TIRANE- Nuk mund të paguajmë faturat, po zbritemi dhunshëm nga autobusët, pasi qeveria nuk po plotëson detyrimet ligjore ndaj shtresës sonë. Ky ka qenë shqetësimi që kanë ngritur sot përfaqësues të shoqatës së të verbërve dhe të para e tetraplegjikëve në vendin tonë.

“Mazhoranca në seancën e 15 marsit ka deklaruar se ndryshimi i ligjit për këtë shtresë bëhet për të shmangur abuzimet dhe jo për të cënuar të drejtat e të verbërve e të paraplegjikëve, ndërsa duhet të percaktojë modalitetet e rimbursimit të faturës së energjisë elektrike, telefonit dhe transportit public”.- thuhet në një deklaratë për shtyp të përfaqësuesve të shoqatës së të verbërve dhe të para e tetraplegjikëve. Më tej ata shprehen se do të shtrijnë protestat e tyre në të gjithë vendin për fillimin e mosbindjes civile dhe sensibilizimin aktiv të faktorit nderkombëtar.

Për këtë arsye është mbledhur dhe Asamblesë kombëtare të shoqatave të personave me aftësi të Kufizuar, ku është vendosur:
1-Të vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e te drejtave të cënuara, duke kontaktuar me ministrin e Financave dhe atë të Punës për të insistuar mbrojtjen e të drejtave dhe më anë të vendimit të qeverisë ashtu sic kanë qënë në ligj dhe në përputhje me angazhimet politike të deklaruara në séancën e 15 Marsit në Parlament. 
2-Në rast se nuk do të ketë rezultat atëherë do të nisin protestat në të gjithë vendin. Do të bllokohen rrugët, do të lidhemi me zinxhir para institucioneve qëndrore publike, dhe cdo formë tjetër të mundshme dhe efikase.

Tjetër përpjekje per te realizuar te drejtat e tyre do të jetë edhe informimi i institucioneve ndërkombëtare për vështirësitë dhe problemet që ka kjo shtresë e shoqërisë shqiptare .