Zbardhet Shqipëria, temperatura të ulëta e reshje dëbore, bllokohen fshatra malorë! Korça, Llogaraja e Thethi 'veshin' mantelin e bardhë! Rruga e Arbrit e kalueshme me zinxhirë

Me një “vello” të bardhë është zgjuar mëngjesin e sotëm Shqipëria, nga Thethi, Peshkopi, Llogara, Korçë, Dardhë. Ndërsa fshatrat malorë në Kukës, Dibër dhe Korçë janë bllokuar nga dëbora.

Gjatë natës dhe orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë “pushtuar” qytetin e Peshkopisë, ndërkohë që ato kanë dominuar në të gjithë qarkun e Dibrës, ku trashësia ka arritur deri në 5 cm, por fatmirësisht pa problematika. Edhe Llogaraja dhe Dardha kanë 'veshur' mantelin e bardhë, ndërsa akset kryesore janë të lira dhe pa problematika, ku borëpastrueset kanë punuar gjatë gjithë kohës.

Edhe me reshjet e shiut në vend sot kanë një intensitet më të ulët, duke mos shkaktuar probleme të mëdha, ndërsa në disa fshatra në të gjithë vendin ka mungesë të energjisë elektrike. Edhe në Pukë reshjet e dëborës, kanë “veshur” rrugët, por pa u bërë problematike për kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.

ARRSH bën të ditur se kontraktorët kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete borëpastruese dhe punëtorë për pastrimin e rrugës nga bora, shpërndarjen e kripës dhe nga materialet inerte ne ato segmente ku kanë vijuar reshjet e shiut

Akset rrugore nacionale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme. ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore në zonat malore.

vijon...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:36
Moti i keq, ministrja e Bujqësisë: Situata në qarqe pritet të normalizohet

1638297659_shkoder.jpg

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë me dije përditësimin mbi situatën sipas qarqeve ndërsa shprehet se situata paraqitet të vijë drejt normalizimit.

Gjëndja në të tre hidrovorët e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Durrës, paraqitet e mirë dhe pompat janë në punë me kapacitet të plotë. Niveli i ujit ka pësuar tërheqje. Në Hidrovorët Hamallaj dhe Synej, niveli i ujit është 45 cm, teksa në Greth është 30 cm, pra në nivele të ulëta.

Në Fier, situata e niveleve të ujit në lumenj po shkon drejt përmirësimit. Vazhdon ulja e niveleve të ujit në lumenjtë Vjosa, Shkumbin, Seman, Pavlla, Kalasa, Drinos dhe Shushica, niveli i  cilëve ka pothuaj 24 orë që është brenda shtratit. Gjendja elektro-mekanike ne hidrovorët Terbuf, Karavasta, Divjakë, Povelçe, Seman, Akerni, Orikum, Çukë e Butrint është në gatishmëri të plotë.

Qarku Korçë vijon pa reshje, me temperatura të ulëta nën 0 gradë. Fusha e Maliqit pa asnjë pasqyrë uji deri në këto momente. Hidrovori Tushemisht, aktualisht nuk po punon, pasi niveli i ujit është në minimum.

Në qarkun Berat, janë ndalur reshjet që prej mesditës. Hidrovori Konisbaltës nuk është në punë, pasi kuotat janë në minimum dhe nuk paraqitet asnjë problematikë.

Qarku Elbasan që prej mesditës vijon pa reshje. Niveli i Shkumbinit në hidrometri tregon një rënie me 50 cm nga piku i djeshëm. Situata tashmë është e qetë dhe joproblematike, duke shkuar në normalizim në të tre qarqet.

Situata në qarqet Lezhë, Shkodër e Kukës është pa probleme e po shkon drejt normalizimit. 

“Vijojmë të jemi në monitorim e në gatishmëri të plotë me të gjitha strukturat, për çdo eventualitet. Situata në qarqe paraqitet të vijë drejt normalizimit.”, shprehet Ministrja Krifca.

