Ushtria e Iranit po rivendos kufizimet në kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për “shkelje të përsëritura të besimit” në marrëveshjen mes dy palëve.
Të premten, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi shkroi në X se Ngushtica ishte e hapur për lundrimin, por brenda disa orësh mediat shtetërore iraniane konfirmuan “mbikëqyrjen e plotë të forcave të armatosura iraniane mbi kalimin e anijeve, dhe një kalim i tillë konsiderohet i pavlefshëm nëse vazhdon bllokada e supozuar detare”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se një bllokadë detare ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje e plotë me Teheranin. Nuk është e qartë kur dhe ku mund të takohen përsëri dy palët, pas dështimit të raundit të parë të bisedimeve në Islamabad fundjavën e kaluar.
Një zëdhënës ushtarak iranian tha se Teherani ka lejuar “një numër të kufizuar anijesh nafte dhe tregtare” të kalojnë përmes Ngushticës.
“Por fatkeqësisht, amerikanët, me shkeljet e tyre të përsëritura të besimit që janë pjesë e historikut të tyre, vazhdojnë të angazhohen në pirateri dhe grabitje detare nën të ashtuquajturën bllokadë,” tha zëdhënësi, sipas Fars.
Kontrolli i Ngushticës do të jetë sërish “nën menaxhimin dhe kontrollin e rreptë të forcave të armatosura”, derisa SHBA t’i japë fund bllokadës ndaj anijeve që dalin dhe hyjnë në portet iraniane, tha ai.
Trump tha më herët se negociatat me Iranin për një armëpushim të qëndrueshëm do të vazhdojnë gjatë fundjavës, por ka paralajmëruar se nuk do të ketë zgjatje të tij nëse nuk arrihet një marrëveshje deri të mërkurën. Por, vlen të theksohet se nuk ka një njoftim të qartë se kur do të mbahen negociatat e ardhshme. Trump gjithashtu u shpreh se ka pasur disa “lajme mjaft të mira” lidhur me Iranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Veç shkeljes së marrëveshjes për Hormuzin, Irani ka kundërshtuar deklaratën e Trumpit se Teherani do t’u dorëzojë SHBA-ve uraniumin e pasuruar. Irani e ka quajtur si “pikë të panegociueshme” dhe ka refuzuar edhe ndalimin e pasurimit të uraniumit.
Lajm në përditësim...

Harta e qarkullimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit
Anijet duket se po lëvizin nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas të dhënave nga faqja e gjurmimit MarineTraffic.
Disa mjete lundruese, të cilat sipas faqes përfshijnë anije të projektuara për transportimin e naftës, gazit të lëngshëm të naftës dhe kimikateve, mund të shihen duke kaluar nëpër këtë korridor detar kyç.
Kjo është lëvizja e parë e madhe e anijeve në këtë rrugëkalim kyç që nga nisja e luftës së SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit shtatë javë më parë.
Sipas të dhënave të MarineTraffic, ato po kalonin në ujërat iraniane në jug të ishullit Larak, ndërsa më shumë anije të tjera cisternë po i ndiqnin nga Gjiri Persik.
Komente










