TIRANË- Partia Demokratike denoncoi sot tenderin e faturimit të biznesit, duke e quajtur korruptiv dhe në kushte monopoli. Deputetja Jorida Tabaku tha se, kompania kroate ishte e paracaktuar, dhe se paralajmërimi i Partisë Demokratike doli i vërtetë.
5 javë më parë, ishim në të njëjtën sallë për të paralajmëruar se qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin. Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Kriteret e tenderit janë korruptive, sepse, siç paralajmëruam 5 javë më parë, ato ishin ishin llogaritur për t’iu përshtatur kompanisë kroate. Partia Demokratike po merr ndërkohë informacionin e nevojshëm se kush qëndron prapa kësaj kompanie.
Jorida Tabaku, deputete
Ndërkohë që deputeti Endri Hasa tha se ky tender do u kushtojë shqiptarëve 80 deri në 100 milionë euro, dhe se fatura do të jetë skandaloze për bizneset dhe shqiptarët.
Kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët nga tenderi korruptiv i paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike. 15 milionë Eurot janë vetëm maja e ajsbergut, sepse sistemi i monitorimit dhe faturimit të biznesit fsheh kosto të tjera të rënda. Ne kemi llogaritur se kostot e sistemit të ri për menaxhimin dhe kontrollin e faturimit do t’u kushtojnë shqiptarëve të paktën dhe 80 deri në 100 milionë euro të tjera. Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bizneset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri.
Endri Hasa, deputet i PD