VLORË- Tre të rinj të cilët ishin shpallur në kërkim kanë rënë ditën e sotme në në prangat e policisë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë arrestuar Denaldo Harizaj, 22 vjeç, Dejvi Imeraj, 23 vjeç dhe Klodjan Paraj 24 vjeç.
Të rinjtë, 4 ditë më parë kanë dhunuar fizikisht një 44-vjeçar duke e goditur atë më grushte e me sende të forta. Kjo ngjarje kishte ndodhur për motive të dobëta, ndërsa 44-vjeçari ka pësuar vetëm dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Si pasojë e këtij konflikti është bërë edhe arrestimi i tyre.
Ndaj tre të rinjve rëndon akuza për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve: D. H., 22 vjeç, D. I., 23 vjeç dhe K. P., 24 vjeç, të tre banues në Orikum. Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, më datën 06.08.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në afërsi të Orikumit, kanë goditur me grushta dhe me sende të forta, shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Orikum, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.", njofton Policia.