Ora 19:22
Moti i keq, kreu i emergjencave civile për Report Tv: Situata nën kontroll, rrugët nacionale të kalueshme, problem akset rurale

Kreu i Emergjenca Civilie, Haki Çako tha për Report Tv në Studio Live se të gjitha rrugët janë të kalueshme pavarësisht motit të keq. Çako tha se problematika janë hasur vetëm në rrugët rurale.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Covili ndjek hap pas hapi gjithë situatën.  Tashmë situata është nën kontroll, me përjashtim të dy tre akseve të vogla rurale, Bogë-Theth, Arrëz në Peshkoi dhe Lurë, pjesa tjetër është e kalueshme. Pothuajse të gjithë rrugët nacionale janë të kalueshme, ruralet në lartësi apo zona të thella malore janë pjesë e një investimi që duhet ti bëjnë njësitë e pushtetit vendor, por edhe strukturat dhe institucionet qendrore me kapacitete të tjera të përcaktuara në rastet kur ato kërkojnë ndihmë...”, tha Çako për Report TV.

Ora 14:52
Valbona mbulohet nga dëbora, turistët e surprizuar luajnë me të

Valbona mbulohet nga dëbora. Ahet, pishat dhe shtëpitë prej druri mbajnë përsipër 'vellon' e bardhë, ndërsa dimri është ulur këmbëkryq. Turistët e shumtë që ndodhshin ën Valbonë u ka ardhur e papritur reshjet e dëborës duke dalë dhe luajtur me to.

Valbona në çdo stinë ka bukurinë e vet çka e bën të veçante nga zonat e tjera turistike.

Ora 13:28
VIDEOLAJM/ Dëbora krijon probleme në Qafë Thorë-Theth, furgoni ngec në rrugë, bllokohen turistët

Në aksin rrugor Qafë Thore-Theth janë krijuar dhe problematikat e para për shkak të reshjeve të dëborës. Mjetet ecin me vështirësi për shkak të prezencës së borës dhe ngricave në rrugë, ndërsa një furgon ka ngecur në rrugë duke mos lëvizur dot dhe bllokuar qarkullimin.

Dhjetëra vizitorë vendas e turistë të huaj që kanë kaluar fundjavën në Theth, sot, kanë mbetur të bllokuar si pasojë e borës së rënë dhe automjeteve të papërshtatshme për qarkullim në rrugë malore!

Pas disa orë përpjekjesh të Rojes Mjedisore të Thethit dhe banorëve të zonës është bërë e mundur kalimi i të gjithë udhëtarëve!

Ora 13:10
OSSH njofton situatën në rrugët e vendit: Ka përmirësim në 80% të rrugëve të vendit, dy qarqet ende problematike

Në 80% të territorit të vendit, situata e krijuar nga moti i keq është drejt përmirësimit.  Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH) ka njoftuar se në shumicën e vendeve që ishin krijuar probleme për shkak të motit të keq situata tashmë është përmirësuar.

Probleme janë shfaqur në zonat rurale, të cilat furnizohen me rrjet ajror dhe gjatësi dhjetëra km. Afro 95% e defekteve janë shfaqur në fshatra, zona të thella, ku me rënien e dëborës dhe shpejtësinë e erës deri në 150 km, kanë sjelle defekte në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët.

Nga raportimi i orës 12:00 rezulton se kemi përmirësim në të gjitha rajonet e vendit, në masën 80% dhe rikuperim të defekteve brenda 2 orësh me normalizimin e motit.

Problem mbeten rajoni i Dibrës ku në disa zona dëbora arrin 60 cm dhe në Vlore prej stuhisë me erë të fortë, etj. Brigadat e OSSH ndodhen në gatishmëri të plotë prej më shumë se 3 ditësh, dhe puna është organizuar duke përforcuar zonat e caktuara me stafe shtesë dhe bazë materiale.

Ora 13:07
FOTO/ Qiell, dëborë dhe male, pamjet piktoreske nga Lëpusha

Lëpusha është një destinacion që mahnit në çdo sezon të vitit me ajrin e pastër dhe pamjet piktoreske.

Sot ajo është gdhirë e mbuluar nga bora ku trashësia e saj arrin disa centimetra, ndërsa pamjet thjeshtë të lënë pa fjalë.

Gjithçka që shikon sot në Lëpushë janë qielli, mali dhe bardhësia e dëborës.

Ora 11:55
FOTOGALERI/ Kartolinë nga Puka, mjellmat notojnë në liqenin e rrethuar nga dëbora! Pamje relaksuese që qetësojnë shpirtin

Bora së bashku me problematikat që sjell ofron dhe një pamje magjike. Manteli i bardhë është shtruar edhe në Pukë, ku foto që sjellë Shqiptarja.com nga qyteti janë sa të mrekullueshme aq edhe qetësuese për syrin dhe mendjen.

