Mungesa e infrastrukturës së posaçme, aksesi i kufizuar në transportin publik, si dhe vështirësitë në arsim dhe punësim janë disa nga sfidat me të cilat përballen çdo ditë personat e verbër në vendin tonë.
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, e cila kremtoi 35 vjetorin e krijimit, përfaqëson mbi 13 mijë e 500 persona të verbër në mbarë vendin. Sipas presidentit të kësaj shoqate, Jonit Ferhati, një nga problematikat kryesore mbetet mungesa e financimeve, e cila ka sjellë edhe paralizimin e shërbimeve për këtë kategori.
“Nuk u financua që nga 2014 e këtej. Asnjë shërbim për të verburit dhe ajo qendër ka nisur të degradojë. Fatkeqësisht ne vitet e fundit shërbimet e të verbërve janë zero. Shërbimet e posaçme janë të pamundura të decentralizohen pasi kërkojnë ekspertizë, pasi janë shumë të kushtueshme, por po ashtu është e pamundur edhe ne burime njerëzore, ne resurset njerëzore, të paktën për periudhën që ne flasim. Sot jemi në 2026ën dhe shërbimet vazhdojnë të jenë zero dhe kjo do të thotë që kemi një ligj qe nuk është se çedon pak, por që është jo funksional",- thotë Ferhati.
Mungesën totale të aksesit në transport publik si dhe problematikat e theksuara në arsim dhe punësim për personat që nuk shikojnë, i theksoi edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Këto barriera tha ai e bëjnë të vështirë integrimin real në shoqëri.
"Transporti ynë publik është krejtësisht i paaksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuara.
Kemi vënë re që dhe vetë organet publike nuk e zbatojnë atë kriterin minimal 1 në 25 punonjës që ato do duhet të kenë të punësuar në strukturë urat e tyre në mënyrë që t'i japin mundësi punësimit dhe pastaj rritje ekonomike dhe infrastrukturore dhe rregullim infrastrukturor në ambientet ku ato jetojnë",- thotë Gajda.
Në vitin 1996 shoqata ka hartuar ligjin "Për Statusin e të Verbrit”, i cili vendosi bazat ligjore për trajtim dinjitoz, përfitime dhe të drejta të qarta.
Komente











