Temperaturat e larta dhe turizmi i bënë më të kripura çmimet në Shqipëri! Shtrenjtohen kondicionerët, qiratë, ushqimet e pijet alkoolike

Temperaturat ekstreme deri në 41 gradë në muajin korrik, e që ende vijojnë, kanë shtuar kërkesën për kondicionerë, duke i bërë ato produktin më të kushtueshëm për muajin korrik.

Sipas të dhënave të INSTAT, nëse e bëjmë krahasimin me korrikun e vitit 2023, shtrenjtimin më të madh muajin e kaluar e pati grupi “Mobilie e pajisje shtëpie”, me 3.5%, ku shkaku kryesor është shtrenjtimi i kondicionerëve. Brenda këtij grupi, me 7.1% është rritur çmimi i kondicionerëve, ndikuar nga kërkesa e lartë në treg për këtë pajisje, çka automatikisht ka sjellë edhe shtrenjtim.

Grupi i dytë me shtrenjtimin më të madh është ai i veshjeve dhe këpucëve, me 3.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Më të larta në muajin e kaluar kanë qenë veshjet e fëmijëve dhe burrave sipas INSTAT. 

Sezoni veror ka shtuar fitimet për bizneset, por edhe ‘dozën e abuzimeve’. Çmimet e akomodimit (dhoma hoteli, apartamente etj) u rritën me 5.5% në korrik, kurse qiratë e tjera jo vetëm të apartamenteve, por edhe të makinave u rritën me 3.5%. Gjithashtu alkooli e duhani ishin 3.1% më të larta për konsumatorët. Të dhëna këto që lidhen me sezonin veror dhe tregojnë kërkesën e lartë për këto mallra apo shërbime, që është shoqëruar edhe me çmime më të kripura.

Kurse çmimet e ushqimeve krahasuar me korrikun e kaluar u shtrenjtuan me 1,9%. Edhe në këtë pikë, duket se turizmi ka pasur ndikimin më të madh, pasi shtrenjtimi më i madh është regjistruar tek produktet e peshkut me 5,4 %, pasuar nga bulmeti e vezët me 3,5%, zarzavate me rritje prej 3,4% për të vijuar me ëmbëlsirat që kushtuan 2.8% më shumë dhe mishi 2.6% rritje krahasuar me vjet. FOTO

Pavarësisht këtyre shifrave, inflacioni mesatar në korrik mbeti në nivelin 2.1% aq sa ishte edhe në qershor, ku ndikimin më të madh në formimin e tij mujor e kishin përsëri ushqimet, ndjekur nga energjia elektrike dhe mobilimi i shtëpisë. (Grupet që ndikuan në inflacionin në korrik-ushqimet dhe pije joalkoolike me +0,68%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,43%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,26% etje).

Inflacioni i muajve të fundit është poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Në këto kushte duhet të ishte lehtësuar politika monetare, dhe të ulej përsëri norma bazë e interesit, por Banka vlerëson se rritja e shpejtë e pagave, e pa mbështetur në produktivitet po rrit kostot e prodhimit në vend, dhe mund të çojë në një valë tjetër inflacioni, ndikuar nga faktorët e brendshëm.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë