Në seancën e radhës gjyqësore për dosjen Plumbi i Artë, dëshmitari Zylyf Hoxha rrëfeu para trupit gjykues momentin e ekzekutimit në dhjetor 2019 të 26-vjeçarit Andi Zylyfi, i njohur me nofkën “Bobi”, ndërsa u plagos miku u tij Ardit Uruçi.
Hoxha tregoi se mbrëmjen e 19 dhjetorit 2019 ndodhej në lokalin e fshatit, bashkë me disa banorë të tjerë. Pak minuta para të shtënave, disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit hynë me nxitim brenda dhe njoftuan se kishin dëgjuar të shtëna me armë.
“Jam thirrur në vitin 2019 në polici për një ngjarje të ndodhur në fshatin Përparim. Disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit u futën brenda, kuptuan që ishin të shtëna. Unë lajmërova policinë dhe i thash dëgjuam të shtëna. Këto deklarime i kam thënë dhe përpara komisiariatit Peqin dhe në Elbasan”, ka dëshmuar ai.
Sipas Hoxhës, të pranishmit në lokal u shtrinë menjëherë në tokë nga frika, pa mundur të shikonin qartë çfarë po ndodhte jashtë. Ndërkohë, Zylyfi dhe Ardit Uruçi, të cilët kishin qenë pak më herët në lokal ku kishin marrë ujë, kishin dalë jashtë pak minuta para atentatit.
Ai sqaroi se në lokal ndodheshin edhe kushërinjtë e viktimës, mes tyre Edison Zylyfi, si dhe disa të afërm të Uruçit. Ndërsa në momentin e atentatit ka dëshmuar se ka dëgjuar breshëri plumbash.
“Në këtë ngjarje mbeti i vrarë “Bobi”, Andi Zylyfi. Ne nuk e pamë dhe nuk e verifikuam ishte vrarë apo jo, u shtrimë të gjithë në tokë. Përveç tij, u plagos njëri me mbiemër Uruçi. Ishin të njohur për ne, fshatarët tanë. Jemi fqinj, komshinj. “Bobin” e shihja te ai lokali, është kafja e fshatit. Aty te lokali ishin edhe kushërinjt e tij, Edison Zylyfi, Uruçi ishte aty, ishin disa kushërinj të tij. Ai erdhi na respektoi pastaj mori një shishe ujë pastaj doli jashtë lokalit bashkë me Uruçin (i referohet Ardit Uruçit). Nuk e di kush gjuajti me armë, ne u trembëm u larguam nga frika. Sa dolën jashtë lokalit, jo me shume se 10 minuta dëgjuam të shtëna. Dëgjuam që janë të plagosur , pastaj i morën familjarët për ti çuar në spital. Të shtënat ishin breshëri”, ka dëshmuar ai.
SPAK akuzon vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja si porositës të vrasjes së Andi Zylyfit. 26-vjeçari ishte djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit i ekzekutuar po nga vëllezërit Çopja në 2018-ën. Nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe miku i tij Ardit Uruçi, 23-vjeç, banues në fshatin Përparim. Atentati ndaj dy të rinjve është bërë teksa ishin së bashku në një makinë tip 'Golf'.

Talo Çela
Kambisti Xhemali Lici ka rrëfyer sot para gjykatës skenën e dhunës dhe grabitjes brutale që përjetoi në gusht të vitit 2012. Në seancën e radhës të dosjes ‘Plumbi i Artë’, Lici ka treguar me detaje momentin e grabitjes, por edhe se si arriti të identifikojë më vonë se Talo Çela, i shumëkërkuar nga SPAK, ishte pjesë e autorëve.
Lici tha se atë mëngjes, si zakonisht, ishte nisur herët nga shtëpia, rreth orës 06:30. Ai mbante me vete 12 milionë lekë që i kishte futur në një çantë dhe i kishte vendosur në bagazhin e makinës së tij.
Sipas dëshmitarit, pranë shtëpisë ndodhej e parkuar një Peugeot e bardhë, nga ku dyshohet se lëviznin autorët. Fillimisht e goditi një person i vetëm, por më pas u afruan edhe të tjerë. Ai tregon se është goditur në fyt, në trup dhe me armë zjarri. Për shkak të goditjeve më pas ka humbur ndjenjat.
“Jam pyetur disa herë në prokurori dhe polici për ngjarjen e ndodhur në 2012. Unë zakonisht dal në 06.30 nga shtëpia. Dola nga shtëpia dhe mora me vete 12 milionë lekë i futa në çantë. Në atë kohë kam patur BENZ me targë 4149. Futa në bagazh çantën me lekë u ktheva të mbyll derën e shtëpisë, pastaj me sulmuan. Më lanë aty, më gjuajtën dy herë në gjoks dhe në gju. Pash një makinë qe ishte e parkuar aty, në momentin që po shkoja te e imja. Ishte Peugeot e bardhë. Fillimisht ishte njëri që me sulmoi, pastaj erdhën të tjerët me goditën në fyt. Ishin disa lloje goditjesh, nuk e përballova, rashë në tokë. Pastaj u ngrita dhe humba ndjenjat. Ishin disa vetë, njëri mori lekët, tjerët u morën me mua. U godita me armë , lloji pistoletë. Ishin me kapuç të gjithë. Në 06:00-07:00 dilja nga shtëpia. Atë ditë qëlloi që mora lekë, sepse një tregtar më solli lekë në darkë. Në 2007 punoja kambist, lekët qe merrja i çoja në dyqan”, dëshmoi ai.
Kjo ngjarje kriminale u arrit të zbardhej falë dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se grabitja është kryer me porosi të Talo Çelës.
Pas ngjarjes, një tjetër person, Agim Lleshi, i ka treguar kambistit se kishte një video në një lavazh. Liçi pranon se në atë material filmik identifikoi qartë Talo Çelën, të cilin më pas e ka njohur edhe përmes televizorit. Ai tregon se Talo Çela ka qenë i pranishëm në momentin e grabitjes me një maskë ngjyrë kafe dhe madje edhe e ka goditur.
“Në gusht është puna më e madhe e kambistëve. Në atë kohë kam patur edhe një punonjës dhe një roje. Kam nisur në 1994 të punoj si kambist ilegal. Unë isha filial i dikujt tjetër, i Sokol Hazatit. Nga familja ime, gruaja kishte një dyqan ushqimor në atë kohë. Talo Çelën nuk e kam njohur në atë periudhë, as nuk e kam dëgjuar si emër deri në atë periudhë. I vëllai i tij, Bujar Çela vinte aty dhe pyeste si u bë ajo puna, a u gjetën ato njerëzit. I thash mos të të shoh më në dyqan. Ai interesohej se kush ishin ata që e bënë, unë i thash shih punën tënde dhe mos hajde më në dyqan nëse vjen për këtë punë. Nuk i vinte keq atij për mua, ishte i panjohur. Bujari punonte taksi, po jo me licencë. Përderisa pyeste disa herë, dinte diçka. I thashë mos hajde më këtu. Agim Lleshi më thonte do të çoj te një lavazh se kam një video. I thash ma trego sepse e përcaktoj. E pashë Talo Çelën dhe i thashë ky është ai që më ka goditur. Kur e pashë për herë të dytë në një interviste në televizor, i thash familjarëve të mi ky është personi. Kur foli Dumani pastaj, e kuptova që ishte ai. Talo Çela kishte një si maskë ngjyrë kafe dhe dukej”, dëshmoi ai.
Komente









