Arjan Bejtja, shef i Regjimit të Brendshëm në burgun e Shënkollit në Lezhë, u nda nga jeta tre ditë më parë në një aksident rrugor. AI ndërroi jetë në autostradën Lezhë-Laç ku u përplas me dy automjete të tjera, pranë fshatit Spiten. Tre ditë më pas nga ky aksident tragjik, Report Televizion mëson se shefi Bejtja, kishte marrë një telefonatë urgjente nga burgu i Shënkollit. Gjashtë punonjës të policisë të burgut kishin tentuar të fusnin drogë për të dënuarit. Me shpejtësi është nisur në orët e mbrëmjes për të mbërritur drejt Shënkollit, por udhëtimi i tij është ndëprerë në mes. Nxitimi për të mbërritur sa më shpejt në burg ku punonjësit thuhej se ishin përfshirë në një shkelje të rëndë, i mori jetën babait të dy fëmijëve.
Tre ditë më pas, Report Tv zbulon se rasti i abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të burgut, është zbuluar dy ditë më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ndërsa emrat e punonjësve të pezulluar nga detyra ende nuk bëhen të ditur.
Report Tv, mëson se punonjësit kanë tentuar të fusin drogën për të dënuarit, duke e fshehur brenda ushqimit. Ende nuk dihet sasia e lëndës narkotike dhe lloji i saj, por në lidhje me rastin kanë nisur hetimet. Punonjësit e pezulluar nga detyra kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni se brenda ushqimit për të dënuarit kishte drogë, por ka dyshime se vetë se ata janë të implikuar në këtë rast.
Po ashtu pritet të mësohet se nga e kanë marrë drogën efektivët e policisë së burgut, dhe për cilin të dënuar ishte lënda narkotike. Deri në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti 6 punonjësit do të qëndrojnë të pezulluar nga puna.