dot se s’ka subvencione nga qeveria. Për shembull disa familje nuk kanë marrë aktin e tokës në pronësi dhe pa atë nuk merr dot subvencionet e naftës. Me rritjen e çmimeve jeta sa vjen e vështirësohet dhe një pjesë zgjodhën të ikin në emigrim”, tha Agron Semani,  kryeplaku i fshatit.

Në rrugë sheh veç të moshuar dhe shtëpi të braktisura. Shkolla prej vitesh është mbyllur, ka mbetur një kopsht fëmijësh, i rrënuar. Papunësia dhe mungesa e mbështetjes për bujqësinë janë shkaqet kryesore të emigrimit masiv.

“Papunësia i bën të gjitha. Fëmijët na kanë ikur na kanë braktisur. Kanë qenë 4 klasa gumëzhinte fshati. Tani kanë ikur të rinjtë jashtë vendit, ka 3-4 vite që nuk bëhet asnjë dasmë. Kush ka mbetur këtu?!”, thanë banorët Llukan Spiro dhe Lili Papa.

Shën Pjetri dikur ka qenë i populluar për shkak të pozitës gjeografike, pranë detit dhe vetëm 10 km nga qendra e Fierit.