Rusia ka ngritur akuza për terrorizëm ndaj themeluesit të Telegram, Pavel Durov, duke pretenduar se platforma e tij është përdorur nga shërbimet sekrete ukrainase për të rekrutuar persona për sulme brenda vendit. 

Sipas Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe Komitetit Hetimor rus, një chatbot i njohur në Telegram, "Daivinchik/Leo", është përdorur nga shërbimet ukrainase për të kontaktuar të rinj rusë. Sipas autoriteteve, persona që paraqiteshin si vajza të reja krijonin kontakte me përdoruesit dhe më pas i bindnin ose i detyronin të kryenin akte sabotimi dhe sulme ndaj policisë, si edhe ndaj infrastrukturës së transportit, energjisë, komunikimeve dhe sektorit financiar.

FSB pretendon se gjatë vitit të fundit janë arrestuar 46 shtetas rusë, të moshës nga 12 deri në 22 vjeç, të cilët dyshohet se janë rekrutuar në këtë mënyrë. Ukraina nuk ka bërë asnjë koment të menjëhershëm për këto akuza.  Autoritetet ruse thanë gjithashtu se Durov do të shpallet në kërkim ndërkombëtar, por nuk dhanë detaje se çfarë procedure do të ndiqet. Nga ana tjetër, Interpol nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Reagimi i Telegram erdhi pak minuta pas njoftimit të Moskës. Llogaria zyrtare e kompanisë në rrjetin X publikoi një foto të Pavel Durovit duke ngritur gishtin e mesit, pa dhënë shpjegime të tjera. Përplasja mes Durovit dhe autoriteteve ruse nuk është e re. Ai themeloi rrjetin social rus VKontakte, por në vitin 2014 shiti aksionet e mbetura dhe u largua nga Rusia, mes presionit të autoriteteve.

Edhe më herët, një gazetë shtetërore ruse raportoi se Durov ishte nën hetim në një çështje të lidhur me terrorizmin. Në prill të këtij viti, vetë Durov bëri të ditur se një fletëthirrje në emër të "të dyshuarit P.V. Durov" ishte dërguar në apartamentin ku ai kishte jetuar rreth 20 vite më parë në Rusi.

"Ndoshta më dyshojnë se mbroj nenet 29 dhe 23 të Kushtetutës ruse, që garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e korrespondencës private. Jam krenar që jam fajtor", shkroi ai në Telegram.

Durov jeton në Dubai dhe mban shtetësi franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe. Vitin e kaluar ai u arrestua në Francë për akuza se Telegram nuk kishte bërë mjaftueshëm për të luftuar aktivitetin kriminal në platformë dhe nuk kishte bashkëpunuar sa duhet me autoritetet. Më pas u lejua të largohej nga Franca, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Themeluesi i Telegram i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar vazhdimisht se platforma ka tejkaluar detyrimet e saj në moderimin e përmbajtjes dhe bashkëpunimin me autoritetet për luftën kundër krimit.