PEQIN - Një punonjës i burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, instruktor qeni, u plagos nga një plumb qorr, teksa ishte në detyrë brenda ambienteve të institucionit të vuajtjes së dënimit.

Idajet Paja 41-vjeçar është qëlluar me armë nga jashtë burgut. Autori tashmë i arrestuar Gazment Kaseja, 35 vjeç , ka qëlluar me armë në kodrat e fshatit Progër.

Burime për Report Tv sqarojnë se ka pasur të shtëna në fshatin Progër dhe se punonjësin e burgut e kapi një plumb "qorr" gjatë momentit që po linte turnin. Policia sekuestron armën e zjarrit me të cilën autori qëlloi në ajër, e cila ishte në automjetin e 35-vjeçarit.

Burime nga policia thanë për Report Tv, se punonjësi i policisë së burgjeve u lëndua lehtë dhe se ka marrë mjekim brenda burgut, ku edhe ndodhet aktualisht. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.40, siç njofton policia. "Punonjës i IEVP Peqin pas ndihmës së parë mjekësore, ndodhet në institucionin ku punon dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor", njofton policia.

Menjëherë pas ngjarjes u ngritën postblloqe, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan edhe krerët e hetimit në polici dhe prokurori. Zbardhja e ngjarjes është bërë nën drejtimin e Prokurorisë Peqin dhe policisë.

 Gazment Kaseja