Tensionet në veri të Kosovës/ Borrell pas takimeve me Kurtin e Vuçiç: Policët e rrëmbyer të lirohen urgjentisht! Të nevojshme zgjedhjet e reja

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord se është e nevojshme që në veri të Kosovës të mbahen zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e plotë të serbëve. Pas 4 orësh takime të ndarë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Ka qenë Borrell ai, i cili ka ndarë detaje nga takimet duke thënë se kanë diskutuar për uljen e tensioneve me propozime konkrete.

"Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka por në atë se si dhe kur - si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit", tha Borell të enjten.

Borrell kërkon lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen në burg në Serbi, ndërsa ka dënuar edhe ato që i quajti arrestime arbitrare nga Prishtina. Kërkesë kjo e artikulaur qartë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe. Borrell ka shtuar se në takimin me Kurtin, ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe, të punojnë nga ndërtesa alternative.

“Arrestimet arbitrare ose keqtrajtimi i të burgosurve është i papranueshëm. Eulex do të luajë një rol më të fuqishëm në monitorim. 3 policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen urgjentisht dhe pa kushte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se është e nevojshme që në veri të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, por në një proces që duhet të ndjekë sundimin e ligjit, pas një fushate publike dhe të ndershme. Nuk mund të them se situata është e sigurt sepse kemi pasur takime dypalëshe. Por nga një ndërmjetës optimist mund të them se ka sinjale se ditët në vijim do të jenë më të mira se ato të mëparshmet”, tha Kurti

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha pas takimit me ndërmjetësuesit evropianë se nuk "ka ndonjë udhërrëfyes", për rrugëdaljen nga kriza në veri të Kosovës.

"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e (Albin) Kurtit ashtu siç janë detyruar ta durojnë deri tani”, tha presidenti serb.

Për katër orë rresht, në Bruksel, Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar "një seri takimesh për menaxhimin e krizave", fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Të enjten nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiçit. Ky ishte takimi i parë në Bruksel pas nisjes së tensioneve më 29 maj në Veriun e Kosovës që shqetësuan ndjeshëm komunitetin ndërkombëtar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:51
Kurti pas takimit me Borrell dhe Lajçak: Gati të mbajmë zgjedhjet në veri të Kosovës, por sipas ligjit

1687270855_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.

“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, tha Kurti.

Kurti këmbënguli se ishte i gatshëm të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por ai refuzoi.

“Kam ardhur të takohem me palën serbe për të diskutuar hapat përpara, por meqë ky është një proces që përfshin dy palë, kjo nuk ishte e mundur”, shtoi ai, duke theksuar se është i gatshëm të jetë në bisedime derisa të gjendet një zgjidhje.

Ora 20:46
Takimet me Kurtin dhe Vuçiç në Bruksel, Borrell: Policët e rrëmbyer të lirohen urgjentisht pa kushte! E nevojshme të mbahen zgjedhje të reja

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell ka treguar se çfarë është biseduar në takimet me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç, pas tensione në veri. Në një postim në Facebook, Borrell thotë se 3 policët e rrëmbyer në veri të Kosovës duhet të lirohen nga Serbia urgjentisht dhe pa kushte. Ai shkruan se kanë diskutuar për uljen e tensioneve me propozime konkrete, ndërsa thotë se ranë dakord për nevojën që të zhvillohen zgjedhje të reja.

Në takimet e sotme me liderët e Kosovës dhe Serbisë, jemi fokusuar se si të qetësojmë situatën në terren; si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të ktheheni në dialog dhe zbatimi i të gjithë zbatimit të Dialogut. Ne kemi hedhur në tryezë propozime konkrete.

Ne ramë dakord për nevojën për zgjedhje të reja. Ne diskutuam modalitetet dhe rrugën përpara - Arrestimet arbitrare ose keqtrajtimi i të burgosurve është i papranueshëm. Eulex do të luajë një rol më të fuqishëm në monitorim. 3 policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen urgjentisht dhe pa kushte

Ora 17:54
Pas takimit me Kurtin, Borrell pret në zyrë Vuçiç-in, synohet shtensionimi i situatës në veri të Kosovës

Pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Josep Borrell ka nisur takimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiç me qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. 

Siç është njoftuar më herët nga BE, synimi i këtyre takimeve, është që të shmanget tensionimi i mëtejshëm i situatës dhe zbatimi i marrëveshjeve të firmosura mes 2 vendeve. 

Ora 16:40
Kurti takohet me Borrell dhe Lajçak në Bruksel! Përfaqësuesi i lartë i BE: Synojmë zgjidhje të menjëhershme të tensioneve në Kosovë

Që prej orës 16:30 ka nisur takimi mes Albin Kurtit dhe Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak në Bruksel

Fillimin e takimit me Kurtin e ka konfirmuar Borrell, nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. 

Ora 13:57
FOTOLAJM/ Albin Kurti merr bekimin e Papa Françeskut para nisjes në Bruksel

1687435082_4ew423.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Papa Françeskun pak para nisjes në Bruksel. 

Liderët e Kosovës dhe të Serbisë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, që është thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ora 12:34
Tensionet Kosovë-Serbi, BE: Takimi i dialogut në Bruksel do të fillojë rreth orës 14:00

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimi në Bruksel në kuadër të dialogut do të fillojë rreth orës 14:00.

Takimi duhet të fillojë rreth orës 14:00 dhe siç thuhet në komunikatë, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të deeskaluar tensionet aktuale në mënyrë që palët të rikthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut”, është thënë në një konferencë për shtyp.

Zyrtarët e BE-së sërish nuk kanë treguar nëse do të ketë një takim trepalësh Kurti-Vuçiç-BE.

“Të dy liderët do të jenë në Bruksel. Është pak herët për të treguar se si do të shkojnë gjërat. Diskutimet janë mundësi për të dy liderët për të treguar gatishmëri për të qenë konstruktivë dhe deeskaluar. Përgjegjësia për të gjetur zgjidhje i takon të dyja palëve dhe në presim që ata të tregohen konstruktivë”, ka thënë një zyrtare e BE-së.

Ora 12:22
Kurti do pajtueshmëri në parim për Asociacionin e komunave në veri të Kosovës, Escobar: S’ke pse pret, po kërkojmë model europian

1686130635_escobar.JPG

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar e ka kundërshtuar idenë e kryeministrit Albin Kurti që të ketë dakordim për parimet e Asociacionit para se Kosova ta paraqesë një draft-statut. “Nuk ka përse të presë për këtë”, thotë diplomati amerikan, duke theksuar se po kërkojnë vetëm një model europian që s’do ta pengojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para dy javësh tha se mund ta thellojë draft-vizionin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e kishte paraqitur në takimin e 2 majit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Por, ai fillimisht kërkon që të ketë pajtueshmëri për parimet kryesore të Asociacionit.

Ora 09:22
Tensionet në Veri të Kosovës, Vuçiç: Do të shkoj në Bruksel, por nuk do të flas me Kurtin

1686767548_aleksandervucic.JPG

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për RTS se do të marrë pjesë në takimin në Bruksel, por nuk do të takojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Ai tha se do të flasë me kreun e diplomacisë europiane, Josep Borrell, por jo me Kurtin.

‘Nuk ka kuptim të flas me Kurtin, do të bisedoj me Borrell, Serbia është në një situatë të vështirë!’- tha Vuçiç.

Vuçiç tha se nuk e kupton qëllimin e vizitës në Bruksel!

‘Unë kurrë nuk kam pasur kushte për të folur’,- tha Vuçiç.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës