Dy anëtarët e Gardës Kombëtare që u plagosën një ditë më parë pasi u qëlluan me armë zjarri në Uashington DC, dy blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, mbeten në gjendje të rëndë shëndetësore. Autori është një 29-vjeçar afgan, i identifikuar si Rahmanullah Lakanëal, i cili qëndron në SHBA që nga viti 2021.

Ai hapi zjarr rreth orës 15:00 me orën lokale, duke plagosur rëndë dy ushtarët e Gardës, forcë e vendosur nga presidenti Donald Trump në Uashington DC për të luftuar krimin në qytet. Motivi i sulmit mbetet i panjohur. Në hetim është përfshirë edhe FBI, dhe po hetohet edhe si një akt i mundshëm terrorist. 

Sipas CNN, i dyshuari iu afrua ushtarëve të Gardës dhe qëlloi të parin nga disa metra largësi. Më pas qëlloi ushtarin tjetër, i cila po përpiqej të fshihej pas një autobusi. I dyshuari nuk po bashkëpunon me hetuesit dhe nuk kishte me vete asnjë dokument identifikimi në kohën e arrestimit të tij. Policia ka gjetur pistoletën që besohet se është përdorur në sulm dhe po punojnë për të përcaktuar se kur dhe se si e ka siguruar autori.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth njoftoi se në Uashington do të vendosen edhe 500 trupa të tjera. "Kjo vetëm sa do të forcojë vendosmërinë tonë për të siguruar që Uashingtoni të jetë i sigurt dhe i bukur", tha ai.

Po ashtu, administrata amerikane i kërkoi një gjykate federale të Apelit që të pezullonte një urdhër të dhënë nga një gjyqtar federal për të larguar Gardën Kombëtare nga Uashingtoni, DC. Javën e kaluar, gjyqtari vendosi që vendosja e ushtarëve ishte e paligjshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:59
Kush është Rahmanullah Lakanwal, afgani që qëlloi ndaj Gardës Kombëtare në Washington

1764241282_afganiwashington.JPG

Sipas Fox News, 29-vjeçari ka luftuar për më shumë se dhjetë vjet krah forcave speciale amerikane kundër talebanëve dhe ka bashkëpunuar me Cia-n, para se të evakuohej në Shtetet e Bashkuara.

Rahmanullah Lakanwal, shtetasi afgan i dyshuar se është autori i të shtënave ndaj Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, në Uashington, kishte punuar më herët me forcat e armatosura amerikane në Afganistan, përpara se të evakuohej në Shtetet e Bashkuara. Këtë e raporton Fox News, sipas së cilës 29-vjeçari kishte bashkëpunuar më parë me ushtrinë dhe Cia-n, përpara se të mbërrinte në SHBA në vitin 2021, një muaj pas tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga vendi.

29-vjeçari kishte bashkëpunuar më parë me disa entitete qeveritare amerikane aktive në Afganistan, përfshirë Cia-n, si pjesëtar i një force partnere në Kandahar (siç shihet në kartën e identitetit të publikuar në fotogaleri). Rrjeti televiziv Fox News Digital citoi deklaratat e drejtorit aktual të Cia-s, John Ratcliffe, duke specifikuar se Lakanwal hyri në Shtetet e Bashkuara një muaj pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi aziatik, në kuadër të operacionit “Allies Welcome”.

29-vjeçari kishte paraqitur kërkesë për azil në vitin 2024. Kërkesa e shtetasit afgan ishte miratuar nga administrata Trump në prill 2025.

 

Ora 08:34
Sulmi ndaj Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, SHBA ndalojnë shqyrtimin e kërkesave të imigracionit për afganët

1764229072_fotoilustruese.JPG

Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së kanë ndaluar përpunimin e të gjitha kërkesave për imigracionin që lidhen me shtetasit afganë për një kohë të pacaktuar, pasi dy ushtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan me armë zjarri dhe u plagosën rëndë nga një afgan në Uashington. 

Presidenti Donald Trump i cilësoi të shtënat si një "akt terrori" , dhe se i dyshuari shkoi në SHBA nga Afganistani në vitin 2021. Ky veprim vjen pas thirrjes së Trump që qeveria e tij të rishqyrtojë emigrantët afganë që hynë në Shtetet e Bashkuara kur Joe Biden ishte President.

"Mbrojtja dhe siguria e atdheut tonë dhe e popullit amerikan mbetet fokusi dhe misioni ynë i vetëm", ​​thanë Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së në një postim në X.