TIRANË- Rrëzimi i kërkesës së demokratëve për zgjatjen e afatit të Reformës Territoriale çoi në përplasje të ashpra në parlament. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u detyrua të ndërpriste disa herë seancën për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës, të cilët nuk lejuan Arbian Maznikun të lexonte raportin e hartuar nga ekspertët e mazhorancës.

Kërkesën e demokratëve për shtyrje të afatit e argumentoi bashkëkryetari Luçiano Boçi i cili raportin e socialistëve e konsideron të paligjshëm.

“Jemi në një veprim të njëanshëm politik, të parapërgatitur. Unë e kam paralajmëruar, që nuk duan të shkojnë konsensus, kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik”, tha Boçi.

Por mazhoranca e bëri të qartë se nuk ka kohë për të humbur, pasi harta e re duhet të jetë gati për zgjedhjet vendore të 2027-ës.

“Kërkesa e parashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe do të ikë me trenin që ka humbur. Gjithë Shqipëria e di që sot Kuvendi do të dëgjojë gjetjet nga grupet e PS dhe PD. Kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re. Më pas, gjithë palët dhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozimet e veta. Ky komision nuk mund të zgjatet më, e ka përfunduar mandatin e vet”, tha Balla.

Kuvendi nuk gjeti qetësi as pas ndërprerjes 4 herë të seancës. Madje ardhja e kryeministrit Rama në sallë e përkeqësoi situatën dhe ashpërsoi retorikën e opozitës.

Opozita vijonte të qëndronte në këmbë e të mbante foltoren e bllokuar, ndaj si gjithmonë në raste të ngjashme socialistët kërkuan që të nisin direkt me procesin e votimit.

Seanca pritej të ishte maratonë pasi ishte parashikuar me një rend të ngjeshur dite, por nuk arriti as në diskutime. Pas 5 orësh debat pa u futur në asnjë moment në rendin e ditës, 7 projektrezoluta të institucioneve kushtetuese, 2 akte normative dhe 15 projektligje u votuan nga mazhoranca mes kaosit dhe thirrjeve të opozitës në foltore për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca pasi hodhi ujë në drejtim të shefit të qeverisë Rama.

Ra në sy mos pjesëmarrja në votim e dy deputetëve socialistë, Braçe dhe Spiropali, për aktin normativ që i dha 4.3 mln euro këngëtarit amerikan Kanye West.

Ndryshe nga ç’ishte parashikuar Kuvendi nuk i mbylli punimet këtë të enjte, por miratoi mbajtjen e një tjetër seancë të enjten e ardhshme të 30 korrikut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:14
Me 78 vota pro, Ismail Shehu zgjidhet nga Kuvendi si kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik

1784820089_y5ewryweyew.GIF

Me 78 vota pro, Ismail Shehu u zgjodh sot nga Kuvendi si kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik. Në votimin e kandidaturës së Shehut pati vetëm 5 vota kundër dhe 2 abstenim.

Ora 16:28
Berisha: Rama erdhi sot në Kuvend vetëm për të 'varrosur' reformën territoriale

 

Kreu i Partisë Demokratike tha për gazetarët jashtë Kuvendit se kryeministri Edi Rama erdhi në seancën plenare vetëm për të ‘varrosur’ reformën territoriale.

Sipas tij kreu i qeverisë dëshiron një reformë për interesa politike dhe jo në interes të qytetarëve.

" Edi Rama groposi reformën territoriale. Dhe reformën de facto, të një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë. Varrosi një punë njëvjeçare serioze, të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar edhe financiarisht, edhe nga buxheti i shtetit.

Varrosi sepse do me çdo kusht, jo një reformë në interes të qytetarëve, por një reformë në interes të manipulimit të zgjedhjeve dhe rrëmbimit të votave me çdo kusht. Këto janë përpëlitjet e fundit të një njeriu që do të përfundojë në galerat më të errëta të historisë. Edi Rama nuk shpëton më. Erdhi vetëm e vetëm për të varrosur, për të marrë në dorë reformën territoriale.

Nuk mbetet veç gjë tjetër vetëm revolta paqësore e bashkive. Protestuesit u sulmuan egërsisht me gaz lotësjellës dhe spraj ariu. Pati edhe të lënduar rëndë. Po ndjekim me shqetësim shumë të madh situatën e tyre", tha Berisha.

Ora 16:21
Kuvend/ Deputetët e PD-së hedhin kartonët e votimit drejt ministrit Malaj

 

Edhe pas largimit të kryeministrit Edi Rama nga Kuvendi, opozita vazhdoi me dhunën dhe kaosin, duke tentuar pengimin e votimit të projektligjeve. Ndërsa drejt Ramës hodhën ujë, drejt ministrit të Financave, Petrit Malaj, deputetët e Partisë Demokratike hodhën kartonët e votimit.

Ora 15:38
VIDEOLAJM/ Momenti kur Gazment Bardhi hedh ujë drejt kryeministrit Rama

Deputetët e opozitës teksa vijojnë të mbajnë të bllokuar foltoren, Gazment Bardhi ka hedhur ujë drejt Ramës.

Pas kësaj situate Peleshi i kërkoi Bardhit që të dilte nga salla.

Ora 15:33
Vetëm me votat e PS, miratohen rezolutat për punën e SPAK dhe 6 institucioneve tjera! Merr ‘ok’ edhe rishikimi i buxhetit dhe akti normativ për financimin e koncertit të Kanye West

Pasi opozita mbajti të bllokuar foltoren e Kuvendit dhe nuk lejoi vazhdimin e seancës, me kërkesë të PS u kalua në votim. Opozita vijonte të mbante të bllokuar foltoren, ndërsa vetëm me votat e PS u miratuan rezolutat për vlerësimin e punës së SPAK dhe 6 institucioneve të tjera.

U miratua edhe akti normativ për rishikimin e buxhetit dhe akti normativ për mes së cilit u financua me 4.3 mln euro koncerti i reperit amerikan Kanye West.

Votimi
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”. -84 pro, 1 abstenim, 2 kundër
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”. -83 pro, 1 abstenim, 3 kundër
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”. -82 pro, 1 abstenim, 0 kundër
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”- 83 pro, 1 abstenim, 0 kundër
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”- 83 pro, 1 abstenim, 1 kundër
-Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”- 83 pro, 0 abstenim, 0 kundër
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”- 81 pro, 1 abstenim, 3 kundër
-Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026””- 82 pro, 0 abstenim, 3 kundër
-Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”- 80 pro, 0 abstenim, 6 kundër
Ora 15:23
PS kalon direkt në votim, opozita mban të bllokuar foltoren: Dorëheqje (VIDEO)

Opozita vijon të mbajë të bllokuar foltoren teksa PS ka kaluar direkt në votim për rendin e ditës.

Njëzëri ata dëgjohen të thonë ‘dorëheqje’ dhe ‘hajdut’.

Ora 15:14
Kuvend/ Deputetët e opozitës presin kryeministrin me këngën ‘Rama jepe dorëheqjen’ (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i është bashkuar mesditën e sotme seancës plenare.

Deputetët e PD ndërsa kanë dalë para foltores e kanë pritur kreun e qeverisë me këngën ‘Rama jepe dorëheqjen’.

Ora 14:58
‘Territorialja’, Balla: Bllokimi i foltores është skenar i opozitës, duan të marrin pushimet! Miratohet me 84 vota propozimi për kalimin te rendi i ditës

 

Bllokimi i foltores për të mos vijuar me raportet e palëve për reformën territoriale, është skenar i opozitës, tha Taulant Balla duke hedhur poshtë pretendimet se sot kalohet në votim. Ai hodhi propozimin e ndërprerjes së diskutimeve për reformën dhe kalimin te pr.rezolutat për institucionet e pavarura të drejtësisë.

“Nuk ka asnjë surprizë. Në seancën e ditës së hënë skenari të mos lëmë të flasë avokati i popullit. U bllokua foltorja që mos të flasë Endrit Shabani. Sot skenari është të mos lëmë të flasë z. Mazniku. Edhe sikur të tërhiqeshim ne, pastaj e ka radhën Shabani dhe aty ka të njëjtin skenar. Na e thanë kolegët tuaj skenarin, të ndërpritet seanca që të fillojmë pushimet sa më shpejt. Kjo nuk do të thotë të merrni peng seancën. Më vjen keq që sot s’kemi mundësinë të flasim për rezolutat. Ne dhe grupi i PS do ta gjejmë mundësinë të komunikojmë. Është e pavërtetë ajo që thoni ju që sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten raportet e dy palëve. Shpresoj që deri në shtator t’ju ketë dalë inati se ju e keni si shkollë nate këtë. Duke qenë se deputetët bllokojnë foltoren në mënyrë të përsëritur, kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në çështjet e rendit të ditës”, tha Balla.

Propozimi u miratua me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa u kalua në 5 minuta pushim. Mes votave pro ishte edhe ajo e kryeministrit Rama, i cili merr pjesë në seancë.

Ora 14:41
Kryeministri Edi Rama mbërrin në Kuvend

 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend. Shefi i qeverisë i bashkohet seancës plenare e cila po mbahet peng nga opozita. Kjo e fundi tnuk lejon që Arbian Mazniku të prezantojë raportin e ekspertëve për reformën territoriale.

Ora 14:40
Korreshi për Lamallarin: Të ishte për të, do të kishte arrestuar gjithë pulat sot që mos të bënin vezë

 

Për ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari që foli më herët për lëndët e përdorura nga policia për neutralizimin e protestuesve, deputeti Saimir Korreshi pati një reagim me ironi dhe me shembujt e tij të njohur, marrë nga jeta rurale.

“Unë kam qenë me dhjetëra ditë vetë dhe me familjen time në shesh. S’jam terrorist dhe s’kam qenë kurrë me terroristë në shesh. Nëse ka një protestë nga më paqësoret në Shqipëri është kjo që po ndodh sot se po të jetë për Lamallarin dhe skuthllëqet e tij, do të kishte arrestuar gjithë pulat sot që mos të pillnin vezë se këto janë armët terroriste dhe kimike që po përdorin terroristët. Ka 4 vjet s’u blen uniforma policisë, i ka ngrënë mola, i kanë me vrima. S’i keni dhënë orët shtesë, po i lini të digjen në vapë”, tha Korreshi.

Ora 14:06
‘Territorialja’ tensionon sërish Kuvendin, Boçi s’lejon Maznikun në foltore

 

Pas 4 orëve që Kuvendi ndodhet ende te fjalët e mbajtura për procedurë (dhe asnjëra deri më tani s’ka qenë e tillë), rendi i ditës kaloi më në fund te prezantimi i raporteve për reformën territoriale.

Sërish, pas këtij njoftimi, Luçiano Boçi, bashkëkryetar i komisionit, shkoi drejt foltores për të mos lejuar që Arbjan Mazniku të vijonte me raportin e PS.

Peleshi njoftoi sërish 5 minuta pushim, për të tretën herë sot.

Ora 13:46
‘Kur kthen shpinën edhe ata të tutë thonë kështu e ka pleqëria’ Vengu për Berishën: Çfarë t'i them një njeriu që ka mbi supet e veta akuzat e të gjithë tranzicionit

 

Deputeti Pirro Vengu teksa replikoi kreun e PD, Sali Berishën tha se nuk ka çfarë t'i thotë një njeriu që që ka mbi supet e veta akuzat e të gjithë tranzicionit.

"Çfarë t’i them një njeriu që ka mbi supet e veta akuzat e të gjithë tranzicionit, rrënime vrasje. Çfarë t’i them një njeriu që kur prezantohet çdo javë në prokurori linçon brenda dhe jashtë magjsitratët që bëjnë punën e tyre dhe pastaj bën ligjërime për drejtësinë. Kur kthen shpinën jo vetëm ne nuk të marrim seriozisht, po edhe ata të tutë që ke rreshtuar aty të thonë ça t’i bëjmë plakut kështu e ka pleëqëria dhe për herë të parë në këtë session i jap të drejtë”, tha Vengu.

