Vdekja tragjike e Gëzim Tarajt ka tronditur pjesëtarët e familjes, të cilët ende nuk mund ta besojnë ndarjen e tij nga jeta. Në hyrjen e pallatit qëndronin kolegë dhe miq të kapterit Tarajt, të cilët kishin ardhur për të shprehur ngushëllimet e tyre dhe për ti dhënë kurajo bashkëshortes së 49-vjeçrit. Me zërin që i dridhet njëra prej kolegeve të Gëzim Tarajt tregon se e njoftuan me urgjencë për të ardhur në varrim, pasi kishin qenë pushim. Ndërsa thotë se nuk mund ta besojë atë çka ka bërë Gëzim Taraj. "Ishte një ndër kolegët e mi më të mirë, nuk e di sesi e bëri këtë gjë. E kam njohur si një person të mrekullueshëm, fjalë ëmbel dhe i dashur. Se kuptoj pse duhet të vetëvritej.

Unë tani e morra vesh se më dhanë lajmin dhe erdha me vrap, nuk di çfarë të them". Ndërkohë që përgatiten për ti dhënë lamtumirën e fundit Tarajt, e ëma e tij nuk pranon të ndahet nga arkivoli që mban trupin e djalit. Me lot në sy dhe me ulërima ajo kërkon që të shoh edhe një herë djalin e saj të shtrenjtë, i cili i dha fund jetës pasditen e së mërkurës. Të afërm mbanin fort bashkëshorten e Gëzim Tarajt, e cila duket e shokuar dhe nuk arrin të nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Në banesën e të ndjerit Tarajt ndodhen vetëm disa kushërij dhe e vjehrra, e cila me zë që i dridhet thotë se nuk e prisnin dhe shpresonin që të mos ishte i vërtetë lajmi i vdekjes.

"Nuk e prisnim kur na njoftuam dhe shpresonim shumë që të ishte shaka dhe jo e vërtetë. Nuk kam fjalë për të përshkruar këtë ngjarje kaq të rëndë për familjen tonë". Më tej tregon se Gëzim Taraj ka qenë një dhëndërr i mrekullueshëm dhe mbi të gjitha një person me shumë vlera, të cilin e respektonin të gjithë kolegët dhe shokët. "Në mëngjes para se të nisej për punë Gëzimi kishte puthur në ballë fëmijët. Nga dreka vajza e kishte marrë në celular për ti thënë që të vinte në shtëpi për drekë, madje kishte gatur përshesh me pulë. Kjo ishte gjella e tij e preferuar. Gëzimi i kishte thënë që do vinte dhe më pas i kishte lënë amanet fëmijët. Këto kanë qenë fjalët e fundit të Gëzimit. Vajza u alarmua dhe bërtiti dhe i tha djalit që ta kërkonte. Ai kishte vajtur te ministria, se kishte lënë njeri brenda. Ka qenë një kushëri, oficer që gjeti zyrën e Gëzimit dhe u zvarrit te dritarja. Kur e sollën trupin në shtëpi nuk na lejuan që ta preknim, pasi ishte rrezik që ti shpërthente hemorragjia. Nuk e di ku e gjeti këtë kurajo që ta bënte këtë veprim", tregon vjehrra e të ndjerit. Ndërsa shton se para 8 muajsh Gëzimit i vdiq babai i tij, me të cilin ishte shumë i lidhur, mesa duket vdekja e babait ka lënë shenja tek Gëzimi dhe ka ndikuar. "Nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte se kishte probleme.

Gëzimi ishte tip i qetë dhe i dashur, por ishte pak i mbyllur në vetvete. Nuk e besojmë dot që të ketë bërë këtë veprim dhe më vjen shumë keq kur dëgjoj në media fjalën depresion. Njerëzit kanë edhe halle dhe probleme të shumta dhe këta gjejnë si pretekst depresionin", reagon kushërira e të ndjerit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth pasdites së ditës së mërkurë, kur Gëzim Taraj i jep fund jetës. Dyshimet e para janë se është vrarë me armën e kolegut të tij, të cilën e ka gjetur në sirtarin e tavolinës. Mësohet se telefonatën e fundit me bashkëshorten Taraj e ka bërë nga dreka, kur i ka lënë amanet fëmijët. Ndërsa nga dëshmitë e të afërmve ka qenë shumë e vështirë që ta gjenin, pasi në ato momente po zhvillohej dhe parada dhe kishte shumë zhurmë. Nga informacionet e para mësohet se Taraj i ka dhënë fund jetës në momentet që po zhvillohej parada e ushtrisë. Kur është gjetur në zyrë nga kushëriri ka qenë vetëm televizori i ndezur dhe asnjë person tjetër në institucion. Trupi është sjellë në shtëpi pas ekspertimit dhe asnjë nga familjarët nuk është lejuar që ti afrohet.

(ad.ti/shqiptarja.com)