Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 punonjësish të kompanisë publike Illyrian Guard Sh.A., të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit "Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile", të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Ndërkohë që 50 punonjës të tjerë po trajnohen dhe do të certifikohen duke e çuar kështu në 100 numrin total të vullnetarëve nga kjo kompani.
Kjo trupë e trajnuar për zjarret dhe jo vetëm, shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile, duke hedhur themelet e një rrjeti të qëndrueshëm vullnetarësh të certifikuar, të gatshëm për të mbështetur strukturat profesionale në situata të jashtëzakonshme.
Në fjalën e tij, ministri Lamallari e cilësoi këtë nismë si një kthesë domethënëse për sistemin shqiptar të mbrojtjes civile, duke theksuar se mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit është një përgjegjësi që kërkon bashkimin e institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.
"Më vjen mirë që për herë të parë vullnetarët në mbrojtjen tonë civile vijnë nga kompania Illyrian Guard, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky nuk është vetëm zbatimi për herë të parë i asaj që është parashikuar në ligj, por nga ana tjetër është edhe një model i mirë për t’u replikuar nga kushdo që ndan të njëjtin nivel ndërgjegjësimi qytetar dhe dashurie për vendin. Ky certifikim nuk është thjesht një dokument. Ai është një përgjegjësi dhe një premtim se kur vendi të ketë nevojë, ju do të jeni të gatshëm të kontribuoni. Vullnetarët e trajnuar janë një hallkë e domosdoshme e zinxhirit të sigurisë. Ata nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por i mbështesin ato, duke rritur aftësinë e vendit për të reaguar shpejt dhe me efikasitet," u shpreh ministri.
Duke u ndalur te sfidat që paraqesin zjarret gjatë sezonit veror, ministri vlerësoi angazhimin e Illyrian Guard për tejkalimin e rolit të saj të përditshëm, duke investuar në rritjen e kapaciteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe në promovimin e kulturës së vullnetarizmit.
Administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, në fjalën e tij evidentoi punën për modernizimin dhe transformimin e kompanisë teksa theksoi, se krahas grupit të parë prej 50 punonjësish, po trajnohen edhe 50 të tjerë, për të qenë në dispozicion të mbrojtjes civile në rast situatash emergjente. Në total Illyrian Guard do të ketë 100 punonjës të trajnuar për të marrë pjesë në operacione për shuarjen e zjarrit, përmbytje apo situata të tjera emergjente.
“Prania juaj sot është një dëshmi e rëndësisë që ka bashkëpunimi ndërmjet institucioneve në forcimin e kapaciteteve të vendit tonë për t’u përballur me çdo sfidë. Një falënderim i veçantë shkon për secilin prej 50 vullnetarëve që certifikohen sot dhe për të gjithë ata që javën tjetër fillojnë trajnimin në bashkëpunim me institucionet homologe. Ju nuk jeni vetëm punonjës të Illyrian Guard. Ju jeni qytetarë që keni zgjedhur të merrni një përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë. Sot merrni një certifikatë, por vlera juaj nuk qëndron te dokumenti që do të mbani në dorë. Vlera juaj qëndron te gatishmëria që mbani në zemër. Shpresojmë që të mos kemi kurrë nevojë për ndërhyrjen tuaj në situata të rënda, por kemi sigurinë se, nëse ajo ditë vjen, ju do të jeni aty, të përgatitur, të gatshëm dhe të organizuar për të shërbyer”, tha Spaho.
Komente










