Socialistët nuk vonuan dhe vetëm pak minuta pas seancës plenare ku paralajmëruan ndëshkimet për kolegët opozitarë, i kërkuan zyrtarisht Sekretariatit të Etikës, përjashtimin e Sali Berishës dhe 6 deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike.

Për Berishën, socialistët kërkuan vetëm 10 ditë, duke argumentuar se “përdori një fjalor jo parlamentar, bëri thirrje për akte dhune, përdori një gjuhë të shprehuri që nxit urrejtjen”.

Për të 6 të tjerët, Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Blendi Himçin, Xhelal Mziun, Albana Vokshin dhe Klodiana Çapjan, PS kërkon 60 ditë përjashtim pasi përdorën flakadanë, hodhën sende drejt Këshillit të Ministrave dhe kreut të Kuvendit, veprime qe “u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme me mjete fryrëse”.

'Etika' do të mblidhet online nesër në 10:00 për të vendosur mbi përjashtimet.

Ndërkohë, të përjashtuar me 60 ditë janë edhe 8 deputetë të tjerë të PD, mes të cilëve kreu i grupi parlamentar PD Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Mes kaosit e flakadanëve miratohet me 84 vota pr.ligji për Bankën e Shqipërisë, përjashtohen 4 deputetë të PD! Berisha thirrje për dhunë, i hiqet e drejta e fjalës