TIRANE - Edhe pse sezoni veror nuk ka filluar zyrtarisht, qytetarët e Tiranës ndryshe nga ata që kanë preferuar të zgjedhin detin për të kaluar një fundjavë të bukur dhe argëtuese, kanë zgjedhur pishinat e kryeqytetit për të kaluar disa orë relaksuese.

“Vijmë fundjave, me shoqërinë, pishina na duket e pastër dhe e përballueshme” theksojnë qytetarët.

Edhe pse në fillim të sezonit për këtë verë, shumë qytetarë, pishinat i kanë kthyer në shtëpinë e tyre të dytë, sepse freskohen, luajnë, argëtohen, ushqehen dhe pushojnë. Që nga data 1 maj kur janë pritur pushuesit e parë e përgjatë dy javëve, ka patur rritje të numrit të frekuentuesve. Administratorët e pishinave thonë se kanë punuar gjatë për pastrimin dhe klorifikimin e ujit për të siguruar qytetarët se pushimet nuk duhet të kthehen në frikë ndaj infeksioneve.

Përballë dëshirës për të pushuar, qëndrojnë çmimit që vendos një pikëpyetje nëse duhet bërë gati valixhja e pushimeve apo jo. Në rastin e pishinave, çmimi është në varësi të kompleksit që zgjedh dhe kushteve që ofron secila. Por në të shumtën e rasteve një biletë për të qëndruar sa orë dëshiron në pishinë është 300 lekë dhe sipas qytetarëve ky çmimi është i përballueshëm.

(kz/shqiptarja.com)