Ka sërish tensione në Veri të Kosovës. Qytetarët serbë po kundërshtojnë një aksion të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave. Për pasojë kanë mbetur të lënduar 6 policë si dhe 10 qytetarët të Mitrovicës së Veriut, ndërsa 8 persona janë arrestuar.  Ky aksion, që tashmë ka përfunduar, u shtri në vende të ndryshme, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës, por kundërshti hasi vetëm në Mitrovicë n e Veriut. 

 “Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Mësohet se është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, për t'i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë, duke i gpoditur ata me sende të forta. Ndërkohë për shkak të situatës së tensionuar, në disa vende janë ngritur edhe barrikada.

Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

Në një reagim për situatën, kryeministri Albin Kurti thotë se aksioni  policisë është ndërmarrë pas hetimeve të prokurorisë , duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë krimin e kontrabandën. Sipas Kurtit, janë mediat serbe që po politizojnë situatën, duke i bërë thirrje qytetarëve serb në veri të Kosovës që bien pre e këtyre provokimeve. Po ashtu Kurti theksoi se operacioni i Policisë për ditën e sotme është mbyllur.

Nga ana tjetër i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga Serbia,ku kryeministrja Ana Brnabić bëri thirrje për ndërhyrje nga NATO. Sipas saj duhet reagim i menjëhershëm për "politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina".

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:08
Tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç zbulon telefonatën me Lajçak: I thash që t'i ndalojnë ata, ose do t'i ndalojmë ne

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka mbajtur një takim urgjent në kazermat ushtarake të Serbisë në Rashkë, për të rënë dakord, siç u tha, se çfarë të bënin pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri.

Ai tregoi se ka folur me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilit tha se i ka kërkuar “t’i ndalojë” veprimet e institucioneve të Kosovës.

“Ndaloni ata. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni, ne do t’i ndalim”, deklaroi Vuçiq se i ka thënë Lajçakut.

“Ata më thanë ‘ne jemi duke punuar për këtë’ dhe pastaj i bënë ata të tërhiqeshin. Megjithatë, duhet të keni parasysh, sipas inteligjencës sonë, ata kishin mbështetjen e të paktën një shteti për atë që po e bënin sot, dhe ky nuk është një vend i BE-së”, tha kreu i shtetit serb.

Vuçiq theksoi se në reagimin e tij, Bashkimi Evropian nuk i përmendi të dy palët, por e akuzoi Kosovën për tensionimin e situatës në veri të vendit.

“E vetmja gjë është se BE-ja nuk i përmendi më dy palët”, tha Vuçiç.

Ai tha se Kosova u frymëzua nga fuqi të mëdha për aksionin e sotëm.

“Është dëshira e një pjese të fuqive të mëdha perëndimore për të destabilizuar dhe shembur gjithçka, në mënyrë që ata t’i menaxhojnë më mirë proceset, sepse kjo është gjithçka që mund të bëjnë”, tha Vuçiq në këtë takim.

Ora 14:49
Aksioni në veri të Kosovës, policia shpall në kërkim 5 të dyshuar për kontrabandë mallrash

Pas aksionit në veri të Kosovës, policia ka shpallur në kërkim 5 të dyshuar të cilët akuzohen për kontrabandë mallrash. Ndërkohë kujtojmë, që 8 të tjerë janë arrestuar.

Përmes një njoftimi, policia ka bërë me dije se janë shpallur në kërkim pesë të dyshuar për kontrabandë me mallra. Ata janë Besim Zeqiri, Halil Sylejmani, Festim Sylejmani, Fikrim Latifi dhe Milan Radisavljevic.

"Hetimet intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, janë realizuar nën autorizimin e prokurorisë kompetente, e që kanë rezultuar deri më tani me identifikimin e (5) personave të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim", thuhet në njoftim. 

Ora 13:56
Tensionet në Veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë i BE: Të ndalen menjëherë incidentet e dhunshme! Veprimet e njëanshme që rrezikojnë stabilitetin, të papranueshme

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar në lidhje me situatën sërish të tensionuar të krijuar në Veri të Kosovës. Me një postim në Twitter, Borrell ka bërë thirrje që të ndalen menjëherë incidentet e dhunshme. Ai thekson se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin, janë të papranueshme.

"Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën", shkruan Borrell.

Ora 12:24
Tensionet në Veri të Kosovës, kryeministrja Serbe: NATO të ndërhyjë, frenoni Albin Kurtin dhe politikën e çmendur të Prishtinës

Kryeministrja e Kosovës, Anna Brnabić i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it që të reagojnë në lidhje me situatën në Veri të Kosovës, ku qytetarët serb po kundërshtojnë një aksion të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave. Me një gjuhë të ashpër, Brnabić thotë se duhet 'frenuar' kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe se duhet një reagim i qartë për 'politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina'. Sipas saj, situata është 'më shumë se dramatike'.

Ora 12:11
Tensionet në Veri të Kosovës, reagon Albin Kurti: Krimi dhe grupet kriminale s'do tolerohen! Qytetarët mos të bien pre e mediave në Serbi që duan ta politizojnë

1581414931_albinkurti1.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me tensionet në Veri të Kosovës, ku qytetarët serb po kundërshtojnë një aksion të Policisë kosovare kundër kontrabandës së mallrave. Me një postim në facebook, Kurti thotë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen, teksa akuzon mediat serbe se po politizojnë çështjen. Ai i bën thirrje qytetarëve serb në veri të Kosovës që të mos bien pre e këtyre mediave

"Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë", shkruan Kurti.