Ora 13:44
‘Ty të hëngri lubia, ishte më e fortë’, Berisha-Spiropalit: Pëllumbeshë, erdhe e veshur si nuse në ditën tënde të fundit

 

Me ironi, Sali Berisha i tha Elisa Spiropalit se “e hëngri lubia”, një term me të cilin ai i referohet Belinda Ballukut, pasi “ishte më e fortë.” Me gjeste, ai i tha Spiropalit se “erdhi e veshur si nuse” ditën që kujtoi se për Ballukun do të ishte e fundit, por në të vërteë bëhej fjalë për të.

“Përfaqësoni dosjen Balluku. Edhe ty, Pëllumbeshë, ty nuk të hëngri parimësia, por ty të hëngri Lubia, se ishte më e fortë se ti. Pëllumbeshë, je e sinqertë me veten tënde, se unë të dhashë një paralajmërim kur na erdhe e veshur si nuse këtu, kujtove se ishte në ditën e fundit. Harrove se ajo do bëhej dita e fundit e jotja”, tha Berisha.

Ora 13:34
’21 janari’, Klosi- Berishës: Ke vrarë njerëz në bulevard, kemi dëshirë të dëgjojmë drejtësinë! Kreu i PD: Bixhozçi! I kthehet deputeti: Përralla me mbret

 

Opozita po e shtyn qëllimisht ndjekjen e rendit të ditës, tha Blendi Klosi, për shkak të raportimit të organeve të pavarura të drejtësisë. Duke u kthyer pas në kohë dhe te protesta që zhvillohet jashtë parlamentit, Klosi u shpreh se PD është e vetmja që ka bërë protesta me armë, duke i përmendur “21 Janarin.” 

“Sot në këtë parlament duhet të raportojnë organet e drejtësisë së re që janë këtu për të gjykuar të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Drama më e madhe, e lidhur me protestat po të doni, është “21 Janari”. Edhe ne kemi dëshirë ta dëgjojmë ç’do të thotë drejtësia e re për “21 Janarin.” Protesta bëhen pafund në këtë vend, por protesta me armë vetëm ju keni bërë. Vetëm ju mbani mbi vete krime në protesta. Ajo që keni bërë ju, nxitja e dhunës, nuk është gjë e re. Në atë bulevard, dy herë është gjuajtur me armë. Ti ke gjuajtur me armë Sali Berisha, hidhni gurin e fshihni dorën!”, tha Klosi.

I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të PD, duke akuzuar Klosin se luan bixhoz. Por ky i fundit nuk ngurroi t'i thotë se ka vrarë njerëz në bulevard dhe vjen në Kuvend tregon përralla me mbret. 

Sali Berisha: Mblidhi letrat e bixhozit. Përfaqëson McGonigal, skandalin dhe përpjekjet kundër opozitës. Përfaqëson Lubinë, 320 apartamentet e saj. Ai për bixhoz është i aftë të shesë gjithçka.

Blendi Klosi: Flet për gënjeshtra, flet për gjëra që s’kanë lidhje me realitetin. Ka ardhur në këtë sallë dhe ka bërë të njëjtën gjë. Unë i them ke vrarë njerëz në bulevard, ke qëlluar mbi protestuesit. Ai vazhdon tregon përralla me mbret. Për ne të vazhdojë, se votat na shtohen.

Ora 13:30
Tabaku replikë me Spiropalin: Më në fund zbrite me këmbë në tokë! Deputetja e PS pyet opozitarët: A keni guxim të çliroheni nga bajlozi?

Thirrjes së deputetes Elisa Spiropali për të ndryshuar sistemin iu përgjigj deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila i tha se më në fund ka zbritur me këmbë në tokë dhe e ka kuptuar se duhet luftuar korrupsioni dhe ata që abuzojnë me pushtetin.

Deputetja socialiste pyeti opozitarët nëse kanë guxim të çlirohen nga Bajlozi, referuar Sali Berishës.

Jorida Tabaku: Spiropali ka zbritur më në fund me këmbë në tokë. Më në fund po kërkoni që duhet të luftojmë korrupsionin, të heqim ata që abuzojnë me pushtetin, i bashkohem betejës suaj duke qenë se më në fund e kuptuar që kush është e keqja e këtij vendi. Ato ligjet me porosi që i ke futur në kalendar kur ke qenë kryetare kuvendi. Dil dhe kandido dhe i hapim listat, por të biem akord të gjithë që e keqja e këtij vendi është PS. I bashkohemi betejës suaj se më në fund e kemi kuptuar që ky kuvend nuk i bashkon qytetarët.

Elisa Spiropali: Nuk janë ligjet problemi, nuk janë mënyra se si ne interpretojmë sistemin. Por mungesa e guximit civil politik, integriteti për të qëndruar atëherë kur mendon se gjërat duhet të ndryshojnë, jo se je në opozitë dhe duhet patjetër të nxish kundërshtarin. Por sepse ke guximin të bësh analizën e shtëpisë ku je. Ne analizën nuk duhet ta nisim nga kundërshtari por nga vetja, po ju pyes, e ka guximin Berisha ta ndërrojë sistemin elektoral që e mban atë në krye të një partie që e ka frikë dhe asgjë tjetër.  kanë guximin të çlirohen nga bajlozi. Shqipëria e ka bërë kryeministër, president. A ka ai guximin të thotë koha ime ka mbaruar dhe s’ka nevojë për heronj por për njerëz normal. E ke apo se ke guximin flamur, e ke guximin të kuptosh kur koha ka ndryshuar

Ora 13:28
Reforma Territoriale/ Berisha: Rama ndërpreu punën në mënyrë të njëanshme, ne kemi raportin tonë 400 faqe! Duam shtimin e bashkive

 

Kreu i PD, Sali Berisha tha se ishte Edi Rama ai që urdhëroi ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të punës së komisionit të reformës territoriale. Berisha tha se PS po kërkon të paraqesë një raport që nuk është prezantuar fare në raport, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin. Berisha tha se opozita e ka gati raportin me 400 faqe dhe se duan shtimin e numrit të bashkive.

“Në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit në një kohë kur çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët, e me radhë, Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë, dhe natyrisht e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri, ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme.

Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por ne kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët sigurisht do të ishin broker në variantet që do paraqiteshin. Ky akt bën të pashpresë reformat në Shqipëri. Por unë them një gjë, që jo në dokumentet e fundit të BE, por edhe në raportin e KE të tetorit që kaloi, dy janë kushtet. Janë të dy reformat, territoriale dhe elektorale, kushtet që Shqipëria të avancojë në këtë proces

Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë tek modeli i përparshëm, jo, sepse ka ndryshime demografike, të cilat modelin e përparshëm me katërqind e sa komuna e bëjnë jo shumë realist. Por ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna, mund të krijohet një komunë. Pra, ne kemi bërë një punë shumë serioze në hartë në përcaktimin e njësive të ardhshme. Por kjo nuk u lejua sepse u ndërpre. Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet”, tha Berisha.

Ora 13:20
‘Ne kemi fuqinë për të ndryshuar sistemin’, Spiropali-Berishës: A do ta çlirosh opozitën? Kryetari i PD: Pëllumbesha në botën e çudirave s’meriton përgjigje

 

Ndërsa mori fjalën në Kuvend, Elisa Spiropali tha se për çdo akuzë që opozita i bën mazhorancës, ajo ka folur. Por thirrja e saj e drejtpërdrejtë ishte për të gjithë deputetët se së bashku mund të bëjnë ndryshimin e sistemit.

Një pyetje e pati edhe për Berishën, të cilin e pyeti nëse ka vullnetin të çlirojë partinë e tij.

“Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, nevojën për të kaluar te sistemi i institucioneve, për vetëpastrim, luftën ndaj korrupsionit, nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, nevojën për ta ndryshuar këtë sistem politik dhe zgjedhor që sot ka prodhuar banalitet sepse njerëzit janë të papërfaqësuar dhe s’ka as ide ideologjike, kam folur për institucione shtetërore që përdoren me besimin e madh se ne kemi gjithë fuqinë për ta ndryshuar këtë. Po ti Klevis, Sali, a ke fuqinë të hapësh rrugën dhe partinë tënde dhe të çlirosh opozitën? A ke fuqinë të bëhesh pjesë? Unë besoj që PS e ka këtë fuqi! Asnjë sulm s’më ndal dot se s’kam asgjë për të fshehur! Asnjë bedel që mendon se mund të dëmtojë! S’do t’ia dalë se do të hiqet si apendicit”, tha Spiropali.

“Elisa, pëllumbesha në botën e çudirave, nuk meriton asnjë përgjigje”, ia ktheu Berisha.

Ora 13:06
Reforma Territoriale, Boçi: PS po vepron në mënyrë të njëanshme, do që të shkrijë bashkitë

 

Bashkëkryetari i reformës territoriale, Luçiano Boçi akuzon PS se po vepron në mënyrë të njënashme sa i takon reformës territoriale. PD kërkoi shtyrjen e afatit me 3 muaj, por PS e rrëzoi kërkesën dhe vijoi me prezantimin e raportit të hartuar nga ekspertët. Boçi akuzoi PS se po tenton të shkrijë numrin e bashkive për të vijuar me projektin e shpopullimit të vendit.

“Jemi në një veprim të njëanshëm politik, të parapërgatitur. Unë e kam paralajmëruar, që nuk duan të shkojnë konsensus, kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik. Janë shtyrë dëgjesat me 8 kryetarë bashkish dhe më pas duhej të vazhdonim me dëgjesat sipas shtyllave, do vazhdohej me dëgjesa me grupet e interesit, shoqatat e bashkive, do vazhdohej me dëgjesat e kërkuara nga vetë komunitete. Nga ne është kërkuar një përfaqësues i Kongresit të Autoritetit Vendore të KiE që kanë shprehur shqetësimet tyre në raport me reformën e 2015. Nuk ka një raport, pretendohet se është bërë nga ekspertët. Ekspertët nuk janë mbledhur asnjëherë të diskutojnë në raport me kriteret dhe parimet që duhet të dalin nga raporti i 2015”, tha Boçi.

Ora 11:11
Refuzohet kërkesa e PD për zgjatjen e afatit të Territoriales! Berisha: S’keni ligj, raportet s’janë prezantuar në komision

 

Me 82 votat kundër të mazhorancës dhe vetëm 27 vota pro të opozitës, u rrëzua kërkesa e PD që të zgjatej me 3 muaj afati për komisionin e reformës territoriale. Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme, pasi raportet si të opozitës dhe mazhorancës nuk janë diskutuar në komisione. Berisha tha se do të ngrejnë qytetarët në kryengritje.

“Në këtë komision është bërë nga pala jonë puna më serioze dhe është konkretizuar në një raport prej 400 e ca faqesh, në përputhje me axhendën e përbashkët janë organizuar dhjetëra konsulta, axhenda e përbashkët kishte vazhdimin me konsulta të tjera raporti që pretendoni të paraqisni sot është i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare komisionet bipartizan kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet. Ju paraqiteni me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës, ky është brutalitet, ky është një akt që ju do të doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët. Sa kohë ky raporti jonë nuk është i debatuar në komision, ne nuk e dorëzojmë. Duhet të dyja raportet të paraqiten në komision, të debatohen pastaj të vijnë në kuvend. Po ju nuk keni ligj, as normë as moral. Ne do bëjmë gjithçka që qytetarët të ngrihen në kryengritje kundër jush në mënyrë që të bëjmë drejtësinë që i takon”, tha Berisha.

Ora 11:04
‘Territorialja’, Balla: Jemi kundër zgjatjes së mandatit të komisionit, sot dëgjojmë gjetjet e grupeve! E humbët trenin

 

Grupi i PS është kundër kërkesës për zgjatjen e mandatit me 3 muaj të Komisionit për reformën territoriale. Taulant Balla tha se komisioni e ka kryer detyrën e vet dhe procesi s’mund të kthehet mbrapsht. Ai qartësoi se dita e sotme përqendrohet te dëgjesa e raporteve dhe jo miratimi i reformës. Një fjalë e pati edhe për grupin e PD të cilit i tha se “e humbi trenin.”

“Kërkesa e parashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe do të ikë me trenin që ka humbur. Ky proces nuk mund të kthehet mbrapsht sepse ky diskutim mund të ishte bërë një javë më parë ku për ironi ky kuvend u gjend në situatë të ngjashme. Për zgjedhoren kishim kërkesë nga të dy bashkëkryetarët. Sot nuk kemi kërkesë nga dy bashkëkryetarët. Megjithatë, unë besoj që të gjithë e dimë fare mirë, sot ne jemi përgatitur për të dëgjuar gjetjet. Gjithë Shqipëria e di që sot Kuvendi do të dëgjojë gjetjet nga grupet e PS dhe PD. Kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re. Më pas, gjithë palët dhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozimet e veta. Ky komision nuk mund të zgjatet më, e ka përfunduar mandatin e vet. Mos të mungonit më datë 16, të kishit ardhur. Nuk kemi një arsye sot pse keni humbur. Treni i orës 7 pa 5 ka ikur, e keni humbur”, tha Balla.

Ora 08:38
Report Tv zbardh kërkesën e PD për zgjatjen e afatit të Komisionit të ‘Territoriales’ me 3 muaj: S’janë përmbushur objektivat

Grupi parlamentar i PD paraqiti sot në Konferencën e Kryetarëve kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit për ‘Territorialen.’ Sipas kërkesës së siguruar nga Report Tv, Pd rendit si arsye mospërmbushjen e një sërë objektivave.

Në kërkesë cilësohet se s’kanë përfunduar konsultimet dhe aktivitetet e parashikuara. Gjithashtu, kërkohet që raporti të konsultohet së pari me Kongresin e Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Europës.

1. Për zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, në mënyrë që të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht dhe të mos konsiderohet e përfunduar veprimtaria e tij, dhe

2. Të merret paraprakisht opinioni zyrtar i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës mbi produktin/rekomandimet/sugjerimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale”, janë kërkesat e PD.

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi tha se një ditë më parë u ka ardhur një e-mail me një raport për reformën territoriale. Sipas tij nuk sqarohet askund origjina e dokumentit.

"Na ka ardhur dje një e-mail me një raport për reformën territoriale. Ne nuk e dimë se nga vjen ky dokument dhe nuk sqarohet askund origjina e tij. Kuvendi nuk mund ta trajtojë në këtë mënyrë. Nuk mundet që Kryetari i Kuvendit të sjellë dokumente për të cilat nuk dihet se nga vijnë. Nuk ka mbaruar puna për Reformën Territoriale. Doni të bëni reformë apo teatër? Ju nuk keni pyetur as 30% të qarkut më të madh, siç është Tirana. Ka ende nevojë për punë, sepse kjo reformë prek drejtpërdrejt qytetarët. Është një reformë e rëndësishme", tha ai.

Luciano Boçi nga ana tjetër thotë se Kuvendi nuk mund të shqyrtojë asnjë dokument që vjen nga institucione të tjera, përveçse përmes rrugës parlamentare.

“Ky raport që doni të kaloni sot nuk është produkt i Komisionit Parlamentar.Nuk mund të ketë raport përfundimtar pa kaluar më parë në komision. Ju thoni se ka mbaruar afati. Po unë them se nuk ka mbaruar puna”, tha Boçi.

 

 


 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë...