KIEV - Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko është shprehur e gatshme të marrë armët dhe të vrasë rusët si dhe të lëshojë bombën bërthamore për t’i zhdukur si komb.
 
Këto fjalë erdhën gjatë një telefonate të përgjuar me ish-zv. Sekretarin e Sigurisë Kombëtare të Ukrainës Nestor Shufriç, e cila është hedhur në Youtube gjatë ditës së hënë.
 
Në telefonatë mund të dëgjohet Timoshenko teksa thotë se populli ukrainas duhet të ngrejë armët dhe të vrasë rusët e mallkuar së bashku me liderin e tyre, duke iu referuar presidentit Putin. Vetë Timoshenko me anë të një postimi në rrjetin social Tëitter pranoi vërtetësinë e kësaj telefonate si dhe kërkoi falje për fjalorin e përdorur.
 
Sipas saj, Rusia nuk do t’a kishte aneksuar kurrë Krimenë nëse ajo do të ishte kryeministre e vendit dhe shtoi se megjithëse Ukraina nuk kishte fuqi për t’u përballur me Rusië, ajo do të gjente një mënyrë për t’i shfarosur rusët si komb.
 
Ndërkohë zyra e Shufriç nuk e pranoi vërtetësinë e telefonatës duke thënë se bëhej fjalë për një montim.
 
Telefonata mes Timoshenkos dhe Shufriç daton më 18 mars, vetëm disa orë pasi Krimea u bë zyrtarisht pjesë e Rusisë.
 
Por ky nuk është telefonata e parë e përgjuar që prej fillimit të protestave në Ukrainë në muajin nëntor të vitit të kaluar. Në 5 mars të 2014-s po në Youtube është postuar një përgjim telefonik mes ministrit të jashtëm të Estonisë, Urmas Paet dhe Përfaqësueses së Lartë të BE për Politkë të Jashtme dhe Siguri Catherin Ashton.
 
Në telefonatë Paet i konfirmon Ashton se snajperët në Kiev, të cilët qëlluan mbi protestuesit dhe policët ishin punësuar nga liderët e opozitës. Vetë ministri i jashtëm estonez pranoi vërtetësinë e këtij përgjimi telefonik.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)