Më shumë se 5200 anketues trokitën derë më derë në tetorin e 2023-shit për të regjistruar popullsinë dhe banesat. Por kjo metodë e realizimit të numrit të popullsisë dhe banesave pritet të marrë fund, pasi CENSI i radhës që pritet të realizohet në 2033-shin do të bëhet bazuar në regjistrat administrativë dhe jo më me anketues në terren.
“Ne do të diskutojmë mbi potencialin e shfrytëzimit të regjistrave administrativë për Censin e ardhshëm të Popullsisë dhe Banesave. Në të gjithë Evropën dhe më gjerë, zyrat kombëtare të statistikave po ndërmarrin ndryshime strategjike, të cilat prekin edhe metodologjitë e censit. Gjithnjë e më shumë, operacionet në terren po zëvendësohen ose plotësohen nga qasjet e bazuara në regjistrat administrativë apo nga metodologjitë e kombinuara të censit. Ky është një trend tashmë i qartë, i cili konfirmohet edhe nga Bashkimi Evropian dhe, më konkretisht, nga Rregullorja e re për Statistikat Evropiane mbi Popullsinë dhe Banesat”, shprehet drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Shqipëri, drejtoresha e EUROSTAT Mariana Kotzeva, e vuri theksin tek besueshmëria, saktësia dhe shpeshtësia e statistikave.
“Statistikat përbëjnë një bazë të rëndësishme për vendimmarrjen në nivel evropian, në shumë fusha sociale, si shëndetësia, arsimi, si dhe kushtet sociale dhe të jetesës. Prandaj, me anëtarësimin në familjen evropiane, edhe statistikat dhe të dhënat mbi popullsinë e Shqipërisë do të jenë në fokus të një vëmendjeje të veçantë. Ajo që nevojitet sot janë statistika të vazhdueshme mbi popullsinë dhe përbërjen e saj. Kjo është një nga arsyet kryesore për ndryshimin e metodologjisë. Gjithashtu, ekziston nevoja për statistika më të shpeshta mbi disa ngjarje demografike. Migracioni është një shembull konkret, ku nevojiten të dhëna më të përditësuara, pasi bota po ndryshon me shpejtësi dhe vendimmarrja e mirë kërkon statistika pothuajse në kohë reale”, tha drejtoresha e EUROSTAT.
Drejtoresha e INSTAT Lantona Sado tha se CENS-et derë më derë janë të kushtueshme dhe është sfiduese edhe marrja e përgjigjeve nga qytetarët.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri ishte i suksesshëm dhe u realizua përmes një procesi të regjistrimit në terren në të gjithë vendin, të mbështetur nga teknologjitë digjitale për mbledhjen e të dhënave. Megjithatë, ai vijoi të ndiqte metodologjinë tradicionale të intervistimit derë më derë. Por këto procese po dëshmojnë gjithnjë e më shumë se janë të kushtueshme dhe komplekse, duke paraqitur njëkohësisht sfida që lidhen me normën e përgjigjes dhe, në njëfarë mase, me pamundësinë për të kapur ndryshimet e shpejta demografike brenda vendit”, u shpreh Sado.

Eurostat vlerëson se statistikat shqiptare për bilancin e pagesave dhe investimet e huaja kanë një shkallë të lartë përputhshmërie me standardet evropiane. Vlerësimi u bë nga drejtoresha e Përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, gjatë një takimi këtë të mërkurë me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në qendër të bisedës ishin përgatitjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Sistemit Statistikor Evropian, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Sejko vlerësoi ndihmën që Eurostat i ka dhënë ndër vite Bankës së Shqipërisë për përafrimin e statistikave monetare dhe financiare me standardet evropiane. Përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, tha ai.
Në takimin me Kotzevën morën pjesë edhe drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, dhe zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.

Shqipëria synon të kalojë nga mbledhja e të dhënave të fragmentuara në një sistem të integruar statistikor, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Kështu bëri të ditur zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gjatë një aktiviteti të organizuar nga INSTAT në “Europe House”, me rastin e vizitës së parë në Shqipëri të drejtoreshës së përgjithshme të Eurostat, Mariana Kotzeva.
Në fokus të diskutimeve ishte e ardhmja e statistikave të popullsisë, duke nisur nga të dhënat e Censit 2023 dhe mundësitë për ndërtimin e një sistemi modern statistikor.
Koçiu e vuri theksin te rëndësia që kanë të dhënat e sakta në hartimin e politikave që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
“Përtej statistikave, sot me Eurostat, INSTAT, Komisionin Europian dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare ndamë vizionin për një Shqipëri që njeh me saktësi ritmin e ndryshimeve të saj dhe ndërton mbi të dhëna të besueshme politika publike që u përgjigjen më mirë nevojave dhe zhvillimeve të shoqërisë”, u shpreh Koçiu.
Vizita e Kotzevës në Shqipëri vjen në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE dhe synon forcimin e sistemit kombëtar të statistikave, si dhe të bashkëpunimit mes INSTAT-it dhe Eurostat-it.











Komente
Komento