VLORË- Një konflikt, i cili ka përfunduar në përdorimin e armëve të zjarrit, ka ndodhur në afërsi të Portit të Jahteve në Orikum të Vlorës, ku një 37-vjeçar me iniciale E.SH, ka mbetur i plagosur. Sipas burimeve sherri ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku dy persona, dyshohet se janë konfliktuar mes njëri-tjetrit pas debateve, të cilat besohet se kanë nisur ditë më parë. 37-vjeçari i cili ka mbetur i plagosur me plagë në kokë, është transportuar në spital. Ai dyshohet se është goditur me qytën e pistoletës dhe sende të forta, pasi nuk ka asnjë plagë plumbi në trup.

Pasi ka marrë mjekimin në spital është shoqëruar në Komisariatin e policisë. Nga të njëjtat burime, konfirmohet se në vendngjarje janë gjendur edhe gëzhoja dhe sipas policisë është qëlluar me armë zjarri në ajër. Ndërkohë policia e Vlorës ka ngritur postobllok policor tek zona e Kalasë në Ujin e Ftohtë pasi dyshohet se autori apo autorët janë larguar. Mësohet se blutë e Vlorës janë vënë në ndjekje të dy makinave.

'Në afërsi të portit të jahteve, Orikum, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar dyshohet  me sende të forta nga persona ende të paidentifikuar, shtetasi E. Sh., 37 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se njëri prej personave të përfshirë në konflikt ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.'- njofton policia.