Tensione në Kuvendin e Kosovës, Kurti rrëzon draft rezolutën e opozitës: Dialogu nuk është prioritet

Tensione në Kuvendin e Kosovës, Kurti rrëzon draft rezolutën e opozitës: Dialogu nuk është prioritet

Albin Kurti

KOSOVË-  Këtë të mërkurë, në Kuvendin e Kosovës, nuk ka kaluar një rezolutë e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës.

Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.

Për këtë, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër tjerash kërkonte që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”.

Një pikë tjetër e kësaj rezolute, e cila mori 21 vota për e 42 kundër, kërkonte edhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ku ishte thirrur në interpelancë ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

Duke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.

“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë

Kurti tha gjithashtu se “nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici”, pas dorëheqjes së serbëve.

“Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha Kurti. Ai tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk mund të bëhet thirrje politike për kthim.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni. Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik.

Ndaj fjalimit të kryeministrit Kurti reaguan deputetë të opozitës.

Enver Hoxhaj, deputet opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës tha se situata në veri të vendit “nuk është vetëm vakum institucional”.

“Është humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore (në veri), as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:32
Dialogu Kosovë- Serbi, Kurti i 'prerë': S'është prioriteti ynë, ndryshe nga çka duket

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme se dialogu me Serbinë nuk është as prioriteti numër një, as numër dy i Kosovës, pavarësisht asaj që ai tha se transmetohet.

“Në bazë të vëllimit të punës që bëjë, dialogu nuk është as prioriteti numër një as numër dy, njëjtë qysh e kam thënë parë një viti e gjysmë, pra nëse shikoni sa orë të punës merrem me dialogun, nuk është në tri të parat në prioritet. Mund të duket nga ajo që transmetohet në lajmet televizive që është vazhdimisht dialogu por nuk është ashtu.”, është shprehur Kurti në Kuvend.

“Unë kam një zëvendës (Besnik Bislimi) që është për integrime e dialog.”, shtoi Kurti.

Ora 13:23
Dorëheqjet e serbëve në veri të Kosovës, Kurti: I kishte kapur kriza morale! Kishin tekst të njëjtë politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konsideruar si një vendim politik, dorëheqjen e policëve dhe zyrtarëve serbë nga institucionet në veri të vendit. Ai ta se justifikimi i tyre kishte qenë i njëjtë ndërkohë që bëri thirrje që asnjë serb të mos braktisë institucionet, duke argumentuar se institucionet nuk janë vetëm të qeverisë, por të të gjithë qytetarëve të republikës.

“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale dhe individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre me tekstin identik te dorëheqjes, ky është vendim politik. E përsëris thirrjen që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim… Institucionet nuk janë të qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.

Dorëheqjet në veri të Kosovës kanë krijuar një ngërç në funksionimin e organeve ligjzbatuese dhe institucionet e qeverisjes vendore, pasi të gjithë polcët dhe këshilltarët komunalë serbë kanë lënë detyrat. Për këtë presidentja e Kosovës, ka dekretuar datën 18 dhjetor për zgjedhjet lokale në 4 komuna në veri të vendit, ku do të zgjidhen këshilltarët komunalë dhe kryemunarët.

 

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 30/11/2022 17:28

    Ramushi,ķarabushi! Kaŕabush pa fara!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim