TIRANË- Efektivi i ‘Shqiponjve’, Edlir Alleshi u qëllua mbrëmjen e kësaj të mërkure (20 shtator), në zonën e njohur si ‘Oxhaku’ në Tiranë me dy plumba nga Klerent Bozhanaj.

42-vjeçari i cili sipas informacioneve sapo është kthyer nga Italia, qëlloi me dy plumba në stomak efektivin e policisë Alleshajn, që fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:55 në rrugën ‘Hysen Gjura’, efektivët e ‘Shqiponjave’ pikasën sjelljen e dyshimtë të 42-vjeçarit sapo pikasi policët dhe e ndoqën.

Policia njofton se shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të tij. Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të "Shqiponjave". Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se autori Kleret Bozhani 42 vjeç e ka qëlluar efektivin teksa ky i fundit po e kontrollonte dhe më pas është larguar me një makinë.

Sipas informacioneve, autori është trup shumë i dobët, rreth 180 cm. Në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë Bozhanaj ka qenë i veshur me tuta dhe bluzë gri, kapele të zezë.  Policia e Tiranës vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të plagosjes, teksa iu apelon qytetarëve të bëjnë kujdes pasi është i armatosur.

Një mesazh e dha edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili u shpreh se autori është identifikuar ndërsa bëri thirrje të dorëzohet përpara drejtësisë. Pak minuta pas ngjarjes ministri i Brendshëm shkoi në spitalin e Traumës për të vizituar efektivin e plagosur. Një mesazh e dha edhe Drejtori i Policisë, Tonin Vocaj në një komunikim me gazetarët teksa tha se autori është i armatosur si dhe ka shenja të depresionit.

“Gjendja e efektivit është përmirësuar. Personi është identifikuar, thirrja për të është  të dorëzohet!”- tha Balla. 

Raportoi për Shqiptarja.com dhe Report Tv gazetari, Sokol Dema

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:27
Vocaj jep informacione për autorin që plagosi efektivin: Ka shenja të theksuara depresioni, është i armatosur

 

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë një deklaratë për shtyp pas plagosjes me armë zjarri të efektivit ‘Shqiponja’. Vocaj thotë se nga informacionet paraprake Bozhanaj mund të ketë shenja të theksuara depresioni.

“Ka një dëmtim me armë zjarri. Policia dhe RENEA janë mobilizuar për kapjen e autorit i cili quhet Klerent Bozhanaj i datëlindjes 1981. Ky person është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Vazhdojnë veprimet e policisë.

Po komandojmë me familjarët. Policia vendos shumën 20 mijë euro për informacion të vlefshme që çon në kapjen e autorit. Ne nuk kemi shumë të dhëna për momentin. Dimë që ky person ka qenë emigrant në Itali është kthyer në gusht në Shqipëri.

Nga hetimet e deritanishme është evidentuar fakti që ka shenja depresive dhe nuk kemi të dhëna për përfshirje në aktivitet kriminale”, u shpreh Vocaj.

Ora 20:47
Plagosja e efektivit të ‘Shqiponjave’ në Tiranë, policia: 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për kapjen e autorit Klerent Bozhanaj

1695234720_11212.jpg

20 mijë euro shpërblim do të marrë çdokush që ofron informacion për autorin e plagosjes së efektivit të ‘Shqiponjave’, Edlir Alleshaj. Çdokush që ka informacion të vlefshëm që do mund të ndihmonin efektivët për të kapur Klerent Bozhanaj do të shpërblehet nga ana e uniformave blu.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion shtesë

Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.

Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Ora 20:33
Qëlloi efektin e ‘Shqiponjave’, Report Tv siguron foton e autorit 42-vjeçar në Tiranë

1695234594_kleredbozhanai.jpg

Ky është autori 38-vjeçar, Klered Bozhani i cili qëlloi me dy plumba efektivin e ‘Shqiponjave’ Edlir Alleshi.

 

Ora 20:30
FOTO: Ky është efektivi i Shqiponjave që u plagos në Tiranë

1695234752_edliralleshi.jpeg

Ky është Edlir Alleshi efektivi i repartit “Shqiponja”, i cili u plagos me armë zjarri pasditen e sotme në Tiranë teksa ndiqte një të dyshuar për armëmbajtje.

Ora 20:28
Tiranë/ Qëllohet efektivi i ‘Shqiponjave’, 38-vjeçari e plagosi me dy plumba në bark teksa po e kontrollonte

1695230599_plagosjetirane.jpg

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edlir Alleshi është qëlluar me dy plumba nga 38-vjeçari Klered Bozhanaj teksa ishte duke e kontrolluar. Gazetari i Report Tv Sokol Dema bën me dije se autori i dyshuar prej disa kohesh është kthyer nga Italia.

Ora 20:24
Qëlloi me dy plumba efektin e ‘Shqiponjave’ në Tiranë, Report Tv siguron emrin e autorit 38-vjeçar

1695230629_plagosjetirane.jpg

Klered Bozhani quhet autori i plagosjes së efektivit të ‘Shqiponjave’ Edlir Alleshi. Gazetari i Report Tv Sokol Dema bën me dije se Klered Bozhani 38 vjeç,  është trup shumë i dobët, rreth 180 cm. Gjatë momentit të të shtëna ka qenë i veshur me tuta dhe bluzë gri, kapele të zezë.

Ora 20:22
Qëlloi me armë ndaj patrullës së ‘Shqiponjave’ duke plagosur një efektiv, Balla: Autori është identifikuar, i bëj thirrje të dorëzohet

1695235492_WhatsAppImage20230920at8.41.48PM.jpeg

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se gjendja shëndetësore e efektivit të repartit “Shqiponja” Edlir Alleshi që mbeti i plagosur me armë gjatë ndjekjes së një të dyshuari është përmirësuar. Balla tha se autori është identifikuar dhe i bëri thirrje që të dorëzohet.

“Gjendja e efektivit është përmirësuar. Personi është identifikuar, thirrja për të është  të dorëzohet”

Ora 20:02
Qëlloi patrullën e policisë dhe plagosi efektivin e Shqiponjave, dyshohet se autori iku me makinë! Policia ka fiksuar targat

1695231260_plagosjetirane.jpg

Policia ende nuk ka identifikuar autorin që ka qëlluar drejt patrullës së Shqiponjave.

Report Tv mëson se ai është larguar me një automjet targën e të cilit policia tashmë e ka fiksuar dhe po kërkohet.

Ende nuk dihet nëse autori është ndihmuar nga  një person tjetër apo është larguar i vetëm me makinë, informon gazetari i Report Tv, Sokol Dema. 

Ngjarja u regjistrua në lagjen "Kinostudio", në rrugën "Hysen Xhura" në Tiranë. 

 

Ora 19:40
Policia tregon si u plagos efektivi në Tiranë: Po ndiqnin një person të armatosur, agresori hapi zjarr në drejtim të 'Shqiponjave'

Policia e shtetit ka reaguar në lidhje me plagosjen e efektivit të Shqiponjave në Tiranë Edlir Alleshi gjatë ndjekjes së një personi që levizte me armë.

Tiranë/Informacion paraprak

Në lagjen "Kinostudio", në rrugën "Hysen Xhura", shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit  të dyshuar.

Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave "Shqiponja", dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave "Shqiponja", Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.