Liqeni i zbardhur nga dëbora dhe mjellmat që notojnë në të, pemë e shtëpi druri që të japin pamjen e një kartoline.

 

Ora 11:22
Reshje bore në Rrugën e Arbrit, e kalueshme vetëm me zinxhirë

Reshje e dëborës vijojnë të bien në rrugën e Arbit e cila u hap ditën e djeshme për qarkullimin e mjeteve. Rruga është e kalueshme vetëm me zinxhirë dhe goma dimri, ndërsa aksi pastrohet vazhdimisht nga borëpastrueset.

By passi në Qafën e Murrizit kalohet me zinxhirë. Patrulla të policisë rrugore janë stacionuar dhe nuk lejojnë asnjë mjet të kalojë pa zinxhirë në këtë segment rrugor për t'u bërë më pas shkas për bllokimin e rrugës. Një natë më parë në këtë segment u bllokuan 100 automjete

Ora 10:27
Reshje dëbore dhe erëra të forta, bllokohen disa rrugë fshatrash në Elbasan, pa energji elektrike disa të tjera

Shira të rrëmbyer, reshje dëbore dhe erëra të forta kanë shoqëruar natën në qarkun e Elbasanit, duke bërë që inserte gurësh të bllokojnë disa akse rrugore nacionale e rurale.

Gjate natës është bllokuar me intervale kohe nga inertet aksi Elbasan-Rrogizhine segmenti Paper-Paulesh. Ne akset nacionale Elb-Qafthane ne Qafthane dhe Librazhd-Sterbleve në Sterbleve ka prezencë dëbore në rruge, 5 deri 6 cm.

Ne Bashkinë Geamsh në NJA Poroçan është i bllokuar fshati Gjere e Holtas si dhe vështirësi për në qendër të Porocanit, pasi ka ardhur shumë përroi i Licaj. Në Nj.A Kushovë është bllokuar fshati Kërpicë. Në Nj.A Pishaj është shembur pasarela e fshatit Liras. Vështirësi për kalim ka Bicaj, Posnovisht, Kishte.

Aktualisht nuk paraqet probleme Lumi Shkumbin dhe Përroi i Gurrës në Bashkinë Elbasan. Furnizimi me energji elektrike paraqet probleme në Nj.A Labinot Mal Bashkia Elbasan, Nj.A Orenje Bashkia Librazhd, Nj.A Perparim Bashkia Peqin.

Ora 10:08
Dëbora 'vesh' malet e Kukësit, Rruga e Kombit e lirë për qarkullimin e mjeteve

Dëbora ka mbuluar qarkun e Kukësit, pro akset nacionale janë të lira për kalim. Edhe rruga e Kombit dhe Tuneli i Kalimashit janë të lira, ku borëpastrueset kanë pastruar aksin dhe kanë hedhur kripë për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve.

Lëvizja në këtë aks bëhet pa problem, ndërsa borëpastrueset janë në gatishmëri për të pasur nën kontroll çdo situatë që mund të krijohet nga moti i keq.

Ora 09:34
Dëbora shkon deri në 15 cm në Kukës, bllokohen disa rrugë që lidhin fshatrat

Reshjet e dëborës po vazhdojnë në të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit, ku lartësia e në Shishtavec ka shkuar 15 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prush të Hasit 10 cm.

Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të qarkullueshme, ndërsa rruga që lidh Nj.Ad Arrën bashkia Kukës me rrugën nacionale është bllokuar.              

Rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, ndërsa puna për nga kontraktorët vazhdon gjatë gjithë  kohës për pastrimin e borës, largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.                                

Gjendja e rezervuarëve është nën monitorim në të gjithë Qarkun. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe ai i energjisë është normal në shkallë Qarku, ndërsa asnjë problematikë emergjente nuk është raportuar.

Ora 09:16
Korça gati për turizmin ‘e bardhë’, bllokohet Panariti

Reshjet e borës kanë vijuar gjatë gjithë natës në qarkun juglindor të Korçës, duke bllokuar lëvizjen e panorëve dhe automjeteve në fshatin Panariti, pasi ka arritur deri në 40 cm.

Nga informacionet e deri më tanishme, mësohet se trashësia në Dardhë ka arritur në 30 cm, prej km të 7 e në vazhdim, ndërsa qarkullimi i makinave bëhet vetëm përmes zinxhirëve.

Në Voskopojë, bora ka shkuar deri në 10 cm. Mbrëmjen e djeshme 4 mjete janë bllokuar në afërsi të Voskopojës por ndërhyrja e borëpastrueses dhe ndihma e qytetarëve me mjete të larta kanë hapur qarkullimin. Të gjitha akset nacionale janë të hapura e të qarkullueshme pa probleme.

 

Ora 09:07
Dëborë ‘mbulon’ Krujën, trashësia në disa zona shkon mbi 5 cm

Malësia e Krujës është “mbuluar” nga dëbora. Reshjet që kanë rënë gjatë natës kanë bërë që niveli i dëborës në disa zona të shkojë mbi 5 cm.

Dëborë ka pasur edhe në malin e Krujës ku trashësia e tyre është e papërfillshme. Fatmirësisht deri më tani asnjë problematik për sa i përket kalimit të qytetarëve dhe makinave nuk është raportuar.

Ora 08:58
Temperatura të ulëta dhe reshje dëbora, zbardhet Puka

Puka është zbardhur nga reshjet e dëborës! Sipas të dhënave nga bashkia, nuk ka rrugë të bllokuara për momentin. Apel i është bërë drejtuesve të mjeteve që të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët në akset më problematike, në mënyrë që të shmangen aksidentet.

Ora 08:31
Ndalojnë reshjet, ulen edhe më shumë temperaturat, Llogaraja zgjohet nen petkut e dëborës

Nën petkun e dëborës është zgjuar fshati turistik Llogara, për shkak të temperaturave të ulëta. Rrugët janë të kalueshme pasi dy borëpastruese kanë punuar për hapjen e tyre. Ndërkohë prej dy ditësh defektet  e linjat e tensionit kanë bërë që fshati Llogara të jetë pa energji elektrike.

Niveli i Vjosës ka vajtur në 6.10 metra mbi nivelin e detit , ndërkohë që maksimalen e arriti mbrëmë e djeshme pas mesnate në kuotat 6:70 cm duke përmbytur pjesën e tregut të gjësë së gjallë.

Sipas shtabit te emergjencave risku për banesat është kur niveli i Vjosës kalon kuotat 7:30 mbi nivelin e detit. Nëse do të këtë reshje në zonën e Përmetit dhe Tepelenës do të ketë serish fryrje të lumit Vjose

Ora 07:58
Pas reshjeve të shiut, Lezha përfshihet nga reshjet e dëborës

Krahas reshjeve te shiut, rajoni i Lezhës është përfshirë dhe nga reshje dëbore. Dëbora ka zbardhur malet edhe në zonat e ulëta. Sipas raportimeve në njësinë administrative Ungrej, trashësia ka arritur deri në 20 cm, por deri tani nuk raportohet për problematika. Situata po mbahen nën monitorim të vazhdueshme.

Ora 07:42
Dibra zbardhet nga dëbora, trashësia në zonat malorë arrin deri në 20 cm

Qyteti i Peshkopisë është zbardhur nga reshjet e dëborës gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë reshje dëbore ka pasur në gjitha qarkun e Dibreës, ku trashësia e dëborës arrin në rreth 5 cm dhe në zonat malorë shkon deri në 20 cm.

Aktualisht nuk raportohet për problematika për shkak të motit të keq, rrugët janë të gjitha të kalueshme dhe energjia elektrike nuk mungon.

Ora 23:53
‘Zbardhet’ Korça, dëbora mbulon të gjithë zonën, mjetet borëpastruese në terren

 

Korçë- Ulja e temperaturave në qarkun e Korçës prej ditësh ka sjellë reshjet e para të dëborës për këtë vit. Dëbora ka mbuluar të gjithë zonën ndërsa më intensive kanë qenë zonat malore si Dardha e Voskopoja. Mjetet borëpastruese janë vënë në dispozicion në terren në mënyrë që të bëhet pastrimi dhe hedhja e kripës ne zonat e konsideruara si më problematike. Për drejtuesit e mjeteve apelohet të tregohen te kujdesshëm në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Deri ne keto momente nuk raportohen problematika

 

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja