Juristi Kreshnik Spahiu thotë se nuk është kundër protestave të dhunshme dhe i mbështet nëse udhëhiqen nga populli, e jo nga partitë politike.

Në një intervistë për "Frontline" në Report Tv, Spahiu u shpreh se PD është e paaftë ta ngrejë të gjithë popullin.

Spahiu shtoi se Chris LaCivita, i cili shërbeu si konsulent i PD në zgjedhjet e 11 majit 2205, duhet t'i kthejë paratë mbrapsht Sali Berishës, sepse ky i fundit mbeti sërish non grata dhe kryeministri Edi Rama shkoi në Uashington, në Bordin e Paqes.

“Nesër kemi një protestë. Unë kam katër argumenta për protestën, nuk jam kundër protestave të dhunshme, por kjo nuk është protestë popullore. Në gjithë botën ka protesta të dhunshme kur bën populli, në mënyrë masive. Opozita është e paaftë që të ngrejë gjithë popullin, të fusë në grevë universitetet, shkollat, bashkitë, administratat, portet, aeroportet, këtë nuk e bën dot. PD mbush disa autobusë, paguan sanduiçët që të vijnë rrugës. E treta, janë të papërgatitur edhe këta që thërrasin, përdorin dhunë fizike, jo mjete të dhunshme. Nuk shoh njerëz që përleshen me policinë me grushte, janë 20 veta me maska, që hedhin nga larg shishe me benzinë. Kjo tregon që nuk ke njerëz të përgatitur, që të jenë të gatshëm, që për urrejtjen që kanë për këtë pushtet, të përplasen dhe të sakrifikojnë. E katërta, në asnjë vend të botës, një protestë e dhunshme nuk bëhet gjatë fjalimit. Kjo është e papranueshme, kjo është dhunë e organizuar. E pesta, i bie që nesër këta t’i kërkojnë paratë mbrapsht LaCivita, paguan miliona euro për të izoluar Edi Ramën për të mos shkuar në Uashington, këtyre u ra kauza. LaCivita i bie të kthejë paratë mbrapsht", theksoi Spahiu.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:38
'Trump do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën'! Spahiu zbulon lobimin...

Juristi Kreshnik Spahiu thotë se Uashingtoni ka vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes.

Në emisionin "Frontline" në Report Tv, Spahiu u shpreh se Shqipëria dhe Kosova i kanë rezistuar presionit europian, pasi vende të BE-së zgjodhën të mos ishin të pranishëm në Uashington.

“Katër janë momentet që janë disi të padukshme. Së pari, Uashingtoni ka vlerësuar shumë që Shqipëria dhe Kosova kanë përballuar dhe rezistuar përballë presionit europian, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes, dhe pjesëmarrjes në Uashington, të kryeministrit shqiptar dhe presidentes së Kosovës për faktin sepse e konsiderojnë Shqipërinë dhe Kosovën, që të jenë pjesë e Europës. Kryesisht, BE e ka bojkotuar, kanë kërkuar që edhe Shqipëria, edhe Europa, të ndiqnin të njëjtën rrugë", theksoi ai.

Sipas Spahiut, po lobohet që presidenti amerikan, Donald Trump të vizitojë Tiranën dhe Prishtinën. 

"E dyta, ka një lobim të fortë, pas kësaj që pas vizitës së Osmanit dhe Ramës në Uashington, po lobohet shumë fuqishëm që presidenti Trump të vizitojë Tiranën dhe Prishtinën. Ekzistojnë të gjitha gjasat që së shpejti të ketë një vizitë të presidentit Trump në Shqipëri dhe Kosovë, duke e vlerësuar si kombin më proamerikan në Europë", tha juristi.

Spahiu nënvizoi se ka edhe një lobim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, teksa shtoi se fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes,  ishte i përgatitur me këshilltarë amerikanë

"Së treti, kemi të bëjmë me çështjet e lobimit, për lirimin e liderëve të UÇK, kjo është fjalim i përgatitur me këshilltarë amerikanë, për të shfrytëzuar qasje tërësisht anti liderëve të UÇK, të europianëve, që kanë inteferuar për dënimin e liderëve të UÇK dhe qasja amerikane është shumë kritike. E katërta, Shqipëria ka qenë në alternativën, ose duhet të paguante para, ose të çonte burime njerëzore. Duhet të zgjidhte mes burimeve financiare dhe burimeve njerëzore. Mendoj që është zgjidhja më e duhur. Është e arsyeshme që Shqipëria të marrë pjesë me trupa në Gaza", përfundoi Spahiu.