TIRANË- Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzim penal ndaj ministres të Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe kompanive pjesëmarrëse në tenderin e ushqimeve, duke i akuzuar  për 6 vepra penale.

Akuzat lidhen me tenderin e ushqimit, ku PD akuzon ministren Xhaçka për abuzimin me 1.5 milionë euro. Në 6 veprat penale në kallëzimin e PD-së, përfshihen “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.Kallëzimi është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe në të thuhet se Ministria e Mbrojtjes duhet të argumentonte dhe të dokumentonte përzgjedhjen e kandidatëve që ka ftuar në këtë procedurë pa garë.

Sipas PD thuhet se "rezulton e provuar në dokumentet e tenderit, se ndryshe nga sa detyron ligji, mungon argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese "EUROVIA” shpknj dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., në kushtet ku asnjëra prej tyre nuk është e specializuar në fushën e objektit të prokurimit, por kanë bërë shtimin e objektit të veprimtarisë vetëm disa ditë përpara hapjes së procedurës së prokurimit". Gjithashtu, në kallëzim e PD shkruhet se "kompania  "EUROVIA” shpknj, nuk përmbush kriterin ligjor të eksperiencës së ngjashme ne fushën e furnizimit me produkte ushqimore  në 3 vitet e fundit."

"Kjo kompani, ka shtuar në objektin e veprimtarisë së saj “tregtimin e ushqimeve”, vetëm 6 ditë përpara se të shpallej tenderi dhe për pasojë nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Në këtë rast, shkelja flagrante e ligjit faktohet nga përgjigja e dy pyetjeve të thjeshta: Si e identifikoi Ministria e Mbrojtjes kompaninë EUROVIA, që vetëm 6 ditë përpara tenderit kishte ndryshuar objektin e veprimtarisë, për t’i dërguar Ftesën për Ofertë në një tender pa garë dhe me negocim të drejtpërdrejtë?  Çfarë eksperience kishte kjo kompani kompjuterësh në tregun e shitjes së ushqimeve, që u përfshi në listën e kompanive që duhet t’i dërgohej Ftesa për Ofertë", thuhet mes të tjerave në kallëzimin e PD-së. 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila e ka quajtur veprim të ulët dhe imoral në një kohë kur vendi është në luftë dhe PD-ja në vend të ndihmojë, krijojnë skenare si "Babale". Ajo tha se është tashmë është e gjitha nga dorën e SPAK të zbardh të vërtetën.  Ishte ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj i cili akuzoi kryeministrin Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaça se kanë dhanë një tender 1,5 milion euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit, por sipas tij pa garë. Sipas PD-së, nga 35099 kompani shqiptare tenderi iu dha kompanisë filal nga Maqedonia, Eurovia duke theksuar se pak ditë para shpalljes së tenderit pa garë, kompania shtoi si objekt tregtimin e ushqimeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:35
Tenderi i Ushqimit/ Xhaçka: Mirëpres padinë e PD në SPAK! Veprim i ulët dhe imoral në një kohë lufte

Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka thekson se e gjithë procedura e tenderit të ushqimit për ndihmën e shpërndarë në familjet në nevojë dhe pensionistët e vetmuar është bërë konform ligjeve, ndryshe nga na PD-ja akuzon. Ajo shkruan se e mirëpret padinë në SPAK, por e cilëson si të ulët dhe imorale që në një kohë luftë në vend të japë kontributin e saj të merret me ato që ajo i quan " shpikje të modelit Babale".

"E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t'i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm! I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales", shkruan Xhaçka.