Policia e San Diegos ndërhyri pas një sulmi me armë në qendrën më të madhe islame të qytetit, në lagjen Clairemont. Nga sulmi humbën jetën gjithsej pesë persona, përfshirë edhe dy autorët.
Sipas shefit të policisë së San Diegos, Scott Wahl, dy autorët, dy të rinj 17 dhe 19 vjeç, u gjetën të pajetë brenda një makine pranë xhamisë, pasi ishin vetëvrarë me armë zjarri. Ahmed Shabaik, president i xhamisë, bëri të ditur se një nga tre viktimat ishte një roje sigurie.
“Është një situatë e tmerrshme”, deklaroi presidenti Donald Trump, duke siguruar se ngjarja do të merret shumë seriozisht.
Hetuesit kanë gjetur mesazhe anti-islamike në makinën ku u zbuluan dy agresorët. Këtë e raportoi Neë York Times, duke shtuar se njëri prej të dyshuarve kishte marrë një armë nga shtëpia e prindërve pak para sulmit dhe kishte lënë një letër lamtumire.
Një dëshmitar në vendin e ngjarjes tha për CBS se kishte telefonuar policinë pasi dëgjoi rreth 30 të shtëna me armë. Sipas faqes zyrtare të xhamisë, ajo është xhamia më e madhe në qarkun e San Diegos. Kompleksi përfshin edhe shkollën Al Rashid, e cila ofron kurse të gjuhës arabe, studime islame dhe mësime të Kuranit.
Pamjet ajrore tregojnë fëmijët duke dalë nga qendra të shoqëruar nga forcat e rendit. Nxënësit dhe stafi janë të sigurt, tha për CNN një zëdhënës i shkollës. Autoritetet ngritën gjithashtu një qendër pranë zonës për të mundësuar ribashkimin e nxënësve me familjet e tyre pas përfundimit të emergjencës./Corriere della Sera
Komente










