Qendra e Gramshit mori sot një pamje ndryshe. Mes vapës së verës, zjarrfikësit zgjodhën të freskonin qytetarët me ujë, ndërsa shfrytëzuan momentin për të përcjellë edhe një mesazh të fortë për mbrojtjen e pyjeve.
“Ne zgjodhëm t’ju freskojmë me ujë. Ju zgjidhni të mos ndizni zjarr!”, ishte mesazhi që shoqëroi aktivitetin, ku protagonistë u bënë fëmijët dhe familjet e tyre.
Përmes kësaj nisme, Shërbimi Zjarrfikës nënvizoi se parandalimi i zjarreve nis nga kujdesi i çdo qytetari dhe se mjafton një pakujdesi e vogël për të shkaktuar dëme të mëdha në pyje.
Në aktivitet morën pjesë edhe Bashkia Gramsh, vullnetarë holandezë, Qendra Kulturore e Fëmijëve Gramsh, Komisariati i Policisë së Shtetit Gramsh, Policia Bashkiake dhe Qendra Spitalore Gramsh.
Në fund u përcoll edhe apeli i aktivitetit: "Një pikë ujë sjell buzëqeshje, ndërsa një shkëndijë zjarri mund të shkatërrojë mijëra hektarë pyje", duke u kërkuar qytetarëve të mos ndezin zjarre dhe të tregojnë kujdes për mbrojtjen e pyjeve.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Vlorë. Zjarrfikësit freskuan me ujë qendrën e qytetit, në zonën e Skelës.
Temperaturat e larta të kësaj vere, kanë bërë që forcat zjarrfikëse të marrim masa për t’u ardhur sadopak në ndihmë qytetarëve, duke freskuar sheshet qëndrore të qyteteve.
Një gjë e tillë, veç Gramshit ka ndodhur edhe në Vlorë, ku forcat zjarrfikëse kanë hedhur ujë për të freskuar qendrën e qytetit dhe qytetarët që ndodheshin aty, në zonën e Skelës.










Komente
Komento