Krimi në familje ka goditur sërish. Mesditën e sotme në qytetin e Vlorës pas një sherri në familje burri ka mbytur gruan, ndërsa më pas ka prerë damarët duke tentuar vetëvrasjen. Viktima është Eva Lera 45-vjeç, ndërsa autori është Teodor Lera 57-vjeç, bashkëshorti i saj, që aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë. 

Gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili raporton se ngjarja ka ndodhur në dyqanin e çiftit Lera në katin e parë të një pallati pranë komisariatit të policisë së qytetit bregdetar, në lagjen "Kushtrimi". Gjithçka ka ardhur si pasojë e një sherri, që ka degraduar në dhunë dhe më pas burri e ka mbytur bashkëshorten.

Më pas në gjendje depresioni ai ka prerë damarët e duarve dhe këmbëve duke tentuar vetëvrasjen. Kanë qenë fqinjët, që pasi kanë dëgjuar zhurmat kanë lajmëruar me shpejtësi policinë. Por, në momentin që ka ardhur policia dhe ambulanca gruaja kishte ndërruar jetë. Burri pas mjekimit ndodhet në spitalin e burgut të Vlorës jashtë rrezikut për jetën. 

Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit që solli krimin e radhës në familje. Në momentin që ka ndodhur dhe debati, çifti ka qenë vetëm në dyqanin që kishin, pasi tre fëmijët i kanë në Amerikë, Angli dhe vajza e vogël studente në Tiranë. Sipas fqinjëve ai e dhunonte vazhdimisht gruan, e cila në një rast e kishte denoncuar, por më pas e fali për katër të fëmijëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:23
Vrasja e gruas në Vlorë, momenti kur ambulanca merr trupin e viktimës (VIDEO)

Report Tv siguron pamjet e momentit kur transportohet trupi i viktimës nga dyqani ku u mbyt nga burri për në morg.

Ora 13:12
Vlorë, burri vret gruan me thikë pas sherrit në familje, tenton vetëvrasjen (FOTO+VIDEO)

Qyteti i Vlorës është tronditur sot nga një vrasje brenda familjes. Rreth orës 12:10 minuta Teodor Lera ka mbytur gruan e tij, Eva Lera. Nuk dihen ende rrethanat e këtij konflikti brenda familjes që degradoi deri në vrasje. Pasi ka vrarë bashkëshorten, autori ka tentuar të vetëflijohet me thikë.

Ora 12:59
Fqinja: Burri e dhunonte, gruaja e denoncoi dhe më pas e fali për hatër të fëmijëve (VIDEO)

Njëra nga fqinjet e çiftit Lera në Vlorë shprehet për Report Tv se Teodor Lera e dhunonte vazhdimisht gruan e tij. Ajo thekson se në një rast, Eva Lera e denoncoi në polici burrin për dhunë, por më pas e tërhoqi denoncimin për hatër të fëmijëve, ndërsa sot ai e mbyti. "Vajza e madhe është në Amerikë, djali në Angli, ndërsa vajza e vogël studente. Ziheshin shumë, edhe ai ushtronte dhunë. Ajo e ka denoncuar më parë për dhunë, e dënuan, dhe kjo e fali për hatër të fëmijëve. Gruaja thoshte që për hatrin e fëmijëve do e falte. Ai nuk punonte, vetëm gruaja çfarë shiste në dyqan" tha ajo.