Një seri aktivitetesh,  me në qendër kulturën, traditen dhe artin korçar janë organizuar në zonën këmbësore të qytetit të Korçës nën logon "Historia e qytetit tone pa biletë".

Këto aktivitete, të ideuara nga grupi i studentëve të rinj "Bashkë për ide" dhe i mbështetur nga Bashkia Korçë, kanë risjellë për qytetarët disa nga vlerat më të spikatura të qytetit të serenatave.

Ekspozimi i objekteve të ndryshme arkitekturore, qeramike, artizanale, kulinarike e muzikore përgjatë zonës këmbësore por edhe vizitat falas në muzeumet e qytetit kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve.

Aktivitetet kanë kulmuar me zhvillimin e një sfilate me veshje tradicionale korçare, me prezantimin e figurave më të njohura që e kanë çuar emrin e qytetit tonë në botë si dhe improvizimi i një balloje te viteve '20-'30 ashtu si organizohej dikur në Korçë.

Ky aktivitet është përshëndetur nga kryebashkiaku Sotiraq Filo i cili inkurajoi dhe vlerësoi iniciativën dhe idetë e këtyre të rinjve. Aktiviteti shënoi mbylljen me një kokteil të përgatitur për gjithë të ftuarit./ATSH/