Telegrami i panjohur i Nexhmije Hoxhës për Nelson Mandelën, pas lirimit nga burgu

Telegrami i panjohur i Nexhmije Hoxhës për Nelson Mandelën, pas lirimit nga burgu

Nelson Mandela dhe Nexhmije Hoxha

Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket muajit shkurt të vitit 1990, ku ndodhet një telegram urimi i Nexhmije Hoxhës, e cila asokohe në funksionin e Kryetarit të Frontit Demokratik të Republikës Popullore të Shqipërisë, i’a dërgonte  Nelson Mandela’s, liderit me ngjyrë të lëvizjes dhe luftës për liri e të drejta të barabarta në Afrikën e Jugut, që sapo ishte liruar nga burgu me dekret të veçantë të Presidentit të Afrikës së Jugut, Fredrik De Klerk, pasi kishte vuajtur 34 vite, nga dënimi me burg të përjetshëm. Telegrami i plotë i Nexhmije Hoxhës dërguar liderit afrikano-jugor me ngjyrë, që u bë simbol i qëndresës dhe luftës kundër politikës së aparteidit, i cili nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, i’u dërgua ambasadës shqiptare në Dar Es Salaam, me shënimin për t’i gjetur adresën Nelson Mandela’s, pasi Tirana zyrtare, nuk dinte se ku t’a dërgonte telegramin…

Nga Dashnor Kaloçi

Në shkurt të vitit 1990, pas një qëndrimi prej 34 vjetësh në burgjet e regjimit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, lideri me ngjyrë i lëvizjes dhe luftës për liri e të drejta të barabarta ndaj shtypjes racore që u bëhej bashkëkombëseve të tij, u lirua nga burgu, gjë e cila ndodhi edhe pas një presioni të madh ndërkombëtar, kur “qeveria e bardhë” e presidentit Frederik de Klerk, legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.

Para se të ndodhte kjo, në vitin 1985, Mandelës i ishte ofruar lirimi me kusht që të mos angazhohej më në rezistencën e armatosur, “ofertë” të cilën ai nuk e pranoi dhe vazhdoi të qëndronte në izolim.

Lirimi i Mandelës nga burgjet i cili u prit si hero nga mbështetësit e tij, pati një jehonë të madhe ndërkombëtare, pasi ai falë dhe karizmës së tij, cilësohej si simbol njeriut të guximshëm që luftonte për liri dhe të drejta të barabarta.

Por edhe pse i’u mohua liria për gati tre dekada me rradhë, duhet thënë se Mandelës i ishte dhënë jo vetëm e drejta e shkollimit, (fakulteti i Drejtësisë në Johanesburg), por edhe më pas, ai kishte marrë licencën dhe ushtronte profesionin e avokatit në një studio ligjore në kryeqytetin, Johanesburg, së bashku me kolegun e mikun e tij, Oliver Tambo. Studio të cilën ai më shumë e përdorte për mbledhjet e organizatës që ai udhëhiqte dhe gjithashtu për organizimin e sulmeve të armatosura ndaj objekteve qeveritare?!

Gjithsesi lirimi nga burgu i Mandelës siç theksuam pak më lart, pati një jehonë të madhe, gjë cila nuk mund të mos kalonte në heshtje dhe në Shqipërinë komuniste, pasi prej vitesh Tirana zyrtare e kishte shpallur regjimin afrikano-jugor si një nga armiqtë më të mëdhej të saj, pas SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit?!

Në këtë kontekst, në atë kohë edhe Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit komunist që drejtonte “de facto” Shqipërinë, nuk mungoi që t’i dërgonte një telegram urimi Nelson Mandelës, gjë e cila e parë në optikën e sotme, tingëllon dhe është një hipokrizi e padëgjuar më parë?!

Themi kështu, pasi në atë kohë, (viti 1990), në burgjet e regjimit të Shqipërisë komuniste kishte disa “Mandela”, që vuanin si të dënuar të ndërgjegjes prej disa dekadash, si p.sh.: Sami Dangëllia (43 vjet, vdiq në burg), Osman Kazazi (42 vjet burg), Petrit Velaj (38 vjet burg), Ilia Tereska, (34 vjet burg), Mersin Vlashi (33 vjet burg), Preng Gjonmarkaj (30 vjet burg), Pjetër Arbnori (28 vjet burg), Adem Allçi (27 vjet burg), etj., etj. Dhe burgu që ata po vuanin akoma në atë kohë që “shoqja Nexhmije” i uronte lirimin Mandelës, ishte me kushte tejet ç’njerzore, të zhveshur e të zbathur e me një ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë dhe në kufijtë e mbijetesës.

Për të mos thënë për të drejta dhe liri njerëzore, gjë të cilat duhet thënë se nuk i mungonin Nelson Mandelës, pa diskutuar trajtimin në izolim me kushte shumë të mira, si televizor dhe ushqimi deri me mish fazani….! Dhe të gjitha këto ndodhnin në regjimin afrikano-jugor të Presidentit de Klerk, i cili disa vjet më vonë së bashku me Mandelën. mori çmimin Nobel për Paqen?!

Por pa u zgjatur në krahasimet në mes trajtimit të Mandelës së Afrikës së Jugut dhe “Mandelave shqiptarë”, pasi thuhet se: “gjithkujt i mjaftojnë vuajtje e tij”, përveç hipokrizisë së “shoqes Nexhmije”, ajo që bie në sy telegramin e saj dërguar Mandelës, është cilësimi që ajo i bën atij dhe adresa ku është dërguar telegrami (ambasada shqiptare në Dar Es Salaam)?!

Pasi siç duket dhe nga telegrami në fjalë (shiko faksimilet përkatëse), ajo e quan Mandelën, “liderin e popullit Azanian”, (emri i vjetër që nga koha e Greqisë së lashtë i Afrikës së Jugut), dhe jo Afrikës së Jugut, lider i së cilës ishte në fakt Mandela, shtet të cilit ajo nuk ja përmendëte dot as emrin?!

Telegrami i Nexhmije Hoxhës dërguar Nelson Mandelës

TELEGRAM

ZOTIT

NELSON MANDELA

Me kënaqësi të veçantë mësuam lirimin Tuaj nga vuajtjet dhe mundimet e shumta dhe të gjata në burgjet e regjimit të Pretorias.

Kjo na jep rastin e shumëpritur që t’ju shprehur urimet më të mira dhe përshëndetjet më të ngrohta vëllazërore të Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe të mijat personale.

Populli Azanian për një kohë të gjatë ka luftuar heroikisht për realizimin e aspiratave të tj të larta, të lirisë, barazisë dhe demokracisë, kundër forcave të errëta e të egra raciste dhe politikës së tyre të aparteidit.

Ai mund të jetë krenar që ka nxjerrë nga gjiri i tij një udhëheqës të tillë siç jeni Ju, që, me qëndrimin e vendosur ndaj kauzës së të drejtave kombëtare u bë një shembull i madh frymëzimi.

Populli ynë ka shprehur dhe do të shprehë gjithë solidaritetin me përpjekjet e gjithë anëshme të popullit Azanian për shembjen e sistemit të aparteidit me bindjen e plotë se lufta e tij do të vazhdojë dhe do të kurorëzohet me fitore, dhe të vendosë paqen dhe demokracinë e vërtetë, si të drejtat e tij të pamohueshme, në rrugën e përparimit shoqëror.

Në emër të mbarë popullit shqiptar Ju shprehim ndjenjat tona më të thella të simpatisë, ndaj Jush dhe ndaj popullit azanian. Ju urojmë suksese të mëtejshme në luftë për krijimin e një shoqërie të barazisë, lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

Nexhmije Hoxha

Tiranë, më 15.2.1990

Kryetare e Këshillit të Përgjithshëm të

FRONTIT DEMOKRATIK TE SHQIPERISE

Telegrami i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për ambasadën shqiptare në Dar Es Salaam

TELEGRAM

Ambasadës: DAR ES SALAM

Merrni takim me përfaqësues të Kongresit Kombëtar Azanian (ANC) dhe saktësoni me të adresën e Nelson Mandelës, pasi nuk dimë ku t’i drejtojmë telegramet e urimit.

Presim urgjentisht.

Tiranë, më 15 2.1990, Min. Jashtme.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë