Me të njëjtin skenar si vrasjet e kryera vitet e fundit në Shkodër, mbrëmjen e kësaj të diele është ekzekutuar 19-vjeçari i identifikuar si Erjon Xhenje. Ora shënonte 20:10 kur i riu u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke pirë kafe në një lokal pranë kryqëzimit të Kirasit, në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend.

Trupi i viktimës u mor nga autoambulanca pasi qëndroi për rreth 30 minuta në brendësi të lokalit. Policia njofton se janë në kërkim të autorëve që dyshohet të jenë larguar përmes rrugicave dytësore. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen 'Guerile' është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën që dyshohet se i përket autorëve. Menjëherë pas të shtënave me armë, e gjithë zona është u rrethua nga forcat e policisë dhe grupi hetimor. Policia nuk ka dhënë ende një motiv për vrasjen, por burime të Report Tv mësojnë se i riu, është kushëri me Sehar Xhenjën, një person me precedentë kriminal në Shkodër.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Lidhja e viktimës me Sehar Xhenjën, i shpallur në kërkim për tentativë vrasje 

Erjon Xhenje, 19 vjeçari që mbeti i vrarë është i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
VIDEO/ I vranë djalin brenda lokalit në Shkodër me breshëri plumbash, babai i tronditur shpërthen në lot për të birin

 

Arben Xhenje, babai i Erjon Xhenjes 19-vjeçari që u vra në Shkodër ka shpërthyer në lot sapo ka parë të birin e shtrirë dhe pa shenja jete brenda lokalit. Teksa përpiqeshin ta nxirrnin jashtë, ai i lutej policisë që të qëndronte brenda.

Ora 21:55
VIDEO/ Atentati në Shkodër, momenti kur trupi i 19-vjeçarit transportohet drejt morgut me ambulancë

 

Ky është momenti kur trupi i 19-vjeçarit Erjon Xhenje është duke u transportuar nga lokali ku u ekzekutua në ambulancë. Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e kësaj të diele ku i riu u vra në lokal teksa pinte kafe nga persona ende të paidentifikuar.

Ora 21:09
Atentati në Shkodër, 500 metra larg vendngjarjes gjendet e djegur motoçikleta dhe arma e zjarrit! Dyshohet se i përket autorëve

1663528100_AMBULANCA.jpg

Rreth orës 20:10, në bulevardin "Bujar Bishanaku", në lagjen "Naim Gjylbegu", në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri Erion Xhenje 19 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.

Në lagjen "Guerrile" është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët, njofton policia. Burime bëjnë me dije se lagjia 'Guerrile' është vetëm 500 metra larg vendit ku u krye atentati ndaj të riut.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Ora 21:04
U vra sot në Shkodër me breshëri plumbash brenda një lokali! Viktima ishte i afërmi i një personi të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje (EMRAT)

 

Report Tv ka mësuar se viktima Erjon Xhenja ishte i afërmi i Sehar Xhenjes, i cili është shpallur në kërkim nga policia për tentativë vrasjeje ndaj Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. 

Sehar Xhenje, 25 vjeç ka qëlluar me armë zjarri së bashku me Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç, dhe Shkëlzen Xhenje, 29-vjeç, Taulant Pepaj. Objektivi i tyre arriti t’u shpëtojë plumbave ndërsa ata u shpallën në kërkim nga policia më 21 shkurt 2021. Të rinjtë qëlluan mbrëmjen e muajt shkurt të vitit që lamë pas rreth orës 11:50 në lagjen "Skënderbeg", Shkodër në drejtim të automjetit.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti ku Sehar Xhenje, Ejlon Hato dhe Shkëlzen Xhenje në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë drejt një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Taulant Pepajt, 30 vjeç dhe pasagjer shtetasin K. M., 46 vjeç.

 

Ora 20:53
EMRI/ Ja kush është i riu që u vra mbrëmjen e sotme në një lokal në Shkodër

1663526805_shkider.jpg

Erjon Xhenje, 19-vjeç është viktima e atentatit në Shkodër. I riu u qëllua me breshëri plumbash teksa po pinte kafe në një lokal në zonën e njohur si 'Rruga e Gjerë'.

Ora 20:51
VIDEO/ Ky është lokali ku u vra 19-vjeçari në Shkodër

 

Një 19-vjeçar është vrarë në Shkodër mbrëmjen e sotme. Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku u qëllua i riu i cili ishte brenda lokalit 'Bar Kafe Mirsad' në zonën e njohur si 'Rruga e Gjerë'.

Ora 20:41
Vrasja në Shkodër/ Viktima u ekzekutua brenda në lokal! Zona rrethohet nga forca të shumta policie, pamje nga vendngjarja

 

Një person ka mbetur i vrarë mbrëmjen e kësaj  të diele në Shkodër.

Gazetari Ergys Kavaja ka siguruar për Report Tv pamjet nga ku ka ndodhur ngjarja. Siç shihet edhe në pamjet në zonë ndodhen forca të shumta policie. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin ‘Bujar Bishanaku’, brenda në një lokal ndërsa mësohet se trupi i viktimës ende nuk është nxjerrë nga lokali.