Një nga emrat më të mëdhenj në historinë e sportit botëror është gati të rikthehet në skenë. Serena Williams do të luajë sërish në një turne zyrtar të WTA-së, katër vjet pas paraqitjes së saj të fundit në US Open.

Legjenda amerikane, fituese e 23 titujve Grand Slam, do të rikthehet në turneun e Queen’s Club në Londër (8-14 qershor), ku do të garojë në kategorinë dyshe së bashku me talenten kanadeze Victoria Mboko.

Lajmi, i cili kishte qarkulluar prej ditësh në mediat ndërkombëtare, u konfirmua zyrtarisht nga organizatorët e turneut. Pak minuta para njoftimit, Serena publikoi në rrjetet sociale një video nga stërvitja e saj në fushën e tenisit, duke lënë të kuptohej se rikthimi ishte pranë.

Williams nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare që nga US Open 2022, ku u eliminua nga Ajla Tomljanovic në raundin e tretë. Megjithatë, ajo nuk e shpalli kurrë zyrtarisht fundin e karrierës së saj, duke mbajtur të hapur mundësinë e një rikthimi.

44-vjeçarja u rikthye në programin anti-doping në vitin 2025 dhe që nga shkurti i këtij viti ka qenë e autorizuar për të marrë pjesë në turne zyrtarë. Për shkak të mungesës së gjatë, Serena nuk figuron në renditjen aktuale të WTA-së, ndaj siguroi pjesëmarrjen në Queen’s përmes një ftese.

Rikthimi i saj ka ngjallur entuziazëm të madh në botën e tenisit, ndërsa tifozët mezi presin të shohin sërish në veprim një nga sportistet më të suksesshme të të gjitha kohërave.