Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka sulmuar sistemin shëndetësor në vend, duke sjellë në Kuvend rastin e një 35-vjeçari që ndërroi jetë në spital.

Blushi tha se i riu Ardit Rapushi, djali i ish-oficerit të Policisë, Ilirjan Rapushi, ndërroi jetë në shkurt të vitit të kaluar. Sipas Blushit, spitali e mbajti 4 ditë të fshehur nga familja vdekjen e 35-vjeçarit. Ai vijoi më tej duke thënë se familja e të ndjerit ka 1 vit dhe ende nuk e ka marrë kartelën e vdekjes së Arditit

“Ditën e djeshme jam takuar me një ish-oficer të ndershëm të Policisë së Shtetit, zotin Ilirian Rapushi. Vitin e kaluar, në datën 21 shkurt 2025, djali i tij, i ndieri Ardit Rapushi, u shtrua për vizitë në QSUT dhe për 4 ditë me radhë familja e tij nuk lejohej të vizitonte djalin e shtruar në Spital. Katër ditë më vonë, babai, familja, marrin vesh që djali i tij kishte vdekur në spital. Pra 4 ditë, ky sistem shëndetësor mbante pa jetë trupin e pajetë të djalit të tij. Por tmerri dhe makabriteti i këtij sistemi shëndetësor nuk mbaron këtu. Ky është njeriu që ka humbur jetën, Ardit Rapushi. Dhe ka 1 vit që familja e tij ende nuk ka marrë kartelën e vdekjes. Nuk ka fund makabriteti, anti-humanizmi dhe sjellja kriminale e kujtdo drejtuesi, mjeku, përfaqësuesi të Ministrisë së Shëndetësisë që sot e kësaj dite nuk i jep përgjigje pyetjes se përse humbi jetën në spital, ku shkoi për t’u kuruar, djali i tyre i vetëm”, tha mes të tjerash Blushi.

Blushi tha gjithashtu se ende sot e kësaj dite familja e Arditit nuk ka marrë një përgjigje nga spitali për shkakun e vdekjes së 35-vjeçarit.

Teksa kërkoi nga SPAK që të nisë hetimet për këtë rast, Blushi një thirrje e kishte edhe për Ministrine e Brendshme, që ta ngrerë më shumë zërin e ish-oficerit të Policisë, që kërkon përgjigje për ndarjen nga jeta të të birit.

“Unë po kërkoj sot nga Ministria e Shëndetësisë që të japë një përgjigje të shpejtë dhe pa vonesë lutjes së një prindi, i cili është endur dhe vijon të endet dyerve të ministrisë dhe gjithë institucioneve shtetërore. Vijon të trokasë çdo ditë në spitalin Nënë Tereza dhe nuk ka një përgjigje se përse humbi jetën në spital djali i tij i vetëm. Pas një viti lutje, QSUT i jep familjes së viktimës një vërtetim, një letër Bakalli, ku nuk sqarohen arsyeja se përse i ndjeri 35 vjeç në moshën kur humbi jetën, për arsye ende të paqarta, ende të paditura, Ardit Rapushi dhe diagnoza në këtë vërtetim shkruan vetëm ‘sëmundje e rëndë’. Unë i kërkoj ndjesë familjes Rapushi, por u detyrova sot ta bëj publik këtë rast që duhet të na tronditë ne në këtë sallë. Në radhë të parë atë që paguhet për të qene titullarja e këtij sistemi. I bëj thirrje SPAK dhe organeve ligjzbatuese, i bëj thirrje Ministrisë së Brendshme t’i jepte më shumë zë këtij rasti të këtij oficeri. Shpresoj që SPAK të nisë hetimet për këtë rast”, tha mes të tjerash Blushi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia