TIRANE- Raporti i të rinjve me librin prej kohësh po shoqërohet me një distancim gradual nga bibliotekat dhe libraritë. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë kuptuar se rritja e interesit për këtë kategori lexuesish duhet të shoqërohet domosdoshmërit me inovacione teknologjike, të cilat duan jo vetëm kohë, por kanë edhe një kosto të lartë financiare. Tashmë të gjithë kanë mundësi të lexojnë gjithçka, ku fjala censurim apo “libër i ndaluar” nuk është pjesë e zhargonit të një lexuesi. Megjithatë edhe pse në kohën kur liria për të lexuar është e barasvlefshme me lirinë e fjalës, interesi për frekuentimin e bibliotekave dhe librarive vazhdon të jetë tepër i pakët.

Mes tranzicionit të moshës dhe mungesës së interesit, të rinjtë kujtohen për këto qendra të dijes vetëm gjatë sezoneve të studimeve dhe librat e kërkuara prej tyre lidhen vetëm me literaturat studimore. Biblioteka Kombëtare ka edhe numrin më të madh të lexuesve në kryeqytet. Për shkak të literaturës së zgjeruar dhe botimeve të shumta që ndodhen në këtë institucion edhe frekuentimi është më i madh, përfshirë edhe moshat e treta të cilat e përdorin kryesisht për leximin e shtypit të përditshëm. Sipas punonjëseve të këtij insitucioni, interesi i të rinjve është gjithmonë i lartë në muajt shkurt dhe qershor që përkojnë me sezonet e tyre të studimeve, ndërsa në pjesë të tjerat të vitit, frekuentimi i bibliotekave bie ndjeshëm.

Edhe drejtuesit e bibliotekave kanë kuptuar se modernizimi i shërbimeve, shtimi i numrit të autorëve dhe sidomos dixhitalizimi i botimeve është mënyra e vetme për të mbajtur në kontakt lexuesin me librin. Interesin e paktë të numrit të lexuesve në biblioteka e konfirmojnë edhe punonjësit e Bibliotekës Kombëtare të Arteve. “Edhe pse zotërojmë botime nga më të mirat, studentët e arteve janë të prirur që informacionin që u duhet, ta marrin në mënyra të tjera, kryesisht online ku informacioni është më i strukturuar dhe janë më të aksesueshëm”, sqaron për “Shqiptarja.com” punonjësja e kësaj biblioteke. Vetë të rinjtë shprehen se interesi për të lexuar mund të jetë i madh, por bibliotekat në vend janë shumë tradicionale dhe nuk operojnë me elementët teknologjikë.

“ Dua që librin ta kem edhe në shtëpi, edhe në punë, edhe në shkollë në mënyrë që ta lexoj kur të dua dhe të kem mundësi, prandaj edhe për mendimin tim mënyra më e mirë do ishte libri elektronik”, shprehet Ledio Rapaj, student në Universitetin e Tiranës. Sipas të rinjve, distancimi i tyre nga bibliotekat nuk duhet përkthyer si mungesë e dëshirës për informacion, por si një nevojë për modernizimin e mundësive që libraritë dhe bibliotekat duhet të ofrojnë. Kanë qenë vetë autorët që nëpërmjet botimeve të tyre në internet në adresën “Amazon.com” , kanë ofruar mundësinë për lexuesin e librit online dhe mundësinë për akses dhe kërkim të një informacioni më të strukturuar